Nëpër mediat e tre shekujve

Postuar në 07 Janar, 2016 18:50
Adrian Stefi

 “Shqiptarët janë një popull i “pakultivuar” të cilët banojnë në pjesën jugperëndimore të gadishullit të Ballkanit pranë brigjeve të detit Adriatik”. E gjitha kjo është e tërë përmbledhja e njohurive të përgjithshme të një njeriu të sotëm mbi një nga popujt më të vjetër të Europës, i cili është vendosur jo shumë larg  por vetëm disa orë jashtë skajeve të  kufijve më jugorë të monarkisë sonë...” (Fund i citatit) v.G.

Nuk e di se si quhej ky gazetar që ka vendosur vetëm inicialet e emrit në fund të shkrimit të tij, por një gjë di mund të them me siguri: Këtij gazetari austriak i kam lexuar një reportazh serioz, informues dhe tepër objektiv  mbi popullin tonë, mbi doket dhe zakonet e tij, mbi ritet dhe ligjet në jetën dhe marrëdheniet e tij shoqërore. I shkruar me gërma gotike shkrimi i tij bëhet tepër vështirë për t`u lexuar, megjithatë ja vlen të harxhohet pak kohë për ta deshifruar atë.

Në fakt shkrimi i tij ishte për lexuesin e asaj kohe, një reportazh që sigurisht mund të ketë hapur një “kokëçarje” në samitet direkt pas luftës ruso-turko ku thirrjet për pavarësi nga shumë shtete ballkanike po ktheheshin tashmë në realitete, ndërsa në vëndin e shqiptarëve gjëndja ishte akoma vendnumëro.  Ishte një shkrim që pavarësisht përshkrimit të dokeve dhe zakoneve të shqiptarëve, ndizte një dritë në atë tunel të thellë dhe të errët të kohërave mesjetare. Ai shkrim dilte si një jehonë nga redaksitë e Vjenës, si ato piskamat nga malet shqiptare që do të vibronte ndoshta timpanet e veshëve të diplomatëve europianë:

 Zotërinj diplomatë, dëgjoni dhe lexoni se atje në atë qoshe të Ballkanit ekziston nje etni, ekziston një popull me gjuhën,  ritet dhe traditat e tij të lashta me emrin shqiptar, i cili nuk  kërkon gjë tjetër përveçse drejtësi, autonomi dhe përse jo dhe pavarësi brënda kufijve të tij që i ka patur të shenjtë në tërë historine e tij tremijëvjecare.  

Niseshin si lumë kërkesat dhe memorandumet me shkrim nga Prizreni shqiptar, shkruar nga duart e Abdyl Frashërit dhe pushkët e Sulejman Vokshit, Shuaip Spahiut dhe Ali Pashë Gucisë, por  ky reportazh ndoshta do të kishte vlerën e një rrufeje në qiell të kaltër në kancelarinë perandorake në Berlin ku ishin mbledhur përfaqësuesit e fuqive më të mëdha të kohës.

 Pra jemi në mesin e vitit 1878 kur është botuar ky reportazh me titull: “Shqiptarët”!

Jemi në periudhën më kyçe të historisë së popullit tonë. Në periudhën e  Kongesit të Berlinit dhe Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Tani le të kthehemi pak në ditët tona.

Para disa ditësh ndoqa me interes transmetimin e evenimentit muzikor që u transmetua në 90 vende të botës. Bëhet fjalë për “Neujahrskonzert 2016” luajtur nga filarmonia e famshme e Vjenës.

Diku midis pjesës së parë dhe pjesës së dyte të ketij koncerti u shfaq fare shkurt në sekuancat filmike harta e Monarkisë Austro-Hungareze, e cila shkonte deri në skajet më jugorë të Kroacisë, atë kohë nën sundimin e saj.

Kjo më dha një impuls më tepër,  për të hedhur këtë shkrim në respekt të miqve tanë të djeshëm dhe të sotëm,  i cili buroi nga ato rreshta të fillimit të atij reportazhi botuar 138 vjet më parë. Por jo vetëm kjo. Një dhuratë e marrë me rastin e festave të fundvitit, ose më konkretisht një libër me autor Jusuf Buxhovin: “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878”, ishte një arsye më shumë për të plotësuar mozaikun historik të asaj periudhe mbi popullin shqiptar.

