Shqipërisë i duhet “Tangentopoli” në vend të modelit “Sanader”
Ilir Meta ka disa kohë që ka nisur të flasë më lirshëm për pasurinë e tij. Madje duke mëtuar që të kultivojë idenë se ai është i pari që ka ndërmarrë nismën e transparencës së financimeve të partive, por edhe të pasurisë së politikanëve. Pak javë më parë kaloi si pa u nënvizuar shumë lajmi, se Lëvizja Socialiste për Integrim, vendosi që të bënte publike online, fondet që ajo merr për fushatë elektorale. Në intervistën e djeshme për Eni Vasilin Meta eci edhe pak më tej duke bërë dy pohime që kanë rëndësi pasi zbulojnë perspektivën prej nga ku dhe si, shihet reforma në drejtësi nga një prej tre politikanëve kryesorë në vend: Ilir Meta zbuloi se e shoqja e tij me të ëmën kanë në pronësi një pallat në Tiranë. Ai mbrojti hapur Sali Berishën kur cilësoi se vila në Lalëz e vajzës së ish-kryeministrit është blerë në kohën kur në Lalëz mezi shkohej dhe ajo kishte një vlerë qesharake. Së dyti Meta ka deklaruar hapur se: “Unë nuk jam për një Eulex. E kemi parë përvojën e Kosovës me Eulex”.
Pohimi i parë është një mbrojtje e hapur që Ilir Meta, bashkëqeverisës i Shqipërisë me Partinë Socialiste i bën korrupsionit të së shkuarës, ku është edhe vetë protagonist. Pasi emri i Berishës, vila e Lalëzit dhe Argita Berisha, kanë qenë lënda kryesore e akuzave që opozitarët socialistë bëni ndaj qeverisë që iku. Kur kryetari i Kuvendit të Shqipërisë flet pa teklif për një pallat të së shoqes, kjo padyshim ka kuptimin e një legjitimimi të kësaj lloj pasurie që është vënë nga politikanët shqiptarë. Një pasuri e krijuar para syve të të gjithëve, me dijeninë sado të përciptë të gjithëve, me konsensusin e heshtjes sonë, por edhe me miratimin e smirës që dominon kundrejt ndjesisë së revoltës.
Kjo lloj hapjeje vjen në kushtet e pereceptimit të një korrupsioni të përgjithshëm: edhe bashkëshortja e Edi Ramës ka deklaruar një pallat. Shpenzimet për pritje kanë arritur shifra të mëdha, flitet për blerje Jaguarësh, për konçesione etj.. Gjithë një klimë e dominuar nga hiperkorruptimi, ku Ilir Meta po bën edhe njëherë “më të Vërtetin” nga të gjithë.
Pohimi i dytë ka rëndësi edhe më të madhe, pasi ai bëhet nga pozita e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë dhe për disa, edhe të Prokurorisë. Dy institucione që preken direkt nga drafti i amendimeve kushtetuese. Edhe Komisioni i Venecias e konsideron normale një mision vëzhgimi për njësinë e posaçme antikorrupsion, brenda një prokurorie që nuk ka funksionuar.
Pohimi i kreut të LSI-së, njeri i akuzuar për urdhërim vrasjeje dhe ndikim korruptiv në aferën e CEZ, një njeri i kapur në kamera duke diskutuar për afera të dyshimta, shtron për diskutim çështjen se deri ku është e korruptuar vetë shoqëria? Pasi kjo është një sfidë e hapur që një politikan i bën vetë shoqërisë, apo asaj pjese që predikon moral. Në një plan më të ngushtë këto deklarime janë një mesazh edhe për palën politike që ka marrë përsipër flamurin e antikorrupsionit: PS-në dhe kryeministrin, një subjekt politik dhe një drejtues që kanë në cv-në e tyre një enciklopedi me bëma korruptive. Madje janë në një farë mase shpirti i këtij sistemi.
Rasti kroat apo “Tangentopoli”?
Për ata që presin shumëçka nga reforma në drejtësi si model bazë shihet rasti kroat i arrestimit dhe burgosjes së ish-kryeminitrit Ivo Sanader. Kjo edhe sepse në përgjithësi ndër shqiptarë drejtësia ndërmjetësohet si ndjesi nga hakmarrja. Me Sanaderin nënkuptohet Berisha dhe me “prishjen e pushimeve” për të cilat flet ambasadori amerikan Donald Lu, ndoshta nënkuptohet Ilir Meta. Po a ka vend për të sjellë si model rastin Sanader? Mes Kroacisë dhe Shqipërisë ka diferenca të mëdha në shumë drejtime, por vështirë të mendohet se në një vend me mirëqenie më të lartë dhe që është anëtar i BE-së korrupsioni të ketë shfaqje të tilla. Të jetë kulturë. Për këtë arsye modeli më i përshtatshëm për Shqipërinë është Italia e viteve ’92-95. Edhe sepse me arrestimin hipotetik vetëm të Metës dhe Berishës nuk zgjidhet asgjë esenciale në Shqipëri sa kohë dukuria është gjithëpërfshirëse. Le të sjellim ndër mend atë që ish-kryeministri socialist i Italisë, Bettino Craxi u tha të gjithë deputetëve në Parlament: “...shumë struktura politikë kanë përdorur dhe përdorin burime shtesë financiare në formë të parregullt ose të paligjshme. Në një pjesë e madhe e kësaj çështjeje duhet të konsiderohet një çështje e pastër kriminale, atëherë një pjesë e madhe e sistemit duhet të cilësohet i tillë: kriminal. Nuk besoj se mund të ketë ndonjë në këtë sallë përgjegjës politik të organizatave politike të rëndësishme, që mund të çohet dhe të betohet për të kundërtën...”.
