Kujt i intereson izolimi i Bibliotekës Kombëtare?

Postuar në 13 Prill, 2016 15:24
Mag. Tomaž Seljak

Bibliotekat nuk mund të luajnë rolin e duhur, nëse funksioni i tyre nuk mbështetet në teknologjinë bashkëkohore të informacionit dhe të komunikimit. Bibliotekat kanë të drejtën e përdorimit të aplikacioneve të ndryshme dhe të drejtën e përdorimit të regjistrimeve bibliografike, të cilat janë krijuar nga bibliotekat e tjera. Aktualisht, përjashtim përbëjnë vetëm bibliotekat e Shqipërisë
Nga Mag. Tomaž Seljak

Për shoqërinë e informacionit, e cila mbështet zhvillimin e bazuar në dije, sistemet bibliotekare të informacionit janë një infrastrukturë shumë e rëndësishme, pa të cilën nuk mund të mendohet arsimi dhe kërkimi shkencor bashkëkohor, e as zhvillimi kulturor, teknologjik dhe ekonomik. Bibliotekat nuk mund të jenë të suksesshme nëse veprojnë si ishuj të izoluar, por ato duhet të lidhen midis tyre dhe të sigurojnë kushtet për dialog e bashkëpunim. Kjo siguron bazën më të mirë për zhvillimin e çdo vendi në veçanti dhe të bashkësisë ndërkombëtare në tërësi. Gjithashtu, bibliotekat nuk mund të luajnë rolin e duhur, nëse funksioni i tyre nuk mbështetet në teknologjinë bashkëkohore të informacionit dhe të komunikimit.

Në të gjitha shtetet, bibliotekat kombëtare janë institucionet më të rëndësishme bibliotekare, nga të cilat presin edhe bibliotekat e tjera, që të veprojnë të lidhura dhe të bëjnë përpjekje për zhvillimin e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit. Është e vërtetë, që janë të pakta shtetet që kanë pasur sukses në krijimin e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit me katalogimin e përbashkët. Zhvillimi i sistemeve kombëtare shpesh ka qenë i pamundur për shkak të automatizmit të pakoordinuar të bibliotekave me programe të ndryshme, dhe për arsye se bibliotekat u përkasin departamenteve të ndryshme të ministrive, të cilat nuk bashkëpunojnë midis tyre për planifikimin e zhvillimit të bibliotekave.

Në botë njihen dy qasje për automatizimin e bibliotekës:

Bibliotekat lidhen në sistemet dhe rrjetet bibliotekare të informacionit përmes rregullave unike për përpunimin e përbashkët të materialeve bibliotekare dhe shkëmbimin e regjistrimeve bibliografike. Duke paguar kuotën e anëtarësisë ato marrin në përdorim programin, i cili nuk mund të blihet (shembull: COBISS.Net, OCLC).

Bibliotekat blejnë programe më pak ose më shumë të përshtatshme (në tregun botëror ekzistojnë shumë ofrues të tillë) dhe funksionet e tyre shfrytëzohen në varësi të aftësive dhe interesit të bibliotekarëve, duke zgjedhur vetë rregullat për përpunimin e materialeve bibliotekare. Kontrolli mbi cilësinë e regjistrimeve bibliografike dhe shkëmbimet e regjistrimeve nuk janë të detyrueshme (shembull: Aleph, Adlib, Koha).

Bibliotekat në botën e zhvilluar kanë filluar para 30 vitesh të kërkojnë mundësi bashkëpunimi në ndërtimin e bazave të të dhënave dhe katalogëve të bibliotekave. Në të vërtetë, krijimi i regjistrimeve bibliografike për lloje të ndryshme të materialeve bibliotekare (libra, seriale, artikuj, materiale jolibra…) është një punë profesionale shumë komplekse, për të cilën bibliotekat duhet të kenë katalogues të kualifikuar, të cilët kanë përfunduar të paktën arsimin universitar, ndërsa krijimi i një regjistrimi bibliografik përafërsisht zgjat 40 minuta.

Përdorimi i teknologjisë kompjuterike ka mundësuar katalogimin e përbashkët, ku çdo njësi bibliografike katalogohet vetëm një herë, e më pas regjistrimi bibliografik në bazën e përbashkët të të dhënave është i disponueshëm për të gjithë pjesëmarrësit në sistemin e katalogimit të përbashkët. Kjo do të thotë, që bibliotekat, përkatësisht kataloguesit e tyre, nuk kanë nevojë të krijojnë regjistrimet bibliografike, të cilat janë krijuar më parë nga të tjerët, por ato thjesht i shkarkojnë në bazat e tyre lokale – katalogët e bibliotekave. Një bashkëpunim i tillë u sjell bibliotekave kursim të jashtëzakonshëm financiar dhe të kohës në përpunimin e materialeve bibliotekare dhe menaxhimin e katalogëve, ndërsa të dhënat për materialet bibliotekare të të gjitha bibliotekave pjesëmarrëse janë të disponueshme për përdoruesit në një vend të vetëm – në katalogun e përbashkët.

