Informaliteti, a ka dështuar?

Postuar në 12 Shkurt, 2016 18:14
Bardhi Sejdarasi/Këshilltar i ministrit të Financave

Ndjeshmëria e lartë, jo vetëm e politikës, por sidomos e publikut lidhur me atë që në media është cilësuar si “operacioni antiinformalitet”, ka sjellë këndvështrime të ndryshme, komente dhe analiza të shumëllojta, por edhe pasaktësi në të dhëna, që nuk i referohen të dhënave zyrtare. Gjithsesi, duke iu larguar këndvështrimit të gjithkujt, ky shënim ka synimi të tregojë “kush ka bërë çfar딝 në një operacion që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe që tashmë është një reformë tërësore, që nuk përfshin vetëm terrenin, por sidomos një paketë të plotë ligjore, e cila kërkon të ndryshojë gjendjen ekzistuese të ekonomisë dhe të aktorëve kryesorë të saj.

Një vështrim për dukurinë

Sipas ekspertëve, por edhe dokumenteve zyrtare, Shqipëria hyn në grupin e vendeve me shkallë shumë të lartë informaliteti e, për pasojë, dhe evazioni fiskal. Shifrat e informalitetit shkojnë deri në 35- 55%, çka dëshmon se përpjekjet për reduktimin e këtij evazioni mund të japin efekte e rezultate të dukshme qoftë dhe në periudha afatshkurtra. Duke bërë një llogaritje të thjeshtë me një nivel informaliteti 40% rezulton se afërsisht 4 miliard euro PBB nuk i nënshtrohet sistemit fiskal dhe, në kushtet kur pretendojmë të mbledhim rreth 27-28% të PBB nga sistemi fiskal, atëherë rezulton se rezervat, apo pjesa e pambledhur e taksave dhe tatimeve nga sektori informal është gati 1.2 miliard euro në vit, gjë që konfirmohet edhe nga specialistët.

Ekonomia e zezë në këto nivele ka sjellë efektet negative kryesisht në dy drejtime. E para në nivelin e ulët në administrimit fiskal, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet e fundit në rajon për rendimentin e grumbullimit të tatimeve në raport me PBB (në vetëm nga 26,8 % për vitin 2015), nga 29 për qind që është mesatarja rajonale. E dyta lidhet me konkurrencën e pandershme, që janë duke krijuar bizneset që i shmangen taksave. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2014, të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën me 10% ose 24 miliardë lekë më shumë se viti 2013, nga të cilat 6.4 miliardë lekë u mblodhën nga lufta ndaj informalitetit.

Rreth 10 mijë biznese, të cilët operonin jashtë sistemit fiskal, u formalizuan. Bizneset evazore në administratën tatimore dhe doganore kishin sjellë një dëm te të ardhurat e buxhetit të shtetit prej 16.1 miliardë lekë.

Por nuk ishte e gjitha! Një strategji synoi që çdo biznes/individ të paguajë taksat që i takojnë shtetit të tij. Kjo strategji tashmë është në veprim!

Operacioni dhe shifrat

Nga data 1 Shtator 2015, ka filluar lufta ndaj informalitet, e cila ka sjellë formalizim të një pjesë të konsiderueshme të bizneseve dhe, në kuadër të fushatës për lëshimin e kuponit tatimor, është rritur ndjeshëm xhiro e tatueshme dhe deklarimi i punonjësve të rinj në skemë. Tatimi mbi vlerën e shtuar brenda vendit, ka pasur një performancë pozitive në rritjen e xhiros së tatueshme për muajt korrik, gusht dhe shtator 2015. Vetëm për muajin tetor 2015, të ardhurat nga TVSH janë rreth 500 milionë lekë më shumë se planifikimi.

