A duhet një Byro me defekt që në "Lindje"?

Postuar në 09 Mars, 2016 12:50
Petrit Zambaku*

Ka mbetur pak kohë që të mbushen tre vjet nga dita kur u tha se nisi puna për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, por edhe pse ka kaluar kaq shumë kohë, BKH nuk është krijuar ende, madje procesi është rikthyer në pikën fillestare! Kjo e ka zbehur shumë besimin dhe pritshmërinë e qytetarëve dhe jo vetëm, tek kjo strukturë që u ideua dhe propagandua si “arma” efikase për të luftuar korrupsionin që zhvillojnë zyrtarët e lartë të administratës shtetërore. Tani interesi për BKH ka rënë, aq sa nuk ka më ndjeshmërinë se do të krijohet, apo jo!

Megjithëse Ministria e Brendshme është kujdesur vazhdimisht të publikojë lajme optimiste për krijimin e BKH, mendoj se ky optimizëm ka rënë përballë rekomandimit të Komisionit të Venecias, përballë qëndrimit të ministrit të Drejtësisë dhe të kreut të Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Tani situata është komplikuar më shumë, kur kemi një ligj për BKH të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, kur kemi një Projektligj të sapomiratuar nga qeveria, që pritet të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, kur kemi një debat të gjerë politik, publik dhe juridik, nëse BKH duhet të jetë nën vartësinë e Policisë së Shtetit apo të Prokurorisë së Përgjithshme, kur kemi një rekomandim të Komisionit të Venecias dhe çfarë është më e rëndësishme, kur i është mëshuar fort idesë se krijimin e BKH e kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këto kushte, opinionet dhe rekomandimet e tyre janë referenca më e vlefshme për të kuptuar atë që po ndodh me BKH, ndaj le t’i analizojmë me radhë.

Komisioni i Venecias rekomandon që Njësia Hetimore Antikorrupsion, e njohur si Byroja Kombëtare e Hetimit, duhet të jetë pjesë e sistemit të Prokurorisë dhe nuk mund të ketë asnjë varësi tjetër përveç prokurorisë. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, përpara gazetarëve. Mendoj se këto qëndrime janë korrekt në kontekstin kushtetues, por gjithashtu mendoj se BKH nuk duhej lidhur me reformën në drejtësi dhe se nuk ishte e nevojshme të priteshin rekomandimet e Komisionit të Venecias për të krijuar një strukturë të veçantë brenda Prokurorisë së Përgjithshme që lufton korrupsionin, sepse kjo strukturë ekziston në Prokurorinë e Përgjithshme me emrin Prokurori e Krimeve të Rënda. Nevoja për ta ristrukturuar dëshmon se ajo ka dështuar, por edhe ndryshimi i emrit nuk bën që ajo të ndryshojë situatën e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Nëse krijohet, sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias, ajo do të mbetet e gjymtuar, sepse krahasuar me FBI (që është zgjedhur si model), do t’i mungojnë strukturat e specializuara të Policisë që punojnë për mbledhjen e informacionit e që përbëjnë një komponent shumë të rëndësishëm të saj.

Ndërsa z. Xhafaj, në një intervistë televizive (23 shkurt 2016) tha se, Byroja Kombëtare e Hetimit nuk është projekt i ndërkombëtarëve, por i qeverisë, se autorët e këtij drafti janë ekspertët e Ministrisë së Brendshme, të asistuar nga ekspertët e OPDAT që kanë dhënë dakordësinë dhe se kjo strukturë duhet të përputhet me Kodin e Procedurës Penale, i cili është duke u hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë me ekspertët ndërkombëtarë.

Argumenti që BKH nuk është projekt i ndërkombëtarëve, por i qeverisë shqiptare është plotësisht i kuptueshëm. Nuk kishte si të ndodhte që ndërkombëtarët, apo specifikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës të projektonin për të krijuar në Shqipëri një strukturë të ngjashme me FBI, projekt ky që rezulton të ketë shumë të meta. Ato e dinë më mirë se kushdo tjetër se FBI është një institucion shumë kompleks që ka në bazë; struktura të specializuara policore dhe të prokurorisë. Në SHBA ky strukturim është i mundur për shkak të organizimit shtetëror që ato kanë, sepse Prokuroria është pjesë e Departamentit të Drejtësisë dhe rrjedhimisht varet nga Presidenti i SHBA, që është njëkohësisht dhe drejtues i ekzekutivit, nga ku varet dhe FBI. Mirëpo në Shqipëri kjo është e pamundur, sepse Prokuroria është institucion i pavarur kushtetues, ndaj nuk mund të vendoset nën pushtetin ekzekutiv.

Lidhur me argumentin se autorët e këtij drafti janë ekspertët e Ministrisë së Brendshme, mendoj se pikërisht këtu qëndron problemi më i madh. Ministria e Brendshme e ka trajtuar këtë çështje që në fillim si pronë të saj, pa kuptuar, ose pa dashur të kuptojë se ajo ishte jashtë aftësive dhe mundësive të saj. Nëse në këtë proces do të ishin angazhuar dhe ekspertë të tjerë të fushës, nuk do të ishte krijuar gjithë ky debat i kotë dhe nuk do të ishte humbur kaq shumë kohë, aq sa kësaj situate do t’i shkonte për shtat thënia napolitane, për stërzgjatjen e punimeve në metronë e Romës; More këta po e bëjnë, apo e kërkojnë?

