Arsimi i lartë/Reforma që i lë universitetet në gjendjen që ishin
Lajmi i dytë nga zgjedhjet në universitete për këdo që shpresoi tek premtimi Rama-Nikolla për universitete më të mira ishte ky: Mos prit që universitetet të bëhen më të mira! Ato do të mbeten njësoj! Të paktën edhe për 10 vitet e ardhshme!!! Njësoj si në kohën e Berisha-Tafajt, Nano-Memushaj, apo të gjithë kryeministrave dhe ministrave të arsimit të 20 viteve të fundit! Të cilëve nuk ua mban mend njeri emrin pikërisht sepse ndryshimi që ata “bënë” në universitetet dhe arsimin e lartë ishte një “vërë në ujë!”
Universitetet do mbeten njësoj jo vetëm thjesht nga riciklimi i të njëjtëve drejtues nga zgjedhjet e fundit! Ato nuk do të bëhen më të mira më së pari për shkak të politikës pseudo-reformiste të Ramës dhe strategjisë mos-ndryshim-sjellëse ”merru me të gjithë gjërat, dhe mos bëj dot asnjë gjë të saktë,” “merru me të gjithë universitete dhe mos sill dot asnjërin në terezi”!
Produkti Rama-Nikolla në arsimin e lartë në 3 vjet qeverisje është “dënimi” i universiteteve shqiptare me mosndryshim; universitete që do vazhdojnë të vuajnë të njëjtat probleme, drejtohen nga po të njëjtët njerëz dhe mëndësi, do të “qeverisen” së brendëshmi po në të njëjtën stil çifligaresk; do të ofrojnë të njëjtën cilësi mësimdhënieje dhe kartona pa vlerë, do të bëjnë sikur “prodhojnë” shkencë, dhe do të vazhdojnë të mbeten të paklasifikueshëm në renditjet ndërkombëtare të universiteteve, do vazhdojnë të mbeten larg jo më univeristeteve amerikane, angleze, apo të hapësirës europiane të arsimit të lartë, por edhe atyre të Ballkanit!
Në vend të të qenit “shpëtimtarë” të universitetit publik dhe arsimit të lartë, Rama-Nikolla po vulosin përfundimisht me veprimet e tyre varrosjen për fare të cilësisë së universiteteve dhe arsimit të lartë shqiptar! Në tre vjet qeverisje, Rama-Nikolla na “provuan” se në thelbin e vet nuk ishin aspak më ndryshe nga pararendësit e tyre. Me vepra treguan se ishin sa demagogë, aq edhe të paditur në çështjet e universiteteve dhe arsimit të lartë.
Sa të paditur aq edhe praktikues të qëllimshën të qeverisjes dhe sjelljes me dy-standarde; sa përdorues të dy-standardeve, aq edhe të hapur për të përqafuar, shpërblyer dhe bërë njësh me shkatërruesit realë të universiteteve; sa të kooptueshëm nga shkatërruesit e universiteteve dhe klientela e interesave, aq edhe pseudo-reformatorë dhe qeverisësit e dështuar të radhës; sa qeverisës pseudo-reformatorë dhe të dështuar aq edhe varrëmihës të shpresës së publikut dhe shqiptarëve për një universitet shqiptar cilësor dhe të denjë për tu krenuar me të!!!
Shkurt, në raport me arsimin e lartë, në rastin më të mirë, nga këndvështrimi i politikëbërësit dhe politikave, Rama-Nikolla treguan që nuk ia kishin fare haberin ku qëndronte Thembra e Akilit me universitetet dhe në ç’mënyrë mund të ndryshohej arsimi i lartë. Në rastin më të keq, nga këndvështrimi pastërtisht politik, Rama-Nikolla rezultojnë demagogët më të mëdhenj të ndryshimit; shpërdoruesit dhe vrasësit më të paskrupullt të shpresës për ndryshim; tradhëtarët dhe mashtruesit më të mëdhenj të interesit publik dhe atyre 1 milion njerëzve që i sollën në pushtet.
Ky përshkrim i Rama-Nikollës si mishërues të pseudo-rilindjes dhe qeverisjes me dy standarde, si pseudo-reformatorë dhe vrastarë të reformës, si autorë dhe trumbetues të një reformë të destinuar për të mos sjellë asnjë ndryshim, buron nga hendeku gjigand mes qëllimeve të trumbetuara prej tyre publikisht dhe rezultateve të arritura ne realitet; nga hendeku mes pritshmërisë së njerëzve për një universitet sa më cilësor dhe dinamikave shpresë-vrasëse, dhe nga hendeku mes instrumenteve që kërkonte një reformë realisht produktive dhe transformuese dhe rrugës që ndoqi Rama-Nikolla!!
