Faza e parë e TAP, Shqipëria nuk rezervon dot asnjë metër kub gaz
Me anë të projektit të gazsjellësit Transadriatik, Shqipëria forcon pozitat e saj gjeopolitike dhe për herë të parë sigurohet vendosja në hartën europiane të energjisë, si sigurohet integrimi tregtar. TAP do të lehtësojë zhvillimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe tregun e brendshëm të energjisë, gjithashtu do të përmirësojë ekonominë dhe do të hapë vende të reja të punës. Aktualisht janë rreth 1,000 persona që po punojnë në Shqipëri për këtë projekt, ku 95% janë shqiptarë. TAP do të mundësojë lidhjen e Shqipërisë me dy tregje të rëndësishme të gazit natyror, atë të Italisë dhe Greqisë dhe më tej, me tregjet e tjera të lidhura me to në Lindje dhe në Perëndim. Por, sfida më e madhe e Shqipërisë është një tjetër. Ajo ka të bëjë me gazifikimin e vendit, me përgatitjen e një masterplani i cili do të hedhë dritë mbi nevojat e tregut të gazit. Është parashikuar që të përfundojë në qershor të këtij viti. Gjithashtu qeverisë shqiptare do t’i duhet të negociojë me tregtuesit e gazit azer në lidhje me sasitë që do të mbeten këtu.
Shqipëria nuk mundi të rezervonte dot nga sasia prej 10 miliardë metër kub gaz që parashikohet të transportojë TAP, në fazën e parë, pasi nuk njihen nevojat reale të tregut, si për konsumatorët, ashtu edhe për familjarët. Por, ajo mund ta bëjë këtë me zgjerimin e kapacitetit, i cili pritet të arrijë në shifrën 20 miliardë metër kub thotë për "Monitor", Shkëlqim Bozgo, menaxher i TAP për Shqipërinë. Konsumi i gazit natyror do të rritet me 1.6 miliardë m³ gaz në vitin 2030, ku rreth 70% e tij pritet të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike. Në fillim, gazi natyror do të përdoret në sektorin e industrisë për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa pas vitit 2020 do të ofrohet për konsumatorët vendas me një konsum të pritur final prej 37%. Greqia, vendi tjetër nga ku do të kalojë gazi azer, ka prenotuar sasinë prej rreth 1 miliard metër kub gaz. Kjo sasi do të nisë të transportohet në vitin 2021.
Add new comment