Asnjë revizionim

Postuar në 09 Shkurt, 2016 04:51

Nexhmije Hoxha, bashkëshorte dhe bashkëudhëtare politike e Enver Hoxhës,  ka dhënë për gazetaren Rudina Xhunga, një intervistë Lamtumire siç e ka cilësuar vetë. Materiali është i gjatë dhe përfshin aty aspekte personale të rinisë, jetës politike dhe marrëdhënieve intime me Enver Hoxhën. Intervista është rrethuar edhe me një lloj zhurme, thirrje morale etj., ndaj Xhungës dhe kundër Nexhmije Hoxhës. Duke lënë mënjanë këtë teatër, do theksuar se pyetjet për aspekte personale, bashkë me rrëfimin e Hoxhës, janë formale dhe tingëllojnë shumë të dëgjuara. Pra ato vështirë se paraqesin interes gazetaresk.

Në aspektin politik, që ka interes publik, mund të veçohen disa momente. Së pari ndalimi i fesë në Shqipëri, si një nga ngjarjet që shenjoi tërë shoqërinë. Nexhmije Hoxha thotë se nisma erdhi nga poshtë dhe se ajo thjesht u ratifikua Lart. “Pasi kishin filluar me fenë, Enveri bisedoi me Ramizin, si Sekretar i Sektorit Ideologjik, si t’i jepnin zgjidhje, si t’i kundërviheshin rinisë në këtë gjë. Në fund të fundit kishte një vlerë, ishte çështja e edukimit ateist dhe në fund vendosën që të aprovohej një gjë e tillë. Është tjetër gjë që baza shkoi vet në ekstrem. Megjithatë disa ambiente nuk u prishën, por u transferuan në ambiente kulturore. Urdhri që dha Enveri, që të mblidheshin të gjitha ikonat, dha mundësinë e krijimit të Muzeut të Ikonave në Korçë. Kur shkuam një herë në Korçë, ishte një kishë që nuk ishte prishur, por ishte bërë muze, megjithatë, që të mos dukej nga jashtë që ishte kishë, e kishin bërë me mure. Enveri i kritikoi ata”, thotë ajo.

Momenti i dytë është qëndrimi ndaj masave represive dhe vendimeve kapitale. Këtu Nexhmije Hoxha synon të ndajë Enver Hoxhën njeri nga Burrë Shteti, me mesazhin se disa vendime të vështira Duhet të merreshin, edhe pse nuk kishte dëshirë që t’i merrte:  “Enveri ishte Sekretar Partie në Presidium, nuk them se nuk ishte në dijeni për disa gjëra që bëheshin, por për mua janë shpifje, legjenda. Baza te ne ka qenë më konservatore, se ky kuadri që drejtonte vinte nga fshati, vinte nga lufta dhe niveli kulturor ishte i tillë. Më shumë stigmatizoheshin nga sektarizmi dhe konservatorizmi. Enveri jo. Unë e përmend gjithmonë një shprehje, “C’est la raison d’Etat, que même la raison ne comprend pas”, “Arsyet e shtetit, vetë arsyeja nuk i shpjegon dot”. Unë gjithmonë kështu e kam përfytyruar, që Enveri vendimet më të vështira, si ekzekutimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm, edhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte kalitur në këtë drejtim. Ai edhe me mua bisedonte për vendimet, por kishte raste që në moment e merrte vendimin. Këtë i vlerësonin shokët, se ata nuk ishin në gjendje, nuk kishin besim në vete”, vijon Hoxha, e cila e mbyll komunikimin publik me shqiptarët, me një mënyrë që i qëndron besnike atij imazhi dhe asaj paraqitjeje shumë të kontrolluar që kemi parë përherë:

“Do të doja të falënderoja, në këtë intervistë timen të fundit, të gjithë shokët, shoqet, bashkëpunëtorët e mi, miqtë dhe vëllezërit shqiptarë kudo që janë si dhe gjithë njerëzit e mirë në Shqipëri dhe në vendet mike. Lamtumirë”, e mbyll ajo(http://dritare.net/2016/02/08/lamtumira-e-nexhmije-hoxhesarsyet-e-shteti...). 

Siç shihet shkolla politike e para ’90-ës ndryshon shumë nga shkolla e sotme, nëse mund të flasim për një të tillë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.