OCLC - Online Computer Library Center (Dublin, Ohajo, SHBA) ishte ndër ofruesit e parë të katalogimit të përbashkët, i cili sot mirëmban katalogun botëror WorldCat dhe bibliotekave u ofron një numër të madh të produkteve dhe shërbimeve. Bëhet fjalë për një organizatë jofitimprurëse (korporatë ndërkombëtare), e cila përfshin mbi 72.000 biblioteka nga më shumë se 170 shtete. Produktet dhe shërbimet e veta bibliotekave në Shqipëri OCLC i ka prezantuar në maj të vitit 2012 me rekomandimin "To WorldCat through COBISS.Net".

Rrjeti rajonal COBISS.Net

COBISS (Co-operative Online Bibliographic System and Services) është model organizativ i lidhjes së bibliotekave në sistemin kombëtar bibliotekar të informacionit dhe rrjetin rajonal COBISS.Net me katalogimin e përbashkët, bazën e përbashkët bibliografike të të dhënave (katalogun) COBIB, bazat lokale të bibliotekave pjesëmarrëse si edhe me menaxhimin e integruar të katalogëve të bibliotekave dhe bibliografive. Sistemi COBISS është projektuar në vitin 1987 nga Instituti i Shkencave të Informacionit (IZUM) në Maribor (Slloveni), të cilit në vitin 2011 UNESCO i ka dhënë statusin e qendrës rajonale për zhvillimin e sistemeve bibliotekare të informacionit dhe sistemeve të informacionit për veprimtaritë kërkimore.

COBISS.Net është qendër rajonale për sistemet bibliotekare të informacionit dhe sistemet e informacionit për veprimtarinë kërkimore të shteteve, bibliotekat e të cilave janë përcaktuar për bashkëpunim në përpunimin e materialit bibliotekar dhe për shkëmbimin pa pagesë të regjistrimeve. Në rrjetin COBISS.Net deri më 31.12.2015 janë përfshirë 782 biblioteka nga 7 shtete (Sllovenia – 445, Bosnja dhe Hercegovina – 65, Maqedonia – 42, Serbia – 171, Mali i Zi – 28, Bullgaria– 2 dhe Shqipëria – 29), ndërsa për bashkëpunim janë ftuar edhe bibliotekat në Kosovë dhe Kroaci.

Sistemet kombëtare bibliotekare të informacionit ndërtohen mbi platformën COBISS nga qendrat kombëtare COBISS dhe bibliotekat si anëtare të sistemit. Në Slloveni detyrën e qendrës kombëtare COBISS e kryen IZUM-i, ndërsa në shtetet e tjera ato janë njësi organizative të bibliotekave kombëtare, të cilave IZUM-i në bazë të kontratës u siguron:

know-how për organizimin dhe administrimin e sistemit bibliotekar të informacionit,

programin për automatizimin e funksioneve bibliotekare me ndërfaqe të përdoruesit në disa gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe, dhe

serverët për aplikacionet dhe shërbimet COBISS (sipas nevojës).

Përmes kontratës për anëtarësimin me të drejta të plota në sistemin kombëtar bibliotekar të informacionit, të cilën bibliotekat lidhin me Qendrën Kombëtare COBISS, ato detyrohen të respektojnë rregullat e funksionimit të sistemit dhe të paguajnë anëtarësinë vjetore nëse kjo nuk është e rregulluar ndryshe (në disa shtete shpenzimet për përdorimin e sistemit për bibliotekat i mbulon ministria përkatëse). Në bazë të kësaj, bibliotekat kanë të drejtën e përdorimit të programit COBISS për aplikacione të ndryshme dhe të drejtën e përdorimit të regjistrimeve bibliografike, të cilat janë krijuar nga bibliotekat e tjera. Aktualisht, përjashtim përbëjnë vetëm bibliotekat e Shqipërisë, për të cilat detyrat e Qendrës Kombëtare COBISS i kryen përkohësisht një grup i veçantë projekti në IZUM, ndërsa bibliotekat përmes një deklarate të posaçme janë të detyruara të respektojnë rregullat e funksionimit të sistemit COBISS.AL.

