Aksidenti i Kavajës, Autoriteti Rrugor nuk zbatoi vendimin e gjykatës. Ministri bën sikur nuk ka ndodhur gjë(foto+video)

Postuar në 11 Maj, 2016 17:28

Zbardhet më tej situata absurde e cila u bë shkak, ndër të tjera, për aksidentin tragjik të Kavajës ku humbën jetën dy njerëz(http://www.respublica.al/2016/05/11/skandali-që-zbulohet-nga-aksidenti-i-kavajës-pika-e-karburantit-për-të-cilën-ishin). Autoriteti Rrugor Shqiptar që ka për titullar direkt Dashamir Xhikën dhe është në përgjegjësi të Edmond Haxhinastos, nuk ka zbatuar një vendim të prerë të Gjyaktës Administrative të Apelit, që detyronte ARSh-në të vendoste mbrojtëse në vendin ku ndodhi aksidenti. "Tv Klan": ka publikuar sot vendimin e gjykatës që është neglizhuar për dy vjet.

“Ky vendim, që mban numrin 2634, i dhënë nga trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Valdete Hoxha, Ilir Toska e Edlira Petriti, e detyron Autoritetin Rrugor Shqiptar, të drejtuar nga Dashamir Xhika dhe Ministrinë e Transporteve, të drejtuar nga Edmond Haxhinasto, që të procedojnë me vendosjen e mbrojtëseve anësore për të mbyllur hyrje – daljet për në pikën e karburantit pranë vendit të këtij aksidenti. Subjekti “Pienvis” që ka në pronësi karburantin, e kishte çuar në gjykatë një vendim administrativ të Autoritetit Rrugor dhe Ministrisë së Transporteve të vitit 2010, për të vënë mbrojtëset anësore. Gjykata e Tiranës i dha të drejtë firmës së karburantit, me një vendim që mban datën 7 Qershor 2013. Por Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, e rrëzoi këtë vendim të Shkallës së Parë, pas ankimimit të bërë nga vetë Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke i dhënë të drejtë këtij të fundit me formë të prerë. Por edhe pse kanë kaluar dy vjet nga dhënia e këtij vendimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka e ka vënë ujin në zjarr, për të proceduar me vendosjen e mbrojtëseve, që do të kishin shpëtuar dy jetë njerëzish”, raporton “TvKlan”(http://tvklan.al/web/zbulohet-skandali-me-drejtorin-e-arsh-dashamir-xhika/).

Xhika është aktualisht nën hetim nga prokuroria e Kavajës, por ajo që të bën të dyshosh nga kjo ngjarje është se lidhjen mes një vendimi gjykate dhe moszbatimit të tij nga ARSH-ja, e plotëson aktualisht vetëm fakti se djali i pronarit të pikës së karburantit është shefi i Kabinentit të ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto. Përndryshe cili është interesi që ARSh-ja të mos zbatojë një vendim gjykate? Te jetë punë fondesh? E vështirë të besohet, pasi buxhetin e vitit 2015, ministri i pagojë, Haxhinasto, e cilësoi shumë të mirë dhe me rritje në shifra.

“Prokuroria pritet ta marrë në pyetje ndërsa përgjegjësinë për këtë rast, Dashamir Xhikës ia faturoi edhe Ministri i tij, Edmond Haxhinasto, kur u pyet sot se kush e mban përgjegjësinë për mosvendosjen e mbrojtëseve metalike në vendin e aksidentit me dy viktima”, vijon raportimin “Tv Klan”. Po pse nuk e shkarkon Xhikën ministri Haxhinasto, derisa të sqarohet kjo çështje?

ZBULOHET SKADALI ME DREJTORIN E ARSH DASHAMIR... by 3-14-15-92

Me shumë interes është edhe ajo që thotë pronari i karburantit, Pilo Këri, babai i shefit të Kabinetit të ministrit Haxhinasto. “Unë as kam vendosur, as kam hequr. Bisnesi ka punë nga vija e tij dhe brenda, pjesën tjetër e zgjidh Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve bashkë me financuesin, bashkë me zbatuesin e të gjithë me radhë. I kam kërkuar asaj Drejtorie të Përgjithshme, që bëni zgjidhje provizore deri sa të përfundojë procesi gjyqësor që të mos ketë aksidente”(http://tvklan.al/web/reagon-pronari-i-karburantit-pergjegjesia-eshte-e-a...).

ARSH PËRGJEGJËSE PËR SIGURINË RRUGORE (1... by 3-14-15-92

Me sa duket kanë gjetur të gjithë se kë të godasin, ndonëse i pari që ka përgjegjësi këtu është ministri Edmond Haxhinasto.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.