Tre vjet më parë Rama premtoi tri gjëra: 1) universitete më të mira dhe cilësore, jo universitete që lëshonin kartona pa vlerë, 2) një sistem arsimi të lartë më të mirë dhe cilësor, jo një sistem të mbushur me pseudo-universitete; dhe 3) autonomi reale për universitetet, jo pseudo-autonomi!! Por pavarësisht premtimeve Rama-Nikolla; pavarësisht zgjedhjeve të fundit në universitete, sistemi shqiptar i arsimit të lartë dhe universiteteve nuk ka gjasa të bëhen më të mirë dhe cilësorë për tre arsye.
Së pari, një arsye është fakti që Rama-Nikolla, në tre vite qeverisje, kanë “bërë” gjithë ato “gjëra,” por nuk kanë bërë ama ato gjëra që vërtet do i kthenin premtimet e tyre në vepra reale! Me apo pa qëllim, nga padija apo nga frika, ata nuk treguan disponim dhe as nuk bënë ndonjë përpjekje të bënin asnjë nga ato gjëra që vërtet do e çonin sistemin e arsimit të lartë drejt universiteteve cilësorë, konkurrues, të denjë!
Rama-Nikolla shpallën Sheratonianshëm krijimin e “Komisionit Gjonçaj,” dhe vërtet vunë në krye të tij një njeri si Arjan Gjonçaj, me një eksperiencë pune dhe njohje të Modelit Britanik të universiteteve dhe arsimit të lartë! Por nga ana tjetër, në vend që ta lejonin Gjonçaj të zgjidhte vetë ai bashkëpunëtorët e tij, nga universitete brenda apo jashtë Shqipërisë, mes profesorëve të huaj apo atyre shqiptarë, ata i futën Gjonçajt në Komisionin e vet drejtuesit-shkatërrues të universiteteve. Duke e rrethuar Gjonçajt me anti-reformistë, duke i vënë atij “kufirin tek thana,” dhe duke vendosur praktikisht në timonin e reformës së arsimit të lartë po atë kastë drejtuese të universiteteve kundër të cilës nuk kish lënë gjë pa thënë më pare. Pra duke i vënë minat që në fillim çdo ideje, projekti, apo përpjekje serioze të Gjonçaj!!!
Shkurt, një arsye përse universitetet në Shqipëri nuk ka gjasa të ndryshojnë është hipokrizia Rama-Nikolla. E vunë Gjonçaj në krye të një Komisioni, por më shumë i përdorën emrin dhe e mbajtën si kukull vitrine sesa i morën mendje për të bërë vërtet gjëra ndryshe! E ngritën Komisionin e reformës, por e përdorën atë më shumë për të përligjur zakonin e partive shqiptare që me të ardhur në pushtet dhe qeverisje të zëvëndësojnë ligjin egzsitues të arsimit të lartë me një ligj të ri sesa për të nxjerrë në dritë problemet e universiteteve dhe sistemit. E hartuan dhe e shpallën ligjin e ri të arsimit të lartë si ilaçin dhe shpëtimtarin e universiteteve dhe të krejt sistemit, por edhe sot e kësaj dite nuk kemi marrë vesh se cilët ishin problemet që Rama-Nikollai identifikuan si shkaktarë dhe burim i problemeve në universitetet tona dhe kësisoj në ç’mënyrë politikat do të merreshin dhe zgjidhnin ato!