Në rrjetin rajonal COBISS.Net bibliotekave u mundësohet qasja në më shumë se 10 milionë regjistrime bibliografike, të cilat në procesin e katalogimit të përbashkët mund t'i shkarkojnë pa pagesë në bazat e tyre, duke shmangur shpenzimet e larta për krijimin e regjistrimeve origjinale bibliografike. Ndërmjet sistemeve kombëtare deri tani janë shkëmbyer mbi 540.000 regjistrime bibliografike (mbi 50.000 në vitin 2015). Duke pasur parasysh këtë, bibliotekat në shtetet, të cilat kanë ndërtuar sistemet kombëtare bibliotekare të informacionit, në vitin 2015 është dashur të krijojnë mesatarisht vetëm 25 % të regjistrimeve të reja bibliografike, ndërsa nga të tjerët kanë shkarkuar (kopjuar) 75 % të regjistrimeve, çfarë do të thotë kursim shumë i madh i kohës dhe shpenzimeve.

Shembull: bibliotekat e Sllovenisë në vitin 2015 kanë krijuar gjithsej 173.462 regjistrime, ndërsa në bazat e tyre lokale kanë shkarkuar 503.040 regjistrime (biblioteka kombëtare ka krijuar 20.639 regjistrime dhe nga të tjerët ka shkarkuar 16.384 regjistrime). Siç shihet përparësitë e katalogimit të përbashkët janë të pakontestueshme – bibliotekave pjesëmarrëse u nevojitet mesatarisht katër herë më pak kohë (ose burime njerëzore) për ndërtimin dhe plotësimin e bazave të tyre të të dhënave dhe katalogëve, se sa bibliotekave, të cilat e automatizojnë vetë veprimtarinë e tyre (të izoluara).

Në sistemet kombëtare të katalogimit të përbashkët bibliotekat kombëtare kanë rol të veçantë për shkak të detyrimeve ligjore për katalogimin e prodhimit kombëtar dhe bibliografive kombëtare. Përveç kësaj, kompetencë e tyre është edhe kualifikimi i punonjësve të bibliotekave (kataloguesve) dhe kontrolli i cilësisë së regjistrimeve bibliografike. Pa bibliotekat kombëtare është e pamundur të mendohen sistemet kombëtare bibliotekare.

Sistemi kombëtar bibliotekar COBISS.AL

Në qershor të vitit 2007 IZUM-i dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë nënshkruar Marrëveshjen për bashkëpunim në zhvillimin e infrastrukturës së informacionit për mbështetjen e veprimtarisë kërkimore dhe arsimit në Shqipëri, me të cilën përveç të tjerave është rënë dakord për bashkëpunim në themelimin e sistemit të informacionit për veprimtarinë kërkimore në Shqipëri si dhe në implementimin e sistemit COBISS për automatizimin e veprimtarisë dhe lidhjen e bibliotekave universitare të Shqipërisë në rrjetin COBISS.Net. Në prill të vitit 2010 Agjencia e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit (AKTI) dhe IZUM-i kanë nënshkruar Marrëveshjen për themelimin e sistemit të informacionit për veprimtarinë kërkimore në Shqipëri (E-CRIS.AL), ndërsa në maj të vitit 2012 Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe IZUM-i kanë nënshkruar Marrëveshjen për bashkëpunim në themelimin e sistemit kombëtar bibliotekar për vlerësimin e rezultateve të punës kërkimore në Shqipëri COBISS.AL.

Bazat bibliografike të të dhënave janë themeli i çdo sistemi të informacionit bibliotekar si edhe burimi i metadatave për depozita të ndryshme të dokumenteve të digjitalizuara.

Baza e përbashkët bibliografike e të dhënave COBIB.AL është krijuar në dhjetor të vitit 2012, nga shkarkimi dhe mbledhja e regjistrimeve bibliografike nga katalogu lokal i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga bazat e përbashkëta të të dhënave (katalogët) në rrjetin COBISS.Net, nga katalogu ndërkombëtar WorldCat, nga regjistri ndërkombëtar i ISSN-së dhe nga baza e të dhënave Web of Science (gjithsej 68.743 regjistrime bibliografike – kryesisht për vepra në gjuhën shqipe dhe vepra të kërkuesve shkencorë shqiptarë në gjuhë të huaja). Prej asaj kohe në COBISS.AL janë përfshirë 29 biblioteka të Shqipërisë (18 universitare e akademike, 3 speciale dhe 8 publike), kataloguesit e të cilave në COBIB.AL deri tani kanë kontribuar me më shumë se 23.400 regjistrime bibliografike (të krijuara ose të shkarkuara nga sistemet e shteteve të tjera). Ndër të fundit në sistemin COBISS.AL është përfshirë edhe Biblioteka e Kryeministrisë e Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht, disa biblioteka pavarësisht kualifikimit të kataloguesve nuk janë aktive, sepse presin vendimin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë për t'iu bashkuar projektit COBISS.Net. Me një vendim të tillë COBISS.AL do të merrte karakterin e sistemit kombëtar të informacionit bibliotekar të Shqipërisë. Pas gjithë kësaj është vështirë të kuptohet, që Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ende nuk i njeh përparësitë e katalogimit të përbashkët dhe për këtë arsye dyfishojnë shpenzimet e katalogimit paralel të njësive të njëjta bibliografike në sistemin COBISS.AL dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë.

