Ditmiri mes Shqipërisë dhe Greqisë
“Nuk ndihemi të kërcënuar nga një luftë me Greqinë, jemi aleatë të NATO-s, por regjimi juridik i luftës nga Greqia për Shqipërinë ka dhe efekte të pastra ligjore, siç janë pronat e shqiptarëve që në bazë të ligjit të luftës i mban ato në sekuestro konservative. Ka ligj lufte, por jo gjendje lufte. Nga këtu duhet nisur zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve me Greqinë”, tha Bushati dje gjatë raportimit në komisionin e Jashtëm.
Për ministrin e Jashtëm rrëzimi i marrëveshjes së detit me Greqinë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, çoi në një ftohje të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Greqia nuk ka avancuar me ratifikimin në Parlament të një marrëveshjeje që nuk ekziston në fakt, por, nga ana tjetër, ka mbyllur derën në frontin ndërkombëtar duke bërë të gjitha lëvizjet e mundshme në institucionet ndërkombëtare për të ngushtuar sa më shumë mundësinë që një çështje e tillë të zgjidhet në arbitrazhin ndërkombëtar. Nuk bëhet fjalë për negociata, bëhet fjalë për bisedime eksploratore për të parë mundësinë se si mund të shkohet në një marrëveshje të re me Greqinë”, tha Bushati.
Ministri i Jashtëm tha se “ka një evoluim se si mund të trajtohet çështja çame. Ka nisur si çështje pronësie për t’u futur në një kuadër që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe praktikat ndërkombëtare në këtë drejtim". Në lidhje me varrezat greke, ministri tha se qeveria do ta zbatojë atë, por duke shmangun sensibilitetet që krijohen prej tyre.
Add new comment