Skandali me kompanitë offshore, Berisha sqaron pozicionin e tij
Pas shpërthimit të skandalit "Letrat Panameze" në disa media u përfol emri i biznesmenit Ismail Mulleti dhe koncesionit të markimit të karburantit si të përfshirë në të. Koncesioni është firmosur në fund të qeverisjes së PD-së dhe këtu implikohet një përgjegjësi e ish-kryeministrit Sali Berisha që në një intervistë për Top-Channel ka dhënë këtë sqarim:
TCH: Keni patur dijeni se zoti Mulleti është pas Global Fluid International që ka marrë koncesionin e markimit të karburanteve gjatë qeverisjes tuaj, në mars të 2013?
Sali Berisha, ish-kryeministër: Kjo kontratë u firmos me kompaninë kanadeze Global Fluid International dhe një ortak izraelit dhe Gjykata Kushtetuese i ka dhënë kontratës fuqi kushtetuese dhe nëse Global Fluid e ka pranuar këtë kompani, është puna e saj.
TCH: Sot zotëron të gjithë koncesionet, 99 përqind Petrolium Consulting Partners.
Sali Berisha: Po, markimi është kontraktuar.
TCH: Ne po gjurmojmë Ismail Mulletin nëse paraprakisht PD ka patur dijeni për shkak të lidhjeve të hershme me Ismail Mulletin, për lidhje të tij me këtë kompani?
Sali Berisha: Absolutisht asgjë! Ismail Mulleti në dijeninë time nuk ka ekzistuar si aksioner kur Global kishte 75 përqind dhe gjëja më korruptive që mund të bëjë një qeveri është t’u përcaktojë ortakët të huajve. Kurrë nuk është bërë dhe nuk mund të bëhej nga unë. Që në momentin që sugjerohet një ortak, sugjerohet një interes.
TCH: Pra çdo gjë që do të dëgjojmë dhe do të flitet në media, nga kundërshtarët tuaj ndoshta, është e pavërtetë? Ju nuk keni asnjë lidhje me këtë person?
Sali Berisha: Trillim fund e krye. Me kompaninë zero, zero.
TCH: Për pasuritë “offshore”…
Sali Berisha: Çdo gjë që gjendet offshore, jo vetëm nga unë, por edhe nga fëmijët e mi është e Sali Berishës, kurrë! Kjo nuk mund të ndodhë.
TCH: Për ministrat s’mund të merrni përgjegjësi?
Sali Berisha: Marr ato përgjegjësi që më takojnë sepse mund të them që edhe për këta nuk mbaj përgjegjësi, por ne kemi standardet tona si familje dhe nuk shkelen asnjëherë.
Add new comment