Komisioni i Sigurisë rrëzon projektligjin e kamerave të Sigurisë. Votë kundër nga LSI-ja
Përveç vendimit për shkrirjen e Urgjencës së Tiranës, Lëvizja Socialiste për Integrim ka dalë kundër PS-së edhe për projektligjin e ri të kamerave të sigurisë. Ky projektligj është propozuar nga Ministria e Brendshme dhe kërkon vendosjen e kamerave në mjedise biznesi dhe banimi me synim rritjen e mundësive të monitorimit dhe parandalimit të akteve të ndryshme me rrezikshmëri. Sot, në Komisionin e Sigurisë, kryetari i saj, Spartak Braho, një nga drejtuesit e LSI-së, deklaroi se “ligji nuk do të miratohej deri sa të vinte një analizë e detajuar nga Ministria e Brendshme për çështjet e ngritura nga deputetët”. Edhe opozita ka patur vërejtje pasi e sheh nismën si në kundërshtim me ruajtjen e privatësisë. Projekti u ngarkon kosto financiare biznesneve pa shpjeguar mirë se si do të përmirësojë situatën e sigurisë(http://www.gazetadita.al/pezullohet-miratimi-i-prligjit-te-kamerave/).
Më herët përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur pikëpyetje mbi projektin, aftësitë dhe kapacitetet e policisë për të menaxhuar sisteme të tilla, apo edhe faktin se nuk ka një lidhje direkte mes pranisë së kamerave dhe zbulimit apo parandalimit të krimeve. Disa raste të bujshme në Shqipërië, qoftë edhe këto vitet e fundit e provojnë këtë gjë.
Vërejtje ka bërë për draftin edhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por Ministria e Brendshme është kundërpërgjigjur se “vërejtjet e komisionerit janë marrë parasysh në ripunimin e draftit”.
Një mesazh jo pa rëndësi është ai politik: vota kundër e LSI-së që e kthen kahun e mazhorancës në çast. Qëndrime të tilla rikonfirmojnë se bashkëjetesa brenda shumicës është në tension konstant dhe me gjasë synon të ngulisë perceptimin se nuk ka qeverisje dhe reforma pa konsensus.
Add new comment