Këto shkëndija historike më bënë edhe me kërkues duke i bërë thirrje kujtesës sime,  të cilat më çuan në të vetmet përjetime të miat në kujtim të atyre ngarjeve dhe pikërisht në datat e festimeve të 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Tiranë. Pra në vitin 1978!

Mbaj mend Tiranën mbuluar me flamuj kombëtarë, Tiranën e mbushur me fotografitë e rilindasve tanë të mëdhenj, Abdylit, Samiut, Naimit,  popullin e Tiranës që priti me madhështi, përulje dhe respekt eshtrat e Abdylit dhe Naimit.  Tiranën, si kryeqytet të mbarë kombit shqiptar.

Kjo ishte pamja e asaj kohe që më ka mbetur në mend. Por atë shkëndijë që mora nga viti i largët i vitit 1878 nuk desha ta lidhja vetëm me kujtimet e mia që kisha në kokë. Kërkoja diçka më shumë.

Dhe ja sot, falë botës digitale kërkova në rrjete dokumentet filmikë  të asaj kohe, për të parë ose më mirë të them për të krahasuar të thënat, diskutimet, referatet mbi shqiptarët dhe traditat e tij,  në raport me reportazhin e v. G., të albanologëve, gjuhëtarëve dhe historianëve te asaj kohe, shqiptarë dhe të huaj, të ardhur nga disa vende të Europës dhe të botës.

Ishin datat 12-15 qershor të vitit 1978, ku në konferencat kombëtare dhe shkencore dhe aktivitetet shtetërore me miq dhe të ftuar do të shkëlqenin studimet e akademikëve Aleks Buda, Rexhep Qosja, të albanologëve të ardhur nga hapësirat gjermanofolëse, atje ku Buda kishte marrë fomimin e tij të shkëlqyer akademik, por dhe të historianëve dhe albanologëve të të tjerë. Ndërsa prania e  burrave malësorë me plisa në kokë, pasardhës të heronjve kombëtarë të rënë për liri dhe pavarësi do t`i jepnin atyre ditëve një simbolikë  tradicionale, a thua se historia mijëravjeçare i kishte sjellë posaçërisht ato ditë në atë kuvend.

Ishte një organizim perfekt i udhëheqjes së asaj kohe,  ku “nacionalizmi” i Enver Hoxhës, urtësia e  Haxhi Lleshit, rreptësia e Mehmet Shehut dhe elokuenca oratorike e Ramiz Alisë, duke lënë mënjanë zhargonet ideologjike të sistemit, do të shfaqeshin me tërë forcën e  përfaqësimit të gjallë të traditave më të mira shqiptare. Nxjerrja në pah e virtyteve dhe cilësive më të larta atdhetare dhe patriote do t`i përshkonte ato ditë si një fill kuqezi tërë aktivitetet dhe protokollin shtetëror me rastin e asaj ngjarjeje përkujtimore.

Dikush mund të thotë, se përse po bëj një kapërcim të madh në kohë. Po përse jo, kur në shekujt pasardhës kombi dhe patriotizmi do të ishin ideale të shenjta edhe për një qeveri komuniste?

Dua të hidhem përsëri tek ai shkrim, shkruar 138 vjet më parë nga shtypi austrohungarez për të konkretizuar atë që them. Ja se ç`shkruhej atëherë:

“Duket qartë që, shqiptarët në rrjedhën e shekujve nuk kanë pranuar kurrë ndikimet e huaja që kanë sjellë me vete ushtritë e huaja dhe valët migratore të popujve dhe fiseve të ndryshme që kanë kaluar në trojet e tyre. Ata kanë jetuar si dhe sot, si pasardhës të pellazgëve në trevat e tyre të lashta stërgjyshore.” (Fund i citatit) v.G.

A nuk është kjo në rezonancë të njëjtë, përveç shembullit të mësipërm me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, edhe me një artikull të “Zërit të Popullit” të prillit të vitit 1981 kur protestat e popullit dhe studentëve kosovarë ishin në kulmin e tyre?