Arsyeja e dytë përse universitetet nuk kanë gjasa të bëhen më të mira ka të bëjë me strategjinë në mos pseudo-reformiste, krejtësisht të gabuar dhe aspak produktive, që Rama-Nikolla zgjodhën për reformimin e sistemit të universiteteve dhe arsimit të lartë: “luftë totale gjithë universiteteve” dhe “reformim total i krejt sistemit të universiteteve dhe arsimit të lartë”!!! Pak rëndësia ka nëse strategjia e zgjedhur ishte rezultat i injorancës së tyre në çështjet e universiteteve dhe arsimit të lartë dhe i mos-pasjes së idesë se cilat ishin burimet e problemeve të universiteteve, apo ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme! Ajo që ka rëndësi është se strategjia e tyre ishte dhe mbetet krejtësisht e gabuar dhe shterpë! Kursi i zgjedhur prej tyre, nga pikëpamja e politikëbërjes ishte një akt i pastër narcizismi; nga pikëpamja politike, ishte një harakiri në fushën e arsimit të lartë! Rama-Nikolla na janë mburrur vazhdimisht se i kanë “hapur luftë” dhe do të merreshin si me universitetet publike edhe me ato private; se në shënjestrën e tyre ishin jo vetëm disa universitete specifikë, por i gjithë sistemi! Duke e menduar kështu këtë punë, në fakt Rama-Nikolla krijuan premisat më të favorshme që mali të mbarset dhe të pjellë një mi! Reforma e tyre, në mos e dështuar krejtësisht, është e destinuar të përfundojë vetëm në një “ri-pikturim me bojra vaji” të problemeve të universiteteve dhe sistemit, në një bojatisje fshehëse por jo zgjidhëse e problemeve realte të tyre dhe hapjen e tyre drejt cilësisë dhe konkurrueshmërisë!!! Shprehja pompoze e Ramës “prisni-prisni se nuk keni parë akoma gjë!” duket më e vërtetë në arsimin e lartë se në asnjë fushë tjetër të politikave dhe reformave: deri tani kemi pritur, por ndonjë fryt nuk kemi parë!
Sikur Rama-Nikolla të kishin idenë se cilat pjesë të sistemit dhe universiteteve ishin burimi i problemeve, hajde-de!! Kjo reforma e tipit “luftë kundër të gjithë sistemit” mbase edhe mund të kishte ndonje shans suksesi dhe kredibilitet nga pikëpamja e cilësisë së politikave qeverisëse! Por pa njohjen më minimale për shkaqet e problemeve në universitete dhe arsimin e lartë, “reforma” dhe premtimet e Rama-Nikolla sigurisht që do të përfundonin në bufonadën ku kanë përfunduar tani! Dhe nuk kishte gjasa të ndoshte ndryshe në kushtet kur Rama-Nikolla nuk ia kishin fare haberin nëse problemet në arsimin e lartë ishin produkt i marrëdhënieve problematike universitet-qeveri, produkt i problemeve të qeverisjes dhe menaxhimit të brëndëshëm të universiteteve apo produkt i problemeve me cilësinë profesionale, vlerat dhe besimet në bazë të sjelljes dhe mendësisë së drejtuesve të universiteteve, komunitetit akademik, dhe të individëve brënda universiteteve. Nuk kishte gjasa të ndodhte ndryshe në kushtet kur reforma Rama-Nikolla në arsimin e lartë nuk ishte gjë tjetër veçse një transferim në fushën e arsimit të devizes qeverisëse dhe politikë-bërëse të Ramës “reforma në të gjithë fushat; në të njëjtën kohë; pa marrë parasysh koston!” Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në kushtet kur përballë kostos politike që gjeneron pashmangshëm hapja e një lufte në të gjitha frontet dhe kundër të gjithëve, për të minimizuar koston politike dhe elektorale, Rama-kapiteni dhe Nikolla “yes-woman” si zgjidhje më të kollajtë do gjenin sakrifikimin e reformës në arsimin e lartë dhe i zëvëndësimin e ndryshimeve “radikale” me ndryshime “pseudo-reformiste.“
Kështu që një arsye e dytë përse universitetet tona nuk ka gjasa të bëhen më të mira është logjika anti-Bismarkiane e Rama-Nikollës në politikën e tyre ndaj universiteteve. Bismarku, ky burrë shteti që e ngriti veprimin e tij politik mbi kombinimin e artit të politikës me mençurinë dhe mësimet e botës akademike, arriti të ketë sukses në bashkimin e Gjermanisë pikërisht se nuk harroi për asnjë çast mësimin e historisë se kush lufton njëkohësisht në dy a më shumë fronte është i destinuar të dështojë! Anglia, Franca, dhe Rusia, tre pengesat kryesore ndaj bashkimit të principatave gjermane në një shtet të vetëm, Bismarku i “kapërceu” duke u marrë me secilën prej tyre, veç e veç, në kohë dhe vëmendje të veçantë, jo duke iu hapur luftë të treve njëherësh! Rama, sigurisht që as që bëhet fjalë të ketë mendjen politikëbërëse dhe staturën politike të Bismarkut. Por Rama mund të “kopjonte” nga strategjia Bismarkiane: në vend që të merrej si me universitetet publike edhe ato private, le të vinte në “udhë” universitetet publike! Në vend që të merrej me të gjithë universitetet publike, le të shndërronte Universitetin e Tiranës në lokomotivën rrugë-çarëse! Që me hir apo pahir, duke shkëlqyer në cilësi, do të tërhiqte pas vetes, ose do ti detyronte të gjithë universitetet ta ndiqnin atë! Që do të arrinte të ndikonte në mos si mbi universitetet publike dhe ato private, të paktën mbi universitetet publike!! Po kujt ti binte ndërmënd për mësimet Bismarkiane të historisë? Ramë piktorit të dashuruar pas fjalëve dhe makiazheve të fasadës? Apo Ramës që guxon ti japë leksione demokracie shoqërisë dhe politikës amerikane? Ndaj një arsye e dytë përse universitetet shqiptare nuk kanë për tu bërë më të mira por do të mbeten njësoj është pikërisht natyra prej deliranti dhe narcizisti e Ramës, injoranca dhe qëndrimi “yes-woman” që Nikolla, kjo Ministre e Arsimit më e paditura në çështjet e arsimit të lartë, ka treguar ndaj “kapitenit” të saj Rama!!!
