Topalli falenderon Berishën, ngre dyshime nëse Basha do çonte në arrestimin e Shullazit
Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike u dominua nga diskutimet për arrestimin e Emiljano Shullazit dhe qëndrimin që do të mbajë opozita lidhur me këtë çështje. Përtej deklaratave zyrtare që u përcollën nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhje mësohet të jenë ngritur pikëpyetje lidhur me qëndrimin që ka mbajtur opozita, para denoncimeve të bëra nga ish-kryeministri Berisha. Ish-kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli mësohet të ketë vlerësuar ish kryeministrin për denoncimet e bëra publikisht që çuan sipas saj në arrestimin e Emiljano Shullazit, duke i drejtuar Bashës pyetjen se çfarë do të kishte ndodhur nëse Berisha nuk do kishte folur. Burime pranë grupit demokrat thanë për Respublica se ish-nënkryetarja e kuvendit hodhi dyshime për heshtjen e mbajtur nga Partia Demokratike. Pas mbledhjes kryetari Basha kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, pasi sipas tij është pengesë për hetimet. “Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në këmbë dhe po bëjnë gjithçka që Shullazi të mos thotë ato që di për këta të dy.Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në zi dhe në këmbë për të ndalur, sabotuar këtë hetim.”-deklaroi Basha.
Add new comment