Në mars të vitit 2006 Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka marrë ftesë për t'iu bashkuar projektit COBISS.Net, të cilën e kanë nënshkruar në Shkup drejtorët e bibliotekave kombëtare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë, Sllovenisë, Serbisë dhe Malit të Zi si edhe drejtori i IZUM-it. Ndërsa në maj të vitit 2006 ajo ka marrë edhe ftesën për nënshkrimin e Marrëveshjes për përfshirjen e bibliotekave të Shqipërisë në qarkullimin e lirë të regjistrimeve bibliografike në rrjetin COBISS.Net. Nuk ka pasur asnjë përgjigje!

Në dhjetor të vitit 2010 Shoqata e Bibliotekarëve të Shqipërisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe IZUM-i kanë organizuar konferencën me temë "Roli i bibliotekave në shoqërinë e dijes dhe informacionit" me mbi 100 pjesëmarrës. Në konferencë, mes tjerash, janë prezantuar përvojat e vendeve pjesëmarrëse me sistemin COBISS dhe përpjekjet e kaluara të pasuksesshme për të përfunduar një marrëveshje për bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Me këtë rast drejtorët e bibliotekave kombëtare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Sllovenisë dhe Serbisë, në shenjë të vullnetit të mirë kanë nënshkruar Marrëveshjen për përfshirjen e bibliotekave të Shqipërisë në qarkullimin e lirë të regjistrimeve bibliografike në rrjetin COBISS.Net, ndërsa takimi i planifikuar midis tyre dhe drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nuk është realizuar.

Në dhjetor të vitit 2015 IZUM-i i ka dërguar Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë ofertën zyrtare për përfshirjen e saj në COBISS.AL në tremujorin e parë të vitit 2016 dhe mbulimin e të gjitha shpenzime të lidhura me të nga fondi për ndihmë në zhvillimin e bibliotekave në rrjetin COBISS.Net. Nuk ka pasur asnjë përgjigje!

Ndihma ndërkombëtare për zhvillimin e bibliotekave shqiptare

Qeveria e Republikës së Sllovenisë dhe IZUM-i nga viti 2006 e në vazhdim kanë financuar programe të ndryshme për zhvillimin e bibliotekave në Shqipëri me një vlerë totale rreth 500.000 EUR, përkatësisht:

bashkëfinancimin e shpenzimeve të udhëtimit për më shumë se 200 punonjës të bibliotekave dhe përfaqësues të universiteteve dhe ministrive për pjesëmarrje në konferencat COBISS në Maribor si dhe në konferencat dhe workshopet në Tiranë;

blerjen e pajisjeve më të nevojshme kompjuterike (PC, printerë) më shumë se 30 bibliotekave dhe rregullimin e instalimeve (LAN) në disa biblioteka;

blerjen e literaturës për 10 biblioteka publike dhe një biblioteke fakulteti;

pagesën e licencës për qasje në bazat e huaja të të dhënave dhe shërbimeve – projekti ERA;

përkthimin në gjuhën shqipe të standardeve ndërkombëtare të ISBD-së si edhe manualeve dhe ndërfaqeve të përdoruesit të aplikacioneve COBISS;

aftësimin dyvjeçar të instruktoreve për katalogimin e përbashkët dhe aplikacionet COBISS në Maribor;

bashkëfinancimin e studimeve pasuniversitare të bibliotekonomisë në Universitetin e Lubjanës për 15 punonjës të bibliotekave dhe

kualifikimin e kataloguesve për katalogimin e përbashkët (54 katalogues nga 29 biblioteka).

IZUM-i, i cili është nën mbikëqyrjen e UNESCO-s në marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme për Arsim dhe Kulturë të Komisionit Evropian në qershor të vitit 2015 ka përgatitur propozimin për financimin e projektit "COBISS.Net – Mbështetje për zhvillimin e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i tyre në hapësirën e përbashkët arsimore, kërkimore dhe kulturore të BE-së (2015–2018)" nga fondi evropian – programi IPA. Nuk bëhet fjalë për aplikim në një konkurs, por për mundësinë e financimit të projektit nga fondi evropian në bazë marrëveshjes së konsensusit politik me shtetet përfituese, të cilat pranojnë ndihmën. Ekzistojnë mundësi reale, që projekti të përkrahet financiarisht nga institucionet përkatëse evropiane dhe shpresojmë, që institucionet përgjegjëse të Republikës së Shqipërisë të përkrahin këtë propozim.

Autori është koordinator i projektit COBISS.Net. Deri në vitin 2011 ka qenë drejtor i IZUM-it.

Maribor, Slloveni

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.