M. i Drejtësisë, Manjani: “Është herët të flasim për përplasje President –Qeveri. Kreu i shtetit është në afatin kushtetues për dekretet”
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, një ndër juristët e mirë që ka mazhoranca dhe Parlamenti, mendon se President i Republikës është në afatin e tij kushtetues lidhur me dekretimin e dy ministrave të rinj, Ahmetaj dhe Ikonomi. Duke folur në emisionin “45 minuta” në “Report Tv”, Manjani u shpreh se: “Nuk ka një mosdekretim. Ka një ushtrim të kompetencave kushtetuese nga ana e Presidentit. Ashtu siç ka dhe një ushtrim të përgjegjësive kushtetuese nga ana e Kryeministrit, i cili ka për detyrë substanciale marrjen me detyrat e qeverisjes dhe të përbërjes së qeverisë. Kështu që është herët të themi që ka një përplasje. Brenda 7 ditësh Presidenti i Republikës i duhet të dekretojë propozimet e Kryeministrit. Kjo është Kushtetuta dhe nuk kemi çfarë të diskutojmë më. Kjo është një procedurë kushtetuese që është zbatuar prej vitesh dhe ne nuk kemi arsye pse të paragjykojmë apo të krijojmë insinuata, të cilat mund të prishin punë më shumë se sa të ndreqin”. Lidhur me largimin e Shkëlqim Canit, ministry Manjani, që është përfaqësues i LSI-së, ka deklaruar se nuk është çështje që i takon: “Është gjykimi dhe vlerësimi i kryeministrit për punën tonë. Unë jam anëtar qeverie nuk bëj dot vlerësim as pozitiv dhe as negativ për kolegët e mi. Përpiqem të kontribuoj ashtu siç ka kontribuar deri më sot z. Cani, ashtu siç kontribuojnë edhe kolegët e mi dhe ju siguroj që kontribuojnë jo pak, me gjithë energjinë dhe pasionin e tyre”. Sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, deklaroi se presidenti mund të shkarkohet, nëse nuk do të dekretojë dy ministrat e rinj.
Add new comment