Së treti, arsyeja e tretë përse universitetet nuk do të ndryshojnë dhe bëhen më të mira janë dy elementë mjaft të rëndësishëm dhe përcaktues:
1) është mendësia e fuqishme etatiste që bart dhe praktikon Rama-Nikolla në arsimin e lartë dhe
2) roli karikaturë që i kanë atashur qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit në marrëdhëniet me universitetet!
***
Me një ndikim të fortë nga kultura dhe modeli komunist i konceptimit të rolit të shtetit dhe qeverisë, mes një injorance pa-frymë-lënëse, dhe prej kuptimit për së prapthi të nocionit të “shtetit rregullator” dhe rolit të tij në praktikë, Rama-Nikolla e kanë ngritur politikën e tyre të reformimit të universiteteve dhe arsimit të lartë mbi tre besime:
1) se ndryshimi i cilësisë së universiteteve dhe krejt sistemit, më shumë se një proces që mund dhe duhet të gjenerohet nga brënda-për-brënda universiteteve, mund të realizohet vetëm dhe vetëm përmes “dekreteve” kryeministrore dhe “urdhërave” të Ministres së Arsimit;
2) se vetë universitetet nuk janë në gjëndje të ndryshohen vetë qoftë pse mund të mos duan, qoftë pse mund tju mungojnë edhe kapacitetet për të bërë vetë ndryshimin, dhe kësisoj, universitetet duhet të mbeten gjithmonë nën sqetullën dhe menaxhimin e Ministrisë së Arsimit, 5-6 specialisteve të saj me shkollim “bachelor” apo “master shkencor;”
dhe 3) se roli dhe detyra e Ministrisë së Arsimit është jo ofrimi universiteteteve të një kuadri të përgjthshëm orientues por mikro-manaxhimi i tyre deri në detaje të vockla, rastet kur Ministria e Arsimit futet dhe marret deri me gjëra të tilla strukturimi dhe konceptimi i syllabuseve, lëndëve, programeve akademike janë një praktikë rutinë. Dhe unë këtu përmenda vetëm disa elementë mikromenaxhimi, se në fakt, lista e gjërave me të cilat në vënd të jenë domen vetëm i universiteteve, me to merret Ministria e Arsimit, është ku e ku më e gjatë dhe me çudira që një njeri normal, me eksperiencë nga një universitet amerikan, anglez, apo europian, do e linte me gojë hapur dhe të pataksur!!!