Nëse do të hedhim një vështrim në vite, duke filluar nga vitit 2012 e në vijim dhe duke krahasuar të dhënat fakt/plan dhe në përqindje të planit, gjithnjë referuar tatimit mbi vlerën e shtuar, do të kemi pamjen e tabelës së mëposhtme:

Të dhënat i referohen periudhave respektive janar-tetor. Dhe janë një përgjigje edhe për pyetjen se a ka pasur rezultate nga operacioni anitinformalitet apo ka dështuar ky operacion. Shifrat flasin vetë!

Por ka një tjetër dukuri që vlen

Dhe kjo ka të bëjë me ndryshimin e përgjegjësisë tatimore të tatimpaguesit. Nga të dhënat e administratës tatimore, rezulton se operacioni ka sjellë ndryshimin e përgjegjësisë tatimore për 3.614 subjekte, afro gjysma e tyre tanimë kanë kaluar në biznes të vogël me TVSH, nga biznesi i vogël pa TVSH, pra kanë kaluar pragun e 5 milionëshit (apo 50 mijë dollarëve xhiro vjetore që përcakton edhe limitin midis biznesit me ose pa TVSH).

Po kështu 33% kanë kaluar nga biznesi i vogël me xhiro nën 2 milionë, në biznes i vogël me xhiro nga 2-5 milionë, 24% ose 877 subjekte (që deri dje figuronin biznes i vogël pasi fshihnin xhiron) kanë kaluar në biznes i madh, siç kanë rezultuar realisht edhe nga kontrollet. Operacioni antiinformalitet ka bërë që rreth 3 mijë subjekte, të cilat prej vitesh nuk paguanin tatimin mbi qiratë, kanë marrë tashmë përsipër përgjegjësinë tatimore dhe po derdhin rregullisht detyrimet.

Pse duhen njohur të dhënat e antiinformalitetit?

Edhe pse reformat, në përgjithësi nuk i japin rezultatet në afatshkurtër, duhet thënë se ky operacion ka shifra domethënëse. Kështu, të ardhurat në TVSH e brendshme për muajin shtator janë 101.6% ndërsa për muajin tetor janë 103.5 % (ose rreth 1150 milionë lekë për të dy muajt). Gjithashtu, të ardhurat shtesë nga fondet speciale për të dy muajt janë rreth 600 milionë lekë. Dhe ata që e kuptojnë togfjalëshin “fondet speciale” e dinë se nga vijnë këto të ardhura. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të operacionit antiinformalitet, vërehet se xhiroja totale, e regjistruar nga pajisjet standard, është rritur me 39%, krahasuar me një vit më parë. Numri i punonjësve të rinj të regjistruar e ka çuar numrin e përgjithshëm (krahasuar me shtator 2013) në 156 mijë persona. Numri i bizneseve të regjistruara për periudhën korrik-nëntor të këtij viti, është pesë herë më i madh se i gjithë viti 2014, ndërsa numri i bizneseve të regjistruara nga fillimi i vitit, është 36.866 ose 120% më shumë se totali i vitit 2014.

Një koment, që vjen natyrshëm nga analistët, ka të bëjë edhe me mbylljen e bizneseve, sipas komenteve, “për shkak të antiinformalitetit, etj. Por, shifrat zyrtare thonë se çregjistrime janë vetëm 3.371 subjekte ose 8,11% më pak se në 2014-n.

Sikurse e kam përmendur në median televizive, rezultati i parë i operacioni antiinformalitet ka identifikuar 16 biznese të mëdha, me qarkullim 150 milionë dollarë në vit, që kanë rezultuar me detyrime të pashlyera ndaj shtetit në masën 34 milionë dollarë.

Antiinformaliteti është në fillimet e tij. Ky operacion i rëndësishëm është shoqëruar me një paketë të plotë ligjore e nënligjore dhe, në ndërkohë, në buxhetin e vitit 2016 janë menduar rreth 14.5 miliardë lekë të ardhura shtesë nga lufta ndaj informalitetit. Qoftë vetëm këto shifra të para nuk të lejojnë të thuash se “antiinformalitetit ka dështuar”!

 

"Përqasje.com" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.