Ëndrra europiane brenda regjimit të Hoxhës
‘Ne kemi qenë si Europa’, deri në frakturën e shek. XV, është paradigmë e rrënjosur gjatë regjimit të Enver Hoxhës, që nuk e fsheh keqardhjen dhe nostalgjinë e mitit të përbashkët. Megjithëse diktatori vraponte në miqësi e vëllazëri – fizike, fiktive ose empati demagogjike – me çdo popull anti-imperial(l)ist anekënd botës, imagjinata (letërsia) e memoria (historia) apo muzika e veshja, e deri te dita festive e fundjavës dhe festa e fundvitit, u dominuan nga instalimet alla-frënga, rigorozisht të përpunuara e filtruara, aty ku nuk përputheshin plotësisht, sipas rregullave dhe emocioneve gjeometrike të regjimit. Dashuria e pakursyer për popullin vëlla vietnamez nuk u konvertua në imitime pa doganë. Prej andej vinin kopertona biçikletash, kurse letërsia erdhi me rreth 700 faqe në tërësi (1963-71), që janë përsëri shumë nëse krahasohen me dy librat e përkthyer gjatë regjimit e të konservuar në Bibliotekën Kombëtare nën siglën ‘letërsi arabe’, aq më tepër kur po aq tituj (në mos më pak) janë transportuar në shqip ato vite nga letërsia e pasur persiane. Edhe nëse u botuan, përsëri nuk qarkulluan pothuajse askund: i mban mend njeri autorët Bui Duc Ai dhe Fan Ti Nu Bang? Jehona në Shqipëri e Revolucionit kulturor kinez nuk solli – për të qëndruar te veshjet – zëvendësimin e alla-frënges me kostume kombëtare apo me veshje të ndonjë mode lokale, siç ndodhi në vendin e origjinës. Gjithashtu, muzika mbi të cilën regjimi investoi për ta shndërruar në dëfrim të kalibruar dhe propagandistik të vulgut ishte karikaturë e zhanrit musica leggera dhe e luajtur me instrumente ku nuk figuronin dajrja, kanuni, rababi, mizari, udi/barbati, tari, erhu, pipa, ruani, xiao etj., të përdorur masivisht nga vëllezërit e miqtë orientalë të regjimit. Kontributin kryesor në zbulimin e shpirtit të përbashkët europian e prodhoi historiografia, duke qenë disiplinë e afërt me memorien, dhe si e tillë më e kultivuara gjatë regjimit. Sakrifica për shpëtimin e Europës (mbrojtja nga ofensiva e ‘qytetërimit primitiv’), ngjashmëria me të në nivel kulturor (arti, humanizmi e deri feja), institucional, politik dhe ekonomik (feudalizmi), miqësia me popujt e saj, fatet e përbashkëta, përbëjnë disa nga toposet që ajo standardizoi dhe skaliti në memorien kolektive shqiptare, e mbi të cilat u zhvillua elegjia eurocentrike e pas Nëntëdhjetës. «Si të mos jetë prekës ky takim», shkruante Aleks Buda, «kur mendoj që do të takohemi me përfaqësuesit e popullit italian, mik dhe fqinj, këtu në Bari, në Pulje, në një vend që kaq lidhje të hershme e bashkojnë me atdheun tonë Shqipërinë». Një moment takimi është Rilindja italiane (Risorgimento), pasi aty «morën pjesë dhe italo-shqiptarët», dhe kjo, sipas regjisorit të historiografisë shqiptare, «përbën një nga faqet më të shkëlqyera të historisë shekullore të lidhjeve midis popujve dhe vendeve tona». Normalisht, marrëdhëniet paraqiten të krijuara mbi refuzimin e Orientit osman: «Populli shqiptar […] mbrojti së bashku me lirinë dhe pavarësinë e vet edhe brigjet tuaja, Italinë dhe kulturën e shkëlqyer të Rilindjes së saj». Buda përmend shkëmbimin kulturor mesjetar italo-shqiptar dhe e ilustron atë me artin kishtar: «nga portet e të dyja vendeve tona niseshin anije që transportonin mallra dhe elemente kulturore; në qytetet tona gjenden dhe sot gjurmë të artistëve tuaj, siç gjenden ato të artistëve tanë në kishat tuaja, si për shembull në bazilikën e mrekullueshme të San Nikolës». Në të njëjtat nota luan drejtuesi i Akademisë së Shkencave edhe në 1985, kur ndodhet i ftuar në Greqi: përsëri popuj miq, përsëri Skënderbejada si pikëbashkimi me fqinjët dhe me Perëndimin, gjë e cila detyrimisht prodhon refuzim të një Tjetri përherë e në çdo plan të shënjestruar gjatë propagandës kulturore, akademike e skolastike të regjimit. Bëhet fjalë për ekzaltimin e lidhjeve me popujt e jo me politikën. Natyrisht. E s’ka si të jetë ndryshe. Ndërsa për regjimin popujt politikisht aleatë ndodheshin në Orient e në gjeografinë afrikane, përzgjedhja e popujve kulturalisht aleatë orientohej nga Europa. Kësaj strategjie do t’i dhe duhej t’i shërbente edhe shpjegimi i historisë për nxënësit shkollorë. «Arbëria mbante lidhje me shumë vende të Evropës, por lidhjet më të ngushta qenë me Hungarinë, e cila ishte hedhur në luftë kundër turqve», sepse «lidhje mbaheshin edhe me shtetet e Italisë (Mbretërinë e Napolit, Papatin, Venedikun etj.), por qeveritarët e këtyre vendeve nuk e ndihmuan asnjëherë popullin tonë seriozisht», shkruajnë autorët e një libri për klasën e VIII (1973). «Populli i këtyre vendeve», vijojnë autorët, «mbante qëndrim krejt të kundërt: ai i mirëpriti fitoret e arbëreshëve dhe dërgoi vullnetarë në Arbëri për të luftuar përkrah tyre kundër turqve». Pra shtetet europiane ishin/janë armiqësore, por jo popujt dhe kultura e tyre. Sipas këtij interpretimi arbërit kishin lidhje thuajse ekskluzivisht me Perëndimin dhe marrëdhënia ishte e karakterit të gjithanshëm, përveç politikës, të cilës fragmenti nuk ia fsheh intrigën. Paragrafi shoqërohet edhe me një skemë ilustruese të gjeografisë së ‘lidhjeve të arbëreshëve me popujt e tjerë’ në shek. XV, ku nga 26 destinacione, “bllokut lindor” i përkasin 5 lidhje (Krakovë, Budapest, Beograd, Dubrovnik, Tërnovë), dhe nëse heqim lidhjet me Peloponezin, Kretën, Konjën e Kostandinopojën, pjesa e ngelur, gati 66% e lidhjeve të arbërve, shkon drejt Perëndimit, vetëm 1/26 në Azi (Konja) dhe 5/26 (pa Kostandinopojën) në Ballkan. Mbijetojnë paralelisht teza e miqësisë mes popujve dhe ajo e shpëtimit të Europës, e cila pasurohet nga orientimi perëndimor i arbërve, që vetëm nëse dy tezat gërshetohen – lidhja me Perëndimin e parë nga këndvështrimi klasor dhe kulturor – mund të mos konfliktojë me zgjedhjet politike të regjimit. Njeriu i ri mësohej ta refuzonte Tjetrin osman dhe trashëgiminë, njëkohësisht duke zbuluar rrënjët europiane, dhe nisur nga përçmimi i këtij Tjetri, nga prania sipërfaqësore e ideologjike/propagandistike e Orientit, kultura superiore dukej qartësisht e identifikuar. "Postbllok.com"
Add new comment