Plani sekret i PS-së për të shpëtuar Strazimirin nga arrestimi
Pas lajmeve të tipit “Strazimiri drejt burgut” dhe kallëzimit penal për të nga PS-ja, një ekip i ngushtë drejtues i kësaj të fundit është mbledhur me urgjencë dhe ka vendosur komunikim direkt me Lulzim Bashën.
Arsye është shmangia e arrestimit të Strazimirit, deputetit i dyshuar se mbante një armë gjatë protestës te Parku i Liqenit, pasi kjo do të konsumonte mendimin që po ngjizet se reforma në drejtësi do të çojë në pranga Doktorin, qoftë edhe për një ditë, pasi...arrestimi i një deputeti është arrestim i një deputeti. Dhe nuk mund të digjet momentumi për një arsye kaq banale.
Ekipi i PS-së propozoi këto mënyra, të gjitha të lidhura pazgjidhshmërisht me largimin e Strazimirit:
- Strazimiri strehohet në Lezhë tek Arben Ndoka, ish-deputeti që u konfrontua me të, pasi askush nuk do të dyshonte.
- Strazimiri grimohet me kujdes që të ngjajë si Eduart Ndoca, deputeti socialist që thirret si "Kaubojsi", meqenëse të dy mbajnë kapele të ngjashme dhe kanë pak a shumë një gjatësi. Këtu do të vihen në punë edhe mediat, që do ta fotografojnë Strazimirin e ndryshuar, duke peshkuar në Kune dhe do të japin lajmin sensacional: “Zbulohet “vëllai” binjak i Kaubojsit”. Ky mandej do të shkojë ta takojë dhe do dalin foto, ku mund edhe të thotë: “Të gjithë lezhjanët e mirë ngjajnë si unë”.
- Mënyra e tretë është largimi nga Shqipëria. Meqenëse pamja fizike e deputetit demokrat nuk është e zakonshme, u propozua që të propozohet modeli i ndjekur nga shoku Gramoz, kur pasi u shpall kërkimi për të në kohën e qeverisjes së PD-së, u vesh si grua dhe kaloi kufirin me Greqinë. Ky propozim iu bë Bashës verbalisht, pasi duhet shmangur gjurma se edhe socialistët e besojnë se shoku Gramoz u vesh dikur si grua.
Propozimi është tepër konfidencial dhe parashikon një rast përjashtimor që është ndërhyrja e ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili meqenëse e ndoqi procesin e dekriminalizimit nga një incident i Strazimirit, mund të dalë e të deklarojë: “Je suis Genti”. Ose “Unë nuk kam frikë nga Genti”. Dhe atëherë çdo gjë do të neutralizohej me heshtje.
Rasti i dytë, që e bën çështjen urgjente është, hyrja në lojë e Baba Takut. Kjo do të ishte mina e të gjithë procesit, pasi siç u shpreh në takim një drejtues i vjetër i PS-së, “Spartaku do bindë Llallën me argumente të shohë aty ku duhet”.
Shaptilografisti
Comments
Gjenerali u zu rob vertete
Gjenerali u zu rob vertete.Tani eshte vone te vishet si grua.Nje gabim i vogel e mori me qafe.Sikur ta kishte futur pis-qollen nga perpara,nuk do ja kishin zbuluar.
Add new comment