Rezultat i mendësisë etatiste është realiteti ku universitetet shqiptare nuk bëjnë dot asnjë çap, madje as dokumentet bazë dhe “rregulloret” e qeverisjes së brëndëshme dhe funksionimit të tyre të përditshëm dhe të zgjedhjes së drejtuesve pa shqyrtimin dhe miratimin e Ministrisë së Arsimit – a thua sikur Ministrja e arsimit të jetë vetë “mesia”! Në universitetet shqiptare, drejtuesit e tyre për çdo gjë, - edhe për ato gjëra të cilat në universitetet normale amerikane, angleze apo evropiane i përkasin sferës pastërtisht akademike, pra janë domen dhe të rregullueshme normalisht vetëm përmes rregullave të brëndëshme të universiteti, -drejtuesit pra nuk bëjnë dot një hap pa ju referuar Ministrisë së Arsimit, ligjeve, dekreteve, apo urdhërave të nxjerra nga Këshilli i Ministrave apo Ministri i Arsimit! Rezultat i mendësisë etatiste është realiteti ku universitetet shqiptare nuk funksionojnë në bazë të fizionomisë, interesave, potencialeve, konkurrencës, dhe aftësisë së tyre për të menaxhuar marrëdhëniet me tregun dhe adoptuar kërkesave të kohës por funksionojnë në mënyrë uniforme, si një tufë, në rresht, sipas diktatit të Ministrisë së Arsimit. Ministria e Arsimit përvcakton kush bëhet rektor, sa mandate i quhen dhe kur fillon llogaritja e tyre, nëse një Dekan do ta bëj çiçin me orar apo “demokratikisht”, nëse një universitet është për tu preferuar apo jo nga studentët dhe sa student do të marrë, duhet të ketë apo jo programe doktorale, i jepet ose jo akreditimi, lejohet të rrijë “i hapur” apo rrembehen çelësat dhe shkohet e iu “vihet dryni” me tamtame! Rezultat pra i kësaj mendësie etatiste është një realitet ku edhe kur flitet për ndryshim, për reformim, këto nuk shihen si kombinim i përpjekjeve nga “lart” (qeveria) dhe nga “poshtë” (universitetet) dhe përmes vënies në lëvizje në sferën universitare dhe akademike të mekanizmave të respektimit të interesave, konkurencës dhe tregut, por përmes diktatit të njëshit! Në këtë rast, të Ramës!
Ky realitet do të vazhdojë të jetë fuqimisht i pranishëm në Shqipëri edhe pas zgjedhjeve të fundit në universitete sepse Rama-Nikolla as që marrin mundimin të dëgjojnë dhe kenë respekt për ata zëra nga komuniteti universitar dhe akademik që mendojnë ndryshe nga ata. Në një shkrim të tijin disa ditë më parë tek “Panorama”, Zydi Teqja i thoshte Rama-Nikollës pikërisht këtë gjë: që ndryshimi në universitete dhe cilësia në arsimin e lartë nuk mund të vijnë me “urdhra ex-catedra” të qeveritarit të radhës; ndryshimi i universiteteve dhe arritja e një arsimi të lartë cilësor është i mundshëm vetëm kur qeveritari i radhës bën gjithashka që ka në dorë për të çliruar mëndjen dhe energjitë në rradhët e komunitetit universitar dhe akademik! Ky realitet, cilësia përtokë e universiteteve shqiptare, do të vazhdojë të jetë realitet normal në Shqipëri sepse Rama-Nikolla refuzuan, në këto tre vjet të qeverisjes së tyre, nga padija apo me qëllim, të bënin një gjë, dhe vetëm një gjë: të shëndrronin Universitetin e Tiranës në universitetin flamur të të gjithë sistemit të universiteve dhe arsimit të lartë shqiptar; në universitetin përcaktues të standarteve të qeverisjes së brëndëshme dhe politikave dhe cilësisë akademike; në universitetin me programe dhe staf akademik, trupë studentore dhe diploma nga më elitaret; në universitetin kontribues numër një për ekonominë dhe tregun, politikat e qeverisjes dhe shoqërinë; në universitetin përfaqësues të Shqipërisë në renditjen dhe listën e universiteteve botërore, njësoj si kombëtarja jonë e futbollit!
Nëse do të kishte një vënd për një rol drejtpërsëdrejti ndërhyrës të qeverisë së rradhës në Shqipëri; nëse do të kishte një justifikim për kryerjen e një reforme nga lart dhe jo nga poshtë, një gjë e tillë, një rol pra i Rama-Nikollës prej violine të parë, kjo do mund të ishte e pranueshme vetëm nëse ai do të konsistontë në rilindjen e vërtetë të Universitetit të Tiranës dhe jo trajtimin e tij si “një nga universitetet”, si “gjithë të tjerët;” vetëm nëse Rama-Nikolla do angazhoheshin që për të rilindur Universitetin e Tiranës, për ta bërë atë liderin dhe lokomotivën tërheqëse të të gjithë universiteteve dhe sistemit shqiptar të arsimit të lartë, do të të gatshëm të investoheshin jo vetëm me fonde por edhe me burime njerëzore; jo vetëm me burime njerëzore dhe akademike nga brënda universiteteve shqiptare por më së pari me ftimin dhe angazhimin e forcave akademike shqiptare të studuar dhe me eksepriencë në universitetet amerikane, angleze, apo europiane, ose drejtues apo pedagogë të huaj nga universitete më të mira amerikane, angleze, apo europiane; jo vetëm me hartimin e një ligji të ri, por me njohjen reale të problemeve të universiteteve, analizimin korrekte të problemeve dhe zgjidhjeve që kanë të bëjën me pavarësinë institucionale të universiteteve; mbi të gjitha, roli prej violin të parë i dyshes Rama-Nikolla do të ishte më i pranueshëm nëse ata do të impenjoheshin që Universiteti i Tiranës të bënte diferencën dhe dallimin me të gjithë universitetet e tjera në Shqipëri, publike apo private, nga pikëpamja e infrastrukturës fizike apo virtuale, burimeve dhe menaxhimit të financave, cilësinë e programeve akademike dhe riformatimin e tyre mbi bazën e parimeve dhe praktikave më të mira akdemike, profilizimit dhe orientimit sa më afër nevojave të studentit, tregut, ekonomisë, qeverisë! Nëse politikisht, çdo politikan duhet të vërë Shqipërinë para Partisë së vet, në arsim, çdo qeveritar, duhet të vërë interesin e publikut dhe arsimit publik para interesave dhe arsimit privat!!!
