Darka e shëmtuar e qeverisë dhe gazetarëve

Postuar në 31 Dhjetor, 2015 13:47

Për të dytin vit rradhazi kryeministri na rezervoi një formë të re spektakli mediatik, ku objekt bëhen vetë mediat. Darka e shtruar me pronarë, gazetarë, spikerë e shoumenë ishte një nga cirqet rutinë që mund të ofrojë një vend çudirash si Shqipëria. Shfaqja është hartuar sipas një skenari ku bujtësit duhej të shanin të zotin e shtëpisë – që duket se po eksperimenton stilin sado-mazo – ndërsa ky i fundit duhej të telendiste bujtësit. Kështu palët e bënë qerpazë njëri-tjetrin duke ua përmendur sho-shoqit në sy të palarat që i thonë e stërthonë gjatë gjithë vitit. Gazetarët ia përplasën në sy kryeministrit arrogancën e tij ndaj tyre si dhe të zezat që po i punon këtij vendi, ndërsa kryeministri ua përplasi në sy mediave paaftësinë dhe korruptueshmërinë e tyre, duke pohuar se nuk vlejnë një lek, e se ai vetë nuk i ndjek fare, megjithëse flasin gjithë ditën për të. Si të themi: “ju bëni sikur flisni unë sikur shqetësohem”. Në fund, me “Gëzuar të gjithëve”, palët zotohen se do të vazhdojnë ta zhysin këtë vend në kënetën e llumit ku ka ngecur.
Kryeministri e përdori këtë sebep për të nxjerrë veten të larë. Natyrisht ai e di shumë mirë që askush nuk u beson ankesave të tij se (gjoja) mediat po i bien në qafë duke ia nxirë imazhin punëve të mëdha heroike që po kryen, se ky vend është i gjithi mbrapsht dhe nuk po kuptohet mesianizmi i një njeriu të vetëm, i cili po shkrihet si qiriu i Naimit. Por kryeministri ia arriti t’i tregojë publikut se edhe ata që flasin shfryjnë për të, janë po aq të zhytur në llumin e pazareve dhe interesave korruptive. Në pamundësi për të zbardhur fytyrën e vet, ai u orëvat të nxijë fytyrën e atyre që e akuzojnë.
Dhe këtu, natyrisht që ka të drejtë. Thuajse të gjithë njerëzit e mbledhur në atë darkë janë pjesë e një banketi që, në fakt, shtrohet çdo ditë, për 365 ditë të vitit, ku orekset varfërojnë, copëtojnë dhe degradojnë çdo gjë në këtë vend. Së bashku, ai grup njerëzish dhe grupe të tjerë homologësh nga fusha të tjera, ia kanë dalë të dekompozojnë çdo aspekt: pushtetin, ekonominë, kulturën, informacionin, arsimin, shkencën, vlerat…
Këta në fakt janë pengmarrësit e këtij vendi, dhe sado që mund të urrehen me njëri-tjetrin, ata janë të detyruar të bëhen bashkë për të ujdisur interesant e tyre. Secili prej tyre ka një histori të vetën flirtesh e zënkash me qeveritë, duke kapërcyer e rikapërcyer për disa herë me rradhë ylberin, në varësi të erërave të pushtetit. Palët kanë kapur shtetin e në këtë ndërmarrje janë kapur keq edhe me njëri-tjetrin, kush me një biznes, kush me një rrogë, dhe janë të detyruar tashmë të heqin deri në fund vallen e kryeministrit, i cili ka vendosur ta shpërndajë baltën tek të gjithë.
Darka e gazetareveSiç u tha edhe nga vetë Rama fillimisht, kjo praktikë e darkës së fundvitit me mediat është huazuar nga presidenti Obama. Që vetë Obama ka kritika për këtë model mediatizimi të qeverisjes as ka dyshim, ashtu siç nuk ka asgjë për t’u çuditur nëse pohojmë se modeli Obama është gjithashtu i pahijshëm, pavarësisht sa i suksesshëm rezulton në terma pragmatistë. Për të mos thënë se është i largët dhe implantohet në një kontekst ku gazetaria serioze është në zhdukje.

Sido që të jetë, edhe mund të kuptohet një darkë e kreut të qeverisë me gazetarë të politikës, si shenjë e kujdesit që qeveria premton për garantimin e fjalës së lirë, por nuk ka kuptim kurrësesi një darkë ku kryeministri iu mban fjalime fyese e shpërfillësve, përfaqësuesve të medias që i ka kapur e lidhur nyje nëpërmjet interesvave korruptive, një darkë ku kreu i qeverisë sillet si tutor.
Sidoqoftë, skena nuk është e plotë. Siç pati gazetarë që iu bashkangjitën kësaj gostie, të tjerë nuk iu bashkuan për arsye po kaq korruptive, e të tjerë ruajtën emrin e tyre duke refuzuar ftesën. Më shumë se kushdo shkëlqyen me mungesën e tyre një sërë gazetarësh që as nuk u ftuan, pasi (fatmirësisht) nuk konsiderohen elitë. Këta janë ata që kanë arritur të mbijetojnë në këtë batak, duke arritur të gjejnë mjetet ta bëjnë me përkushtim, pasion e ndershmëri zanatin e tyre, ndonëse jo pa kosto e kërcënime. Gazetarët e BIRN, p.sh., me çmime ndërkombëtare gazetarie dhe që kanë zbardhur e publikuar skandale të njëpasnjëshme, nuk ishin natyrisht pjesë e këtij spektakli.

Fundja nëse ka ndonjë shpresë, sado të vakët, në këtë vend, është pikërisht ekzistenca e kësaj hapësire ende e painkriminuar komunikimi, që gjallon plot pasion në periferi, larg mondanitetit e pompozitetit të shtirur quasi elitar të salloneve false në pallate brigadash e brigadierësh. Ekzistenca e këtij realiteti përtej perdes së skenës së spektaklit të përditshëm mediatik, i detyroi regjisorët e tij të pranojnë të thuhen disa të vërteta të hidhura që tashmë dihen në darkën e fishekzjarreve të rreme të mediave. Të gjithë e kuptojnë tashmë se nuk mjaftojnë Topet e Klanet për të fshehur realitetin e vërtetë që gjallëron përtej kësaj skene. Kjo ndoshta edhe ua bënte të sikletshme praninë shumë aktorëve në atë darkë të trishtë, ndaj dhe shumë fytyra të ngrysura mbushën tryezat përreth.

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.