Amerikanët 'pasojnë' gjermanët: Klimë e keqe biznesi në Shqipëri
Pas vërejtjeve të Dhomës Gjermane të Tregëtisë edhe Dhoma Amerikane e Tregëtisë ka përsëritur thuajse të njëjtën gjë. Presidenti i saj, Marc Crowford, ka deklaruar sot se ikja e kompanive të naftës që operojnë në Shqipëri, disa prej të cilave po shesin kontratat, nuk ka të bëjë me çmimet e ulëta, por me klimën e keqe të biznesit që është krijuar nga sjellja e autoriteteve dhe e Albpetrolit.
Kjo është një nga ato deklarata që i shpallin luftë qëndrimve zyrtare sipas të cilave punët ecin shumë mirë dhe se vështirësitë e krijuara janë refleks i reformave të dhimbshme. Qëndrimi i gjermnavëe dje dhe i Crowford sot, ecin përtej ankesës për një gjyqësor të korruptuar, çka do të ishte një alibi minimale për qeverinë. Aktualisht investitorët e huaj po flasin për mungesë serioziteti, politika jo shumë të qarta dhe administratë të dobët.
Këto janë ankesa që nëse shihen nga pasojat që prodhojnë në ekonomi mund të lexohen edhe si akuza. Paradoksi është se para një viti gati, qeveria miratoi një ligj të posaçëm për investimet në sektorë strategjikë, i cili në emër të thithjes së kapitaleve avanconte deri në kufijtë e të drejtës së pronës, duke ofruar kushte shumë të favorshme. Por asgjë nuk po ndodh. Përkundrazi, kontratat e atyre që operojnë në Shqipëri po shiten. Ndonëse kapitali qëndron këtu, mesazhet e dy dhomave të tregëtisë, meritojnë vëmendje, pasi qeveria shqiptare, vazhdon të sillet si e dyta në Europë, pas Gjermanisë, përderisa ende sot nuk ka një raport zyrtar se përse investimet nuk po vijnë dhe se përse amullia po bëhet thuajse e plotë.
Add new comment