Krizë e demokracisë, e moralit publik dhe identitetit

Postuar në 25 Dhjetor, 2015 14:12
Halil Matoshi

Kriza shpërfaq një ngjarje që shpie ose pritet të shpjerë në një situatë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme, mirëpo ajo nuk e parasheh fundin e një shoqërie ose shteti, nuk është ogur për shpërbërje.

Natyrisht nëse dikush racional përkujdeset për ta menaxhuar.
Më terma më të lirshëm, krizë do të thotë "një kohë e testimit" ose një "ngjarje emergjente". Forma e latinizuar e ‘krisis’ greke d.m.th. "pikë kthese në një sëmundje" (e përdorur si e tillë nga Hipokrati dhe Galeni) që shkurt e shqip d.m.th. je me një këmbë në varr, por mundesh me u shërue plotësisht!

Përkufizimi britanik për krizën është: Një fazë e rëndësishme apo pikë kthese në rrjedhën e diçkaje, që d.m.th. se një shtet në krizë mund të bëjë kthesë edhe në kahun pozitiv.
Thjesht kriza është kohë testimi.

Çka po testohet kështu në Kosovë?
Në Kosovë para krizës politike dhe institucionale mund të flasim për një krizë të vlerave morale (etikës publike/etikës së pushtetit) që e ka në sfond një krizë të thellë ekonomike (mospasjen).

Varfëria godet sistemin e vlerave (të tilla çfarë kanë ekzistuar) duke shkaktuar krizë të shumëfishtë, e cila nëse nuk pranohet nga elitat politike që me ngulmë synojnë mbajtjen e pushtetit, shpie në shpërbërjen e institucioneve (Shqipëria 1997) e së këndejmi në shpërbërje të shoqërisë (Siria e Asadit.)

Kriza presupozon hapa të rinj dhe udhë të reja, pra edhe kurë të re e të patestuar deri në atë moment, për gjendjen, duke hapur dyer të reja për dalje. Kriza presupozon zhvillim, nëse ajo pranohet, duke i emëruar gjërat sipas burimit të tyre etimologjik, pra duke i emëruar edhe shkaktarët e saj të vërtetë.

Natyrisht se në rrethanat e krizës sistemi funksionon ende, rrogat në sektorin publik jepen, njerëzit dalin në zyrat publike ku janë të sistemuar nga diktatet partiake, porse sektori privat mbetet jashtë kontrollit dhe raportet mes grupeve shoqërore prishen (në rastin kosovar pushteti me opozitën, shteti me islamikët e cilësuar si ekstremistë, grupet e studentëve prishen me grupet tjera të studentëve etj.) dhe fundja, shtetin kosovar e mban në këmbë inercioni.

Shtet i lindur nga konflikti NATO-Jugosllavia Federale dhe ende nën përkujdesjen e trupave të KFOR-it në aspektin e sigurisë.
Shteti pra do të qëndrojë në këmbë, sepse sponsorët e lirisë dhe pavarësisë së tij ende nuk kanë ndërruar strategji dhe ende nuk kanë ndonjë strategji tjetër - më të leverdishme - dhe kanë investuar aq shumë në këtë projekt që po e jetojmë, në ditët e veta më të vështira!?

Ndonëse shumë palë janë të interesuara për ta prishur shtetin e ri, për kauza kinse historike (përmbushja e projekteve të mëdha të Rilindjes), territoriale (ndarja eventuale e Kosovës mes Shqipërisë dhe Serbisë) ideologjike (rikthimi i së majtës burimore, leniniste si performancë.)

Shkaqet e krizës janë kaq shumë, ose është ndonjë i fshehur dhe i panjohur, (pretendohet se në sfond qëndron neglizhimi ose shtyrja deri në pafundësi e funksionalizimit të Gjykatës Speciale) dhe për një kësi shkaku të panjohur, Qeveria e ligjshme e ka të pamundur për të marrë një vendim racional, sepse nuk ka informata të sakta ose heziton t’i ndajë ato (edhe nëse ka!?) me publikun, e pa informatën burimore asnjë Qeveri nuk mund të ndryshojë situatën.

Sipas Seeger, Sellnow, dhe Ulmer (Seeger, M. W.; Sellnow, T. L.; Ulmer, R. R. (1998). "Communication, organization, and crisis". Communication Yearbook 21: 231–275.) kriza ka disa karakteristika përcaktuese. Ata thonë se krizat kanë katër karakteristika përcaktuese që janë “të veçanta, të papritura dhe ngjarje të papritura ose seri ngjarjesh që (krijojnë), nivele të larta të pasigurisë dhe kërcënimit apo kërcënim i perceptuar ndaj prioriteteve të larta të ndonjë organizate/shteti.

Konform me këtë definim, dyshohet se kërcënimi për shtetin vjen nga “faktori x” i krizës së Kosovës që është organizata që veten e quen Lëvizja Vetëvendosje!

Sipas kësaj mendësie, kriza institucionale e vitit të kaluar dhe dy kauzat aktuale të opozitës (që ishin pretekst për ta bllokuar Kuvendin e Kosovës), kanë shërbyer vetëm si katalizatorë në krizën e Kosovës, mirëpo një pjesë e rëndësishme e pushtetit dyshon se Lëvizja Vetëvendosje (duke i tërhequr në orbitën e vet AAK-në dhe Nismën për Kosovën) po mësynë destabilizimin e vendit me tri qëllime: Së pari, shkaktimi i kaosit në vend dhe shmangia nga drejtësia ndërkombëtare e atyre që mund të kenë këso telashesh, së dyti relativizimi i entitetit Republika e Kosovës dhe rikthimi i idesë së ndarjes së Kosovës në mes të Shqipërisë dhe Serbisë, dhe së treti, nxjerrja përfundimtare nga harta politike e LDK-së!?

