Lule dhe një mashtrim publik për zbardhjen e 21 janarit

Postuar në 05 Janar, 2016 14:33

Në janarin e tretë pas ardhjes në pushtet, socialistët kanë vendosur të kërkojën një lloj trajtimi juridik për ngjarjen e 21 janarit. Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, deklaroi gjatë një konference për shtyp të organizuar si analizë për rezultatet e larta të punës së Policisë së Shtetit, se është bërë padi ndaj Hysni Burgajt dhe Agron Kuliçajt. “Kemi ngritur kallëzim penal ndaj Agron Kuliçajt, Hysni Burgajt..etj, të cilët kanë shpërdoruar detyrën në rastin 21 Janarit. Ashtu si është kallëzuar penalisht dhe Bashkim Shehu, drejtor i shërbimit të Brendshëm asokohe..etj”, tha Tahiri(http://www.ata.gov.al/tahiri-viti-2015-vit-suksesi-per-policine-e-shteti...). Padia e përmendur nga ministri shmang përgjejësi të politikanëve, ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Ka rëndësi ky moment pasi edhe njëherë, në emër të llogarive politike të momentit, çështje të tilla trajtohen duke “bërë kurban” si fajtorë të deklaruar njerëz që kanë qenë në pozicione ekzekutive, por jo vendimmarrëse. Asokohe u publikua një analizë e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm që deklaronte se plani i masave të Policisë së Shtetit për protestën e 21 janarit ishte i gabuar.

Ndërkohë që vrasjet e kryera në bulevard u trajtuan nga Partia Socialiste si vrasje të urdhëruara nga Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Ky i fundit do të përsëriste disa herë se: “Unë kam qëndruar në krye të detyrës”.  Në dritën e kësaj padie të re mund të pyetet: kush mban përgjegjësi për vrasjet e 21 janarit? A mos vallë vetë Partia Socialiste ka hequr dorë edhe formalisht nga ideja e zbardhjes së saj dhe mbajtjes së përgjegjësive, si një pazar i mundshëm politik me PD-në e cila ka nisur organizimin e protestave?

Ish-Kryeministri i vendit Sali Berisha mori përsipër në atë kohë përgjegjësinë për moszbatimin e urdhrit të prokurorisë për shoqërimin e 6 funksionarëve të Gardës së Republikës  me argumentin se nuk mund të pranohej likujdimi i të gjithë zinxhirit komandues të Gardës. Pse nuk merret në konsideratë ky fakt në kushtet kur niveli i akuzave për këtë ngjarje ka qenë ekstrem?

Një përgjigje e jep politika, konteksti ku operon PS-ja sot, aleati i saj në qeverisje si dhe sidomos: Projekti i vërtetë i PS-së në krye të vendit. Një projekt që ka si objektiv të dukshëm në këto dy vite e pak qeverisje: Pasurimin si rotacion i vërtetë. Asgjë më shumë. Një hulumtim i vërtetë i 21 janarit do të kërkonte medoemos edhe hetimin e organizatorëve të protestës, të bërthamës që inicioi dhunën për qëllime politike, pavarësisht se ku mbërriti situata. Dhe kjo nuk është e këndshme. Ndaj edhe ngjarjes iu vu kapak. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.