RTSH, pacienti që i intereson politikës e që e paguajmë pa dëshirë
Radiotelevizioni Shqiptar. Padyshim një nga gërmadhat e rralla, në mos rrangallat, që vijon të financohet pa pushim për 25 vite me radhë. Pa u përshtatur, pa u transformuar, pa u reformuar, pa u bërë një adresë e besueshme për opinionin shqiptar. E kemi këtë të drejtë të flasim me këtë gjuhë, sa kohë që për të paguajmë - ose na i marrin paratë -Pa Patur fare Dëshirë.
Një nga ato institucione që njësoj si thithlopa, ka duruar në mënyrë ta pashoqe zagushinë e politikë dhe duke ngrënë nga paratë e shqiptarëve, ka ecur në rrugën monotone të ripërtypjes së lajmeve që ia jep falas partia e radhës.
Ndër politikanët që është ankuar më së shumti për këtë institucion parazitar, që nuk justifikon për asnjë çast të vetëm lekët që u merr njerëzve, është kryeministri aktual, Edi Rama. I cili e ka patur premtim të vetin transformimin e RTSH-së. Por nëse i besojmë një prej pasuesve të tij në Partinë Socialiste, deputetit Alfred Peza, RTSH-ja në fakt ka degraduar këto 3 vite dhe se ishte pikërisht “kriza e drejtimit” ajo që detyroi mazhorancën, të ndryshojnë ligjin. Tha Peza në emisionin “Zululand” në “Tema Tv”: “RTSH vitin e kaluar ka pasur 25 miliardë lekë të ardhura e përkthyer në 25 milionë dollarë. Ka një kontraditë shumë të thellë mes të ardhurave që ky Tv ka dhe produktit final që prodhon dhe shikueshmërisë për opinionin publik, pasi, vit pas viti pas ‘90-ës, torta e shikueshmërisë së RTSH ka ardhur gjithmonë duke u rudhur sa ka zbritur nën 10 % sot. Kriza e drejtimit në tre vitet e fundit na detyroi ne si përfaqësues të mazhorancës për ta ndryshuar këtë ligj”(http://ëëë.gazetatema.net/ëeb/2016/04/20/zululand-alfred-peza-duhet-te-zgjidhet-urgjent-drejtori-i-rtsh-ka-degraduar-keto-tre-vite/).
Ligji ka ndryshuar për çështjen e drejtimit meqë votimi në Këshillin Drejtues u bllokua, por deputeti në fjalë nuk thotë se çfarë do të bëhet për ndryshimin e këtij televizioni, i cili tashmë duket se ka dalë nga zhegu i gjatë i lajmeve demode me kryeministra që bëjnë çudira dhe po i drejtohet dixhitalizimit. Ka interes publik që të flitet për ndryshimin e këtij televizioni, që quhet publik, e të cilin kryeministri i vendit, i cili na mori vitin e kaluar 25 miliardë lekë e ja nisi këtij televizioni(siç thotë deputeti), as nuk e sheh fare. Kështu deklaroi të paktën para disa kohësh në një intervistë dhe shpresojmë se nuk e ka bërë këtë nga frika se mos binte në sy si Demode.
Të mos flasësh për ndryshimin e domosdoshëm e këtij institucioni, më së paku dëshmon paaftësi. Dhe kjo paaftësi për të zgjidhur një punë të vetme ashtu siç duhet, është targa historike e kësaj qeverie, e cila përpara se të lidhë kokën për punë drejtorësh, do të ishte mirë që të spërkaste me pak “rilindje”, çezariane po qe nevoja, edhe këtë karakatinën RTSH. Për t'ia kthyer atë publikut meqë e paguan, ose po qe se jo ta integronte në treg dhe aty të provohej.
Qeveria, meqenëse na ka premtuar rilindje, do të duhet të paktën të na sqaronte për qëllimin pse mbahet ende një institucion i tillë në këmbë, për çfarë shërben dhe çfarë vlere ka. Televizioni, edhe kur ai është publik apo shtetëror, nuk është shërbim i detyrueshëm apo i domosdoshëm për njerëzit. Ai bën pjesë tëk ofertat që i bëhen qytetarëve dhe kundrejt ofertës ka një kundërpërgjigje që vjen sipas vlerësimit dhe vullnetit të klientit. Por kur paratë për këtë gjë të paemër për nga funksionet në raport me kohën, i merr tinëz përmes faturës së dritave, atëherë kjo është njësoj sikur t'u kërkosh njerëzve të paguajnë pafundësisht një pacient, të cilin në vend që mjeku ta shërojë, e dozon pafundësisht me arsenik.
Të flasësh për RTSH-në sot, kur ka edhe kritika nga OSBE-ja për situatën e tij duhet shumë seriozitet, edhe sepse me të majtët në pushtet, duhet ta pranojmë që 100 lekë(të reja) janë 100 lekë. Pra nuk janë Pak. E megjithatë e mira e të gjithëve e do që RTSH-ja të ndryshojë dhe të bëhet vërtet diçka përtej llafeve që janë thënë përherë. Përmbajtja nëse është e mundur, por nëse jo, modeli i menaxhimit.
Add new comment