Kështu tri karakteristikat e para janë se ngjarja (që shkakton krizë) është.
1. E papritur;
2. Krijon pasiguri;.
3. Shihet si një kërcënim ndaj një prioriteti të rëndësishëm;
(Venette, S. J. (2003).
Venette argumenton se “kriza është një proces i transformimit, ku sistemi i vjetër nuk mund të mbahet”. (Në rastin shqiptar dhe kosovar, vjen në shprehje konflikti i brezave në qeverisje!)
Për këtë arsye cilësia e katërt përcaktuese është nevoja për ndryshim.

Nëse ndryshimi nuk është i nevojshëm, ngjarja mund të përshkruhet më saktë si një dështim.
Po pse tërë areali shqiptar në Ballkan po përjeton krizat e veta (secili i ka specifikat e veta) kur botërisht dihet se ashiqare shqiptarët në Ballkanin Qendror janë të lirë dhe në pozitën më të mirë gjeopolitike, që nga krijimi i shteteve moderne e këtej dhe kjo, falë aleancës së SHBA-së dhe shteteve mike të shqiptarëve në Evropë.

Porse elitat e tyre politike e kanë uzurpuar jetën publike, e kanë monopolizuar gjuhën dhe historinë dhe duan me çdo kusht t'i sundojnë shqiptarët duke ua marrë për vete të mirat materiale dhe duke i lënë ata në varfëri.
Sepse vetëm shqiptari i varfër është lehtë i qeverisshëm.
Pra, shqiptarët kudo në rajon kërkojnë hapësira të reja, mundësi të reja dhe mendësi të re, sepse janë lodhë nga "heronjtë" e tyre të luftërave dhe "meritokracitë" e paqes.

Në politikat shqiptare duket se po bëhet ndërrimi i brezave, pra edhe i politikëbërjes.
Në anën tjetër është varfëria dhe paperspektiva që i nxit ata në protesta, porse nuk duhet harruar as krizën identitare (manipulimi me kombëtarizimin) se edhe ndjenjat etnonacionaliste që patën fjetur ca që nga pavarësimi i Kosovës, janë rizgjuar dhe ky nacionalizëm është në rritje në tërë arealin politik shqiptar, sidomos tek shqiptarët në FYROM-i, në Kosovë dhe Luginë të Preshevës.

Elitat duhet ditur ta kanalizojnë drejt këtë nacionalizëm, sepse mund t'u kushtojë shtrenjtë shqiptarëve, sidomos në humbjen e mbështetjes së miqve amerikanë dhe atyre evropianë, kur kihet parasysh se ky nacionalizëm tek VV-ja i përket së majtës ekstreme.

Që për ta realizuar qëllimin në vete të Revolucionit “prek telat” e shpirtit nacionalist tek shtresat më të dëshpëruara të popullsisë.
Thjesht nacionalizmin duhet shndërruar në energji pozitive për të bashkëpunuar me fqinjët dhe për të punuar drejt prosperimit ekonomik, emancipimit dhe perëndimorizimit të shoqërisë.
Nacionalizmi shqiptar sot duhet të jetë ide evropiane - përqafimi i vlerave të përbashkëta europerëndimore – e jo rikthimi tek idetë etnocentriste të shekullit të kaluar.

Në këtë kontekst shqiptarët kanë shumë arsye për të menduar mirë për veten!
Dhe për t’ia menduar më të mirën vetes, por jo të rrëshqasin në ide anakronike kombëtariste e të rrezikshme të fundshekullit 19 dhe fillimshekullit 20.

Në anën tjetër, opozita kosovare po e interpreton AKS-në si “Republika Srpska” (serbët në Kosovë përbëjnë rreth 5% të popullsisë) përderisa pushteti nuk ka guxim ta mbrojë nënshkrimin e Kryeministrit Isa Mustafa, duke dëshmuar luhatje dhe shpesh argumente jobindëse.

“As mua nuk më pëlqen, por s’kemi qare pa e bë…” – parafrazohet Mustafa, duke harruar se ai duhej të ishte Kryeministër edhe i serbëve kosovarë që jetojnë në veri të vendit dhe se ai duhej ta mbronte e të garantonte për Asociacionin!?

Akronimi AKS doli në rrugët e Kosovës si parullë me tone të forta nacionaliste: “Zajednica nuk kalon”, që mëton mobilizimin e turmave kundër një të drejte të ligjshme të serbëve të arritur njëherë – në procesin e Vjenës, 2006-07 dhe të sanksionuar në Pakon Ahtisaari përkatësisht në Kushtetutën e Kosovës.

Në anën tjetër më 2013 janë votuar në Kuvendin e Kosovës parimet bazë, por qe me marrëveshjen e 26 gushtit 2015 duket të jetë vënë në rrezik multietniciteti i vendit (sidomos me propozimin e një serbi për komandant lokal të policisë, kjo bie ndesh me parimet ahtisaariane të Kosovës shumetnike, mbase në komunat me shumicë serbe jetojnë edhe komunitete tjera dhe marrëveshja i privon ata nga pjesëmarrja në vendimmarrje dhