Bashkiaku Veliaj me lajme të reja. Parkim edhe poshtë xhamisë së Namazgjasë në emër të bashkëjetesës
Parkimet me konçesion po mbijnë gjithandej, pjesë e planit të kryebashkiakut Erion Veliaj për shërbimet publike kundrejt pagesës te privati. Së fundmi Veliaj lajmëroi se me përfundimin e ndërtimit të Xhamisë së Namazgjasë, Tirana do të përfitojë edhe një parkim nëntokësor me 200 vende, disa parqe, qendra kulturore dhe një hapësirë të re për qytetarët. "Xhamia e Namazgjasë është një stoli për qytetin e Tiranës dhe jo thjesht një objekt për besimtarët myslimanë. Lajme akoma më të mira vijnë për faktin se kjo xhami, nuk do t’u shërbejë vetëm besimtarëve, por edhe qytetarëve të Tiranës. Këtu do të kemi një parkim nëntokësor me 200 vende parkimi, i cili do të jetë i hapur për publikun. Deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, por edhe qytetarët që punojnë në rrugën e Elbasanit, nuk kanë pse parkojnë nëpër trotuare, pasi do të kenë këtë parking publik”-deklaroi Veliaj. Teksa inspektoi punimet për xhaminë e Namazgjasë, Veliaj foli edhe për terrorizmin, duke thënë se në Tiranë ndryshe nga Stambolli bashkëjetesa po merret shumë seriozisht. “Ajo që ndodhi dje në Stamboll ishte një tragjedi e jashtëzakonshme dhe veprime të tilla nuk kanë lidhje me besimin apo me ato që feja dhe besimi predikon dhe mëson në xhamitë tona. Çdo devijim prej besimit është një akt terrorist që dënohet dhe çdo devijim prej kulturës së bashkëjetesës është diçka që nuk kontribuon në qytetet tona. Ajo që ndodhi dje në Stamboll dëshmon se qytetet janë shumë vulnerabël ndaj akteve terroriste, ndaj edhe në qytetin e Tiranës bashkëjetesën e marrim shumë seriozisht”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Add new comment