Njësoj si në aksidentin e Kavajës, edhe në Shkozet u neglizhuan kërkesat për sigurinë rrugore
Skema e shkaqeve të aksidentit të Kavajës përsëritet edhe njëherë në aksidentin e Shkozetit, i pasuar edhe ky me dy viktima. “TV Klan” raporton sot se Prefektura e Durrësit i ka kërkuar me shkresë zyrtare, Autoritetit Rrugor Shqiptar që të ndërhyjë për sigurinë në këtë segment, por njësoj si në rastin e aksit Plepa – Kavajë, edhe këtu autoriteti i drejtuar nga Dashamir Xhika dhe në varësi të ministrit Edmond Haxhinasto, ka neglizhuar.
“Aksidenti me dy viktima, i ndodhur të shtunën në rrugën Plepa – Shkozet ka zbuluar një tjetër skandal të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ky institucion është vënë në dijeni zyrtarisht nga Prefektura dhe Policia e Durrësit për rrezikshmërinë që paraqet ky aks, por nuk ka marrë asnjë masë dhe e ka injoruar shkresën e këtyre institucioneve, ashtu siç kishte injoruar për 2 vjet me radhë një vendim të formës së prerë të gjykatës për të mbyllur parmakët anësorë në autostradën Plepa – Rrogozhinë, pikërisht në vendin ku si pasojë e mungesës së tyre, humbën jetën më 7 Maj të këtij viti 2 fëmijë”. Kjo është kërkesa më e fundit që Prefektura e Durrësit i dërgon më 13 Maj, Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika, 8 ditë para aksidentit me 2 viktima e 4 të plagosur në aksin Plepa – Shkozet, për ta paralajmëruar për rrezikun që mbart ky aks”, raporton “Tv Klan”.
Më tej akoma, Xhika dhe ARrSh kanë injoruar tri kërkesa të bëra që nga viti 2013 për të njëjtën çështje. “Në të gjitha kërkesat zyrtare, Autoriteti Rrugor Shqiptar njihet me shqetësimin e Prefekturës Policisë së Durrësit në lidhje me kryqëzimet në aksin Plepa – Mbikalimi i Shkozetit, kryqëzime, që cilësohen si njolla të zeza, pasi janë konstatuar disa aksidente të rënda me pasojë humbje jete. Policia kërkon mbylljen e kryqëzimeve për shkak të mosfunksionimit të semaforëve dhe nënvizon se ka mangësi të sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Skandali thellohet edhe më tej, pasi në shkresë thuhet se Drejtoria e Autoritetit Rrugor në Tiranë ka qenë në dijeni të problematikës me semaforët rreth një muaj më parë, por ata janë ende jashtë funksionit”, raporton “Klan”.
Në rastin e dytë, atë të Shkozetit, i njoftua se drejtuesi i mjetit kishte përdorur alkool, por shkresa që sillet sot nga Prefektura, rikonfirmon atë problematikë që rezultoi fatale edhe në aksidentin e Kavajës. Është e vërtetë se përgjegjësi kanë edhe drejtuesit e automjeteve, por në dritën e këtij dokumentacioni, ministri Haxhinasto dhe drejtori i ARrSh-së, duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta, që nuk mund të negociohen me heshtje.
http://tvklan.al/web/tjeter-skandal-ne-arrsh-zbulohet-shkresa-paralajmer...
Add new comment