Arsyeja e tretë pra përse edhe pas zgjedhjeve të fundit në universitete nuk do të kemi universitete më të mira është “etatizmi” alla-shqiptarçe, anapulla, i Ramës dhe Nikollës; është aplikimi i një lloj etatizmi që nuk ka azgjë të përbashkët me etatizmin Francez dhe Gjerman as nga pikëpamja e këllqeve, as nga pikëpamja e produktit. Etatizmi i Ramës është një etatizëm më shumë komunist sesa evropiano-perëndimor, pa këllqe, që ngrihet mbi xhepin bosh dhe premtime në erë, të gënjeshtra që ditën e parë, dhe të destinuara për të mos u mbajtur sesa mbi buxhete dhe angazhime serioze financiare. Etatizmi i Ramës nuk ka gjasa të prodhojë as “Grand Ecole-të” franceze, as universitetet gjermane; ai më së shumti mund të prodhojë universitete çiflik të modelit Kule! Shkurt, arsyeja e tretë përse nuk kemi pse presim universitete më të mira dhe arsim të lartë më cilësor është tek refuzimi i Ramës për tu fokusuar tek përmirësimi i Universitetit të Tiranës, për të derdhur dhe investuar energji, fonde, burime të konsiderueshme njerëzore dhe materiale që Universiteti i Tiranës, me cilësinë, standartet, dhe rolin e vet lidershipor të shërbente si pikë referimi për gjithë universitetet e tjera dhe përmes konkurrencës financiare dhe akademike të detyronte universitetet e tjerë të përmirësoheshin dhe ndiqnin Universitetin e Tiranës! Sot Universiteti i Tiranës dergjet në shtratin e intrigave politike dhe akademike, mes mundësive shumë të ngushta financiare dhe akademike për zhvillim strategjik, akademik, dhe shkencor, është shëndrruar nga universiteti numër një në një universitetet si gjithë universitetet e tjera shqiptare, dhe puna ka mbëërritur deri aty sa universitete private që nuk kanë moshë më shumë se një dekadë pretendojnë të jënë më të mirë se Universiteti i Tiranës, madje pretendojnë të jenë liderët e universiteveve dhe arsimit të lartë shqiptar! Zgjedhjet e fundit ne Universitetin e Tiranës, riciklimi në poste drejtuese në një përqindje të lartë të drejtuesve të mëparshëm, duke filluar nga Dhori Kule e duke zbritur deri në nivel departamenti, tregojnë se nga Rama-Nikolla nuk mund të pritet të bëjnë ndonjë gjë për arsimin e lartë në një kohë që nuk kanë bërë asnjë gjë për Universitetin e Tiranës; tregojnë se Universiteti i Tiranës është në një gjëndje kritike, pothuajse të pashpresë për ndryshim, dhe që nëse përdor shprehjen e Mark Markut për “rithemelimin e PD-së,” rrezikon qëllimin e ekzistencës së tij deri në atë pikë sa mund të lindte e nevojshme “rithemelimi” edhe një herë i Universitetit të Tiranës.
*Shkrimi bën pjesë në serinë "10 Mësime nga Zgjedhjet në Universitete 2016"
Titulli i autorit: Mësimi 2: Universitetet do mbeten njësoj!
Autor: Vëzhguesi(pseudonim i zgjedhur nga autori)
Add new comment