Lista “Lu” dhe një përpjekje për të banalizuar angazhimin amerikan për reformën në drejtësi

Postuar në 03 Mars, 2016 15:26

Ambasadori amerikan Donald Lu ka shpenzuar dhe “armën e fundit” në kuadër të reformës në drejtësi. Duke parë se Venecia “hodhi” një raport mbi të cilin po luhet dhe kur dekriminalizimi i “pamundur” për një palë, po relativizon procesin, ka dalë me një deklaratë: Lu tha se SHBA do t’u refuzojë vizat gjyqtarëve të korruptuar.

Mirëpo ky është një problem që ligjërisht SHBA e ka të zgjidhur: harton listën në bazë të të dhënave që ka përmes ambasadës, i klasifikon aty të gjithë dhe refuzon vizën.

Po Shqipëria çfarë mund të bëjë në këtë kuadër? E vështirë të thuhet, por ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i LSI-së, ka dalë me një ofertë që befason: “Përshëndetjet më të mira për Ambasadën Amerikane për këtë ndihmë të jashtëzakonshme që po na jep në këtë proces. Si ministër jam i gatshëm të çel menjëherë procedurën e shkarkimit për çdo gjyqtar apo prokuror që ndodhet në listat e kësaj natyre”, deklaroi Manjani, duke shtuar se do të kërkojë informacione nga Ambasada Amerikane(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=320914#k4).

Mund të pyetet këtu se mbi çfarë ligji ministri do të hapë procedurën e shkarkimit të një gjyqtari që nga SHBA klasifikohet në listën e të korruptuarit? Ministri duhet të sqarojë këtë moment, pasi përndryshe këto ngjajnë si shashka propagadistike. Një gjyqtar apo prokuror, sado qoftë i korruptuar, e di shumë mirë që shkarkimi nuk mund të bëhet bazuar në opinione ambasadash. Këtë e di edhe Manjani shumë mirë.

 Është lojë politike jo e pastër dhe që pak i hyn në llogari qytetarëve, pasi ka disa raste të ngjashme të verifikuara në Parlament, ku LSI-ja dhe Ilir Meta mund të tregonin se janë vërtet kundër korrupsionit dhe pastrimit. Kur u arrestua Tom Doshi, Mark Frroku, Armando Prenga si dhe kur u kërkua largimi i Arben Ndokës nga Kuvendi, ambasa amerikane doli hapur me deklaratë se “mbështeste arrestimin e deputetëve në fjalë”, sikurse para zgjedhjeve lokale, u fol hapur për kandidatë të inkriminuar. Përse LSI-ja dhe Manjani asokohe nuk dolën me qëndrim të ngjashëm edhe për deputetët, apo kandidatët? Kjo kuptohet qartë, pasi në ato kohë kryetari i LSI-së, partisë së Manjanit, ishte në hall të madh.

Kjo e sotmja nuk lidhet me ndonjë tifo emocionale të ministrit: me gjasë ajo është një përpjekje për të banalizuar një proces ku SHBA po ofrojnë ndihmë. Pasi një gjyqtar që shkarkohet në këtë mënyrë, me siguri që do ta fitojë procesin gjyqësor. Por deri atëherë disa koka janë bërë kurban duke e mbyllur de facto procesin.

Nga ana tjetër, Manjani bën një autogol këtu kur kërkon nga SHBA informacione: a nuk ishte ky ministër që këmbëngulte për formulën kroate të Byrosë së Hetimit, pra që ajo të qëndrojë nën ombrellën e Prokurorisë? Pse kjo prokuori atëherë nuk ka lëvizur as gishtin t’i japë ministrit në fjalë qoftë edhe një informacion të vetëm?

E njëjta mund të thuhet edhe për socialistët në qeverisje: kryeministri foli për korporatë gjyqtarësh dhe tërmete. Koha iku dhe deklaratës i mbeti vetëm data. Përpjekja e të gjitha palëve për të goditur duke përdorur dorashka amerikane është për rrjedhojë prova më e mirë se asnjë prej atyre që janë aty lart nuk dëshiron hapjen e një procesi arrestimesh. Më mirë se ambasada të korruptuarit i njeh Berisha, Meta dhe Edi Rama. Pasi janë këta që ekzistojnë duke shitur shantazhin gjatë gjithë kohës. 

Comments

Submitted by Bulqizaku me mend (not verified) on

Kur flet Manjani, dijeni se asgje nuk behet, mbasi per cdo gje ja fut, si KAU PELES.
Eshte njeriu me i pa afte juridikisht qe kane vene per minister drejtesie.
Po pse o rrumbullak, me nje deklarate ambasadori, apo ambasade, shkarkohet nje gjykates apo prokuror ?
Duhen prova, dhe per kete,per te filluar procesin e shkarkimit, ty si minister, te bie BARRA E PROVES, qe te mbeshtesesh AKUZEN per te shkarkuar tjetrin nga posti, dhe deklarimet e ambasadave, nuk perbejne prove, kete duhet ta dishe mire o zoti JURIST , aksidentalisht MINISTER.
Me nje fjale, ja ke fut kot plako.
Mjere ne, kush drejton ministrine e Drejtesise, dhe qe do te drejtoje Reformen ne Drejtesi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.