Ky pohim bashkë me deponimin e tij në procesin “Enimont” ku ish-kryeministri italian deklaron se të gjitha partitë kishin përfituar fonde të paregjistruara nga grupe biznesi, janë epitoma e skandalit “Tangentopoli” i cili teknikisht nisi me një zarf prej 7 milionë liretash që një biznesmen nga Monza i dha një kandidati për kryetar bashkie në Milano.
Procesi “Mani Pulite” (Me Duar të Pastra) realizoi një spastrim të madh të skenës politike italiane, goditi një sistem brenda të cilit ishin siç tha Craxi të gjithë fajtorë dhe përgjegjës. Edhe media edhe biznesi. Situata është analoge me Shqipërinë dhe operacioni që kërkohet është i ngjashëm. Për ta thënë me fjalët e Montanellit: “Pas rënies së Murit të Berlinit njerëzit po prisnin “Tangentopolin”.
Një rol thelbësor i Prokurorisë
Në dritën e këtij shembulli të paprecedentë në botën perëndimore mësimi i parë është roli që duhet të marrë në zbatimin e ligjit dhe zbardhjen e fakteve apo dyshimeve prokuroria. Antonio Di Pietro ishte një nga shumë njerëzit e prokurorisë që bashkë me disa të tjerë shtyu përpara procesin përmes zbërthimit të plotë të Mario Chiesas, të 7 milionë liretave. Mbyllja e njësisë antikourrupsion që Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla bëri dje, me argumentin se “nuk ka patur shumë ngarkesë” është sinjali më i qartë se organi i parë që duhet shkallmuar nga reforma në drejtësi është pikërisht ai i hetimit. Amendimet Kushtetuese japin disa garanci, edhe pse dikush flet për “Eulex”, por çështja themelore është nëse kjo reformë do të vërë në punë sistemin apo thjesht do të bëjë disa kurbane. Në momentin që flitet për “një pjesë të madhe të sistemit si kriminal”, rasti ku është Shqipëria, modeli “Sanader” nuk vlen dhe aq. Një operacion që pastron gjykatat nga korrupsioni dhe hap rrugën për një njësi të re antikorrupsion, presupozon vendosjen e bazave të reja për të realizuar “Pastrimin e Shqipërisë” dhe goditjen e asaj ekonomie kriminale mbi të cilën riprodhohet një klasë e tërë politike. Vendosjen në bankë të të akuzuarve, në seanca të hapura gjyqësore, njësoj si Craxi, Forlani dolën në Itali, të politikanëve shqiptarë që nga Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta dhe Edi Rama.
Mund të duket utopike, por Italia provon se një gjykatë dhe një prokurori me tagrin ligjor dhe me mbështetjen e duhur, e pastruar, krijon probleme serioze. Shqipëria është një vend ku në Parlamentin e saj flitet për vrasje dhe ku janë ulur kriminelë të deklaruar: nuk është shumë e vështirë që pasuria dhe lidhjet të hetohen. Nëse në Itali lidhjet e Di Pietros me zyrtarë të CIA-s janë ende spekullim mbi bazë të disa fotove, këtu tek ne, reforma në Drejtësi është lexuar hapur si politikë edhe amerikane. Fushtatat luksoze të partive kryesore, orët, veshjet e politikanëve, makinat dhe vilat, për të cilat po flet së fundmi Ilir Meta hapur, nuk mund të legjitimohen. Drejtësia nuk mund të vijë nga jashtë, kjo është e vërtetë, por duket se rrugë tjetër nuk ka. Politikanët hajdutë, gjyqtarët e korruptuar janë institucione, modele në Shqipëri, njësoj si deklarimet e ambasadorëve. Është e domosdoshme që të goditen. Reforma për të cilën flasin të gjithë do të vlente nëse do të rithemelonte sovranitetin kushteues të gjykatave si kuptim i vetëm i lirisë dhe detyrimit të gjyqtarëve. Iluzioni i një sovraniteti formal që sot po sillet si argument kundër përfshirjes së Lu, u shërben njerëzve si Ilir Meta dhe Edi Rama që flasin për mosndërhyrje në punët e brendshme, sa herë që ndërhyrjet u prishin rehatinë që u kemi krijuar të gjithë. Me dënime të nivelit të lartë imponohet një standard i ri edhe për institucionet shqiptare dhe ky është hap pozitiv.
Comments
Ilir Meta, tanika dale fare
Ilir Meta, tanika dale fare hapur, kunder reformes ne drejtesi, bile bile, ky po del akoma dhe me i vendosur se sa Sali Berisha.
Se ku po fle lepuri, nje zot e di.
Nga klasa politike shqiptare, nuk po duket se do te kete zgjidhje dhe te marre drejtim reforma ne drejtesi.
E vetmja shprese, do te jene SHBA dhe KE.
Te shikojme, se kush do te jeteme i forte, korupsioni shqiptar apo drejtesia nderkombetare ?
Add new comment