Ja se ç`shkruhej atje:

“ Popullin shqiptar nuk e polli as Roma e cesarëve, as sllavët e Stefan Dushanit, as sulltanët e osmanëve dhe as Italia fashiste e Musolinit. Populli shqiptar ka historinë e tij shumëshekullore, plot luftëra për liri dhe për ekzistence. ..Populli shqiptar luftoi dhe rrojti në shekuj. Ai qëndroi një etni kompakte, pavarësisht se e përçanë dhe e copëtuan.” (Fund i citatit)

Po hidhem përsëri tek reportazhi i vitit 1878, ku autori austriak nuk do të mbetej vetëm tek traditat, doket dhe zakonet më të mira dhe më të lashta të popullit shqiptar. Ai duket se na kujton në formë qortimi një “cilësi” tonën, që edhe kjo na ka ndjekur në shekuj, ashtu si dhe shumë cilësi të tjera, cilësinë e mosaftësisë së ndërtimit të një shteti të vetin.

Ja se ç`shkruhet  në atë shkrim të atij viti:

“Shqiptari ka qënë shumë aktiv në dëbimin e çdo pushtuesi nga vëndi,  bile ka zgjeruar kufijtë e tij në të gjitha drejtimet si kundrejt serbëve ashtu dhe kundrejt bullgarëve dhe grekërve, por ka qëndruar rreptësisht pasiv në veprimet shtetformuese të tij duke të dhënë të gjitha arsyet njerëzore te dyshosh në aftësitë kulturore të asaj race ...Ndoshta jo aq shume për mungesë inteligjence, sepse historia e Skënderbeut, e despotit të Janinës Ali Pashë Tepelenës dhe shumë shqiptarëve që kanë marrë pjesë në luftërat clirimtare të grekërve të rinj kanë treguar përveç anëve të tjera edhe zgjuarsinë e atij  populli.” (Fund i citatit) v.G.

Duke plotësuar këtë puzzle me kujtime, lexime të shtypit shqiptar dhe dokumentet e Kongresit të Berlinit, por dhe me copëza artikujsh të asaj kohe të botuara në shtypin gjermanofoles konstatoj me dëshirë apo pa dëshirë se,  45 vitet e shtetit komunist do të ishin një vazhdim i asaj tradite “fortifikuese” mijeravjeçare të etnitetit shqiptar kundër çdo ndikimi ose influence të huaj, të ardhur qoftë nga Lindja, qoftë nga Perëndimi.

Atë traditë që shpesh e kemi quajtur izolim.

Historia e pas Luftës së Dytë ka plot dëshmi që vërtetojnë këtë “traditë” shumëshekullore. Dhe jo vetëm kaq. Në ato vite, si për të “kundërshtuar” dhe  tezën e v.G-së, ndërtuam edhe një shtet, ku natyrisht, përveç idelologjisë marksiste-leniniste, edhe tradita dashje apo padashje ka luajtur një rol në ndërgjegjen e njerëzve, përfshirë dhe ndërgjegjen e udhëheqësve komunistë. Ndërsa gjakmarrjet, vetëgjyqësitë dhe ligjet e tjera që buronin nga kanuni ishin kthyer në relike të një kohe që mund të lexohej vetëm tek ndonjë “Prill i thyer” kadarerian.

Ja pra, që për një kohë paskemi qenë në gjëndje të bënim shtet, bile një shtet dinjitoz. Pra ashtu siç spekulon edhe gazetari austriak që kishte vizituar trevat tona 138 vjet më parë zgjuarsia nuk na paska munguar. Por jo vetëm kaq, ai shtet vendosi si qëllim të fortë në vetvete emancipimin dhe përparimin e shoqërisë paralelisht forcimit të mureve fortifikuese etnike.

Po sot?

