Intervista/Prof.dr.Sotiraq Dhamo: "Sistemi i administrimit dhe grumbullimit të TVSH-së ka probleme të mëdha dhe duhet patjetër të përmirësohet"

Postuar në 30 Janar, 2016 15:31

 

Në një intervistë për revistën "Monitor", prof. dr. Sotiraq Dhamo, përgjegjës i Departamentit të Kontabilitetit, flet për vendimin e fundit të qeverisë për të vendosur partneritet në gjurmimin e TVSH-së.

 

Qeveria parashikon të japë me PPP sistemin e teknologjisë për të dhënat fiskale (TVSH) që duket se ka ardhur nga një propozim i pakërkuar. Cili është opinioni juaj? Po formën e saj për ta zhvilluar si Partneritet Publiko–Privat?

Nisma e qeverisë duket se e ka burimin në qëllimin e saj për të luftuar informalitetin në fushën e grumbullimit të TVSH-së. Nga statistikat fiskale rezulton se edhe për vitin 2015 të ardhurat nga TVSH-ja ishin në ulje. Si duket, masat e ndërmarra deri tani nuk kanë dhënë efikasitetin e duhur për të grumbulluar TVSH-në. Qeverisë i ka ardhur një propozim nga një kompani private që i ka sugjeruar asaj një mënyrë apo një mjet për të ndihmuar në rritjen e deklarimit dhe të grumbullimit të TVSH-së dhe asaj i është dukur me interes.

Forma e gjetur nga qeveria për të mundësuar ngritjen e këtij sistemi informatik është Partneritet Publik–Privat (PPP). Normalisht qeveria zgjedh formën e PPP-së atëherë kur : a) Nuk ka fonde të mjaftueshme për të përballuar një shërbim të caktuar ose b) nuk ka kapacitete teknologjike dhe njerëzore me njohuritë e duhura për të realizuar një shërbim me cilësi, me kosto të ulët dhe në kohën e duhur; ose c) nuk ka besueshmëri tek administrata publike për ofrimin e një shërbimi të caktuar publik. Për të gjykuar nëse PPP është forma e duhur në këtë rast do të duhet të dihen arsyet për të cilat qeveria e ka përzgjedhur.

Pra, nuk mund të thuhet apriori se forma PPP në këtë rast është e mirë apo e keqe.

Nuk ka ende informacion, të paktën në dijeninë time se si do të jetë kjo PPP, pra nëse kompania me të cilën do të lidhet marrëveshja do ta ndërtojë e vetme platformën informatike (?) apo do të ketë edhe monitorimin e saj gjatë këtyre viteve (?). Cila është kostoja dhe cilat janë detyrimet që merr përsipër qeveria nga kjo PPP? Pse afati është 10 vjet dhe jo më pak apo më shumë?

Ministria e Financave deklaroi se ky është një model i huazuar sipas skemës së Portugalisë dhe Danimarkës. A mendoni se ky sistem do të jetë efektiv dhe do të eliminojë të gjitha mangësitë që janë hasur?

Në opinionin tim, marrja e një praktike të caktuar nga një vend tjetër, në mënyrë të shkëputur nga konteksti shqiptar, mund të shkaktojë probleme.

Pra, fakti që këtë sistem mund ta kenë përdorur dy vende të tjera nuk është domosdoshmerisht një argument pozitiv për t’u përdorur ky sistem edhe në Shqipëri. Kjo sepse nuk kemi një informacion mbi rezultatet që ka dhënë ky sistem i zbatuar në këto vende.

Nga ana tjetër, nuk kemi një analizë nëse mënyra e organizimit të administrimit të TVSH-së dhe të rregullimit ligjor në këto vende është e përafërt me ato të Shqipërisë? Një platformë teknologjike nuk mund të shihet e shkëputur nga sistemi ligjor, administrativ dhe i biznesit ku ai do të operohet.

Pra, nuk mund të thuhet që në këtë moment nëse do të jetë apo jo efektiv ky sistem. Fakti është që sistemi i administrimit dhe grumbullimit të TVSH-së në Shqipëri ka probleme të mëdha dhe duhet patjetër të përmirësohet.

Por, a është ky sistemi informatik që do të zgjidhë këtë problem? Kjo nuk mund të thuhet për momentin, sepse informacioni që është publikuar nga qeveria dhe Ministria e Financave për këtë rast është shumë i mangët, sipërfaqësor dhe ndalet vetëm në disa çështje, që nuk të lënë të kuptosh thelbin e marrëveshjes dhe efektet që pritet të japë.

Në opinionin tim, publikimi i mangët i informacionit për këtë lloj PPP-je, kaq sensibël mund të sjellë edhe paragjykime apo vlerësime të gabuara nga ana e publikut.

Kjo edhe për faktin se në vendin tonë nuk ka ndonjë analizë të bërë nga qeveria në lidhje me ecurinë dhe efikasitetin e koncesioneve të dhëna deri më sot, për të pasur kështu një pamje të përgjithshme mbi vlefshmërinë e PPP-së dhe koncesioneve, si një rrugë e mundshme e zhvillimit.

Duke dhënë shumë shërbime me koncesion duket sikur qeveria kërkon të “heqë qafe” një numër shërbimesh dhe të merret vetëm me monitorime.

Që të vlerësohet një PPP në mënyrë të drejtë në fushën e TVSH-së do të duhet të kishim një informacion të qartë dhe transparent mbi programin e Ministrisë së Financave dhe qeverisë, në lidhje me hapat tërësore dhe masat (të paktën) afatmesme, në lidhje me përmirësimin e administrimit tatimor.

Gjithashtu nuk është e qartë se çfarë kostosh do të ketë për biznesin aplikimi i këtij sistemi, sepse thuhet se do të ketë kërkesa të reja për pajisjet fiskale…

Ka edhe një parashikim se, nëse falë sistemit do të rriten të ardhurat vjetore nga TVSH-ja, atëherë kompania do të marrë nga qeveria 10% të kostove të amortizimit, në të kundërt do të “ndërhyhet”…

Është normale që në një marrëveshje PPP, operatori privat të marrë fitimet e veta. Nuk mund të them dot pse është zgjedhur pagesa për operatorin privat, pse do të jetë mbi kufirin 10%, ndoshta Ministria e Financave ka bërë të gjitha llogaritjet e veta dhe në to mund të kuptohet arsyeja, por në mungesë të informacionit nuk mund të jepet një opinion i bazuar. Pastaj nuk është e qartë se çfarë kuptohet me “do të ndërhyjë qeveria shqiptare”?

Pra, mungesa e informacionit për një çështje kaq delikate bën që në thelb të ngrihen shumë dyshime në lidhje me marrëveshje të tilla. Do të ishte më e udhës që Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare të kishte dhënë informacionin e plotë në lidhje me këtë koncesion, me qëllim që të kuptohej drejt nga publiku qëllimi i tyre pozitiv.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.