Por tej humorit e keqja vazhdon, sepse kështu po ndodh dhe me draftin e fundit të përgatitur prej tyre i kthyer në projektligj nga qeveria më 10 shkurt 2016. Kjo tregon se, pavarësisht mbështetjes që ato patën nga ekspertët e OPDAT, për të tejkaluar defektet e ligjit që rrëzoi Gjykata Kushtetuese, përsëri kanë prodhuar një draft me të meta. Strukturimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit brenda Policisë së Shtetit, ku do të atashohen dhe prokurorë me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm (dhe vetëm nën varësinë e tij), nuk e tejkalon kontradiktën, sepse Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të detyrohet të atashojë punonjësit e tij në institucione të tjera. Por edhe sikur ta mendojmë për një çast se BKH mund të krijohet siç e parashikon projektligji me vartësi dyfishe, përsëri do të kemi një strukturë defektoze, sepse vartësia dyfishe shumë shpejt do të kthehej në pengesë dhe do të sillte kontradikta të pazgjidhshme ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Në këto rrethana vlerësoj se nuk është e nevojshme të krijohet një strukturë e re me pritshmëri kaq të madhe ndaj saj, me defekt që në “lindje”! Për ilustrim kujtojmë këtu se në Shqipëri janë krijuar pa fund struktura të ngjashme, të quajtura Task-Forcë (ndërmjet Prokurorisë, Ministrisë së Brendshme, Shërbimit Informativ Shtetëror, etj., etj. por dhe brenda përbrenda të njëjtit institucion), që kanë rezultuar të dështuara. I ngjashëm është dhe rasti i SHISH, i katandisur si mos më keq, për shkak të varësisë dyfishe nga Presidenti i Republikës dhe nga Kryeministri, për të cilin mendoj se duhet përfshirë në ndryshimet kushtetuese që priten të bëhen.

Një arsye tjetër është se në thelb nuk do të kishim ndonjë ndryshim nga strukturat aktuale të Policisë së Shtetit të angazhuara në luftën kundër korrupsionit. Ndryshimi i vetëm do të ishte tek emri që; nga Drejtori e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit do të quhet BKH.

Prandaj në kushtet kur krijimi i BKH gjendet në ngërç dhe rrjedhimisht nuk mund të priten përmirësime në luftën kundër korrupsionit, jo për shkak të mungesës së institucioneve, por të angazhimit të tyre, mendoj që “Byroja Shqiptare” duhet krijuar duke i reformuar ato. Për këtë rekomandoj që BKH të konceptohet si një Agjenci e Inteligjencës (Policore) për Sigurinë e Brendshme, me atribute informative dhe procedurale (të Policisë Gjyqësore), si pjesë strukturore e Ministrisë së Brendshme. Në përbërje të kësaj strukture të vendosen: Drejtoria e Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit, një pjesë e Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Brendshme, strukturat informative të luftës kundër krimit të organizuar të SHISH, pjesë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje, disa struktura të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe disa struktura informative të Ministrisë së Financave.

Krijimi i kësaj strukture hap më pas rrugën për reformimin e të gjithë shërbimeve informative e të sigurisë në Shqipëri, që mendoj se është shumë i nevojshëm për shkak të dështimit të tyre. Në këtë mënyrë krijohen kushtet që paralelisht me BKH krijohet dhe Agjencia e Inteligjencës për Sigurinë e Jashtme që duhet të jetë pjesë strukturore e Ministrisë së Mbrojtjes. Në përbërje të saj të vendosen; strukturat e SHISH që mbledhin informacion për kërcënimet që i vijnë Republikës së Shqipërisë nga jashtë dhe strukturat e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes që mbledhin informacion për kërcënimet që mund t’u vijnë Forcave të Armatosura nga jashtë Shqipërisë. Ky reformim sjell mjaft përfitime ndër të cilët më të rëndësishmit janë; përqendron në një institucion të vetëm përgjegjësinë e punës informativo-procedurale në luftën kundër krimit. Mundëson analizë më të shpejtë dhe më të plotë të situatave kriminale, duke ndihmuar institucionet e larta shtetërore për vendimmarrje më të shpejta. Ul kostot e shpenzimet administrative. Krijon mundësi për adresim të fondeve tek sektorët që përballen drejtpërdrejt me krimin. Mundëson krijimin e një arkive të vetme e të përbashkët, që lehtëson administrimin e dokumentacionit dhe krijon mundësi për shfrytëzim më të mirë të tij në luftën kundër krimit. Mundëson krijimin e një qendre të vetme arsimore që përzgjedh dhe përgatit punonjës me nivel të lartë profesional. Mbrohet më mirë dokumentacioni i klasifikuar, nga ekspozimi i paautorizuar. Përmirësohet ndjeshëm mbikëqyrja e shërbimeve informative nga ekzekutivi, etj.

Duke përfunduar rekomandoj të bëhet kujdes dhe të mos krijojmë struktura me të meta, sepse më pas mund të gjendemi në situatën e udhëtarit në shkretëtirë, që kur po e linin fuqitë iu lut Zotit t’i dërgonte një kalë, por kur Zoti i dërgoi një pelë, por duke lindur, atij ju desh të mbante në kurriz dhe të porsalindurin!

*Drejtor i Institutit për Sigurinë dhe Kontrollin Demokratik

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.