Po i hidhem edhe një herë një pasazhi të shkurtër, por shumë domethënës, shkrimit të vitit të largët 1878:

“A do të arrijë kultura europiane  të depërtojë në kulturën e atij populli për të hedhur tej prangat e një stanjacioni tremijë vjecar? Këtë do t`a tregojë koha”, thotë autori. Dhe më tej shton:

“Vetëm një gjë mbetet e qartë, se dy janë mjetet për t`ia arritur këtij qëllimi: Mjete të mëdha financiare dhe akoma më shumë veprim konkret me dorë të fortë, sepse një fjalë e urtë popullore shqiptare thote: “Ke anscht shpata, atje besa”- “Ëo das Schëert ist, da ist auch der Glaube”. ( Fund i citatit)

E ç`mund të shtosh më tepër? Mbetesh pa fjalë. Por ky entitet jemi, me të mirat dhe të këqiat e tona, por një pyetje më buçet sot në vesh:

Mirë që shumë rite dhe zakone të mira apo të keqia janë kthyer përsëri,  po tradita tremijë vjecare ku ka shkuar sot, ajo e moslejimit të asnjë lloj ndërhyrjeje dhe influence të huaj në punët tona?

Dhe kur kjo traditë është shkelur me këmbë nga pasardhësit e atyre gjyshërve dhe stërgjyshërve të cilët traditën dhe kodet i kishin aq të shenjta sa dhe nderi dhe autoriteti do vendoseshin mbi gjak, kjo të bën të mendosh se gjëndesh ndoshta para një  paradoksi të çuditshëm.  Atëherë lind pyetja: Ç`ka ngjarë me ne?

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Citim nga shkrimi:

"Ja pra, që për një kohë paskemi qenë në gjëndje të bënim shtet, bile një shtet dinjitoz. Pra ashtu siç spekulon edhe gazetari austriak që kishte vizituar trevat tona 138 vjet më parë zgjuarsia nuk na paska munguar. Por jo vetëm kaq, ai shtet vendosi si qëllim të fortë në vetvete emancipimin dhe përparimin e shoqërisë paralelisht forcimit të mureve fortifikuese etnike."

Ky eshte nje nga justifikimet me perfide te diktatures komuniste duke e quajtur ate "shtete dinjitoz". Ku e shikon or zoteri "dinjitetin" e atij palo shteti, apo ne trajtimin e shtetasve te vet si koke bagetie? Ne mund te flitet per ndonje fare "zgjuarsie" kjo kursesi nuk eshte e shqiptareve si komb, eshte thjesht dinakeria e asaj kaste me ne krye Enver Gjirokastren, qe instrumentalizoi patriotizmin dhe e ketheu ne çomage per vete popullin e rrjepur qe sundonte.

Midis te tjerave paaftesia e shqiptareve per te bere shtet nuk eshte gje tjeter vecse aftesia qe ata kane pasur per te shperfillur cdo gje te huaj gjate atyre 3000 vjetve kur ishin vazhdimisht te pushtuar dhe asnje here te lire dhe potencialisht gati per te formuar shtet. A e kupton ti or zoteri qe shqiptaret jane aq krenare (ose pordhace) saqe gjithmone kane kujtuar se nuk kane cfare te mesojne nga te tjeret.
Me kete luajti edhe Pordhaceria e Tij Marksiste Leniniste Enver Gjirokastra. Ua mbushi mendjen shqiptareve qe ai ishte gjeniu qe i vinte ketij kombi nje here ne 500 vjet dhe ua mori frymen brenda burgut 28.000 km2. Pasi Pordhacerise se Tij i doli boja pas vdekjes, shqiptaret e gjore e moren vesh ne c'hale i kishin mbajtur mbyllur per 50 vjet, u hodhen nga ana tjeter dhe filluan te adhurojne cdo gje qe u thoshte edhe ambasadori i Portugalise, vecse perseri nuk mesuan te bejne shtet.

Dhe sa per punen e asaj zgjuarsise, nuk ka kombe te zgjuar dhe kombe budallenj, ka individe te mencur dhe individe budallenj. Kur ndodh qe behen bashke nje dore budallenjsh, duket sikur i gjithe kombi eshte budalla, se helbete nqs per cdo gur qe nje budalla hedh ne lume duhen nja 100 te mencur qe ta nxjerrin atehere kuptohet qarte se ne cfare raporti duhet te jete zgjuarsia me budallallekun ne nje komb qe ta bejne ate komb te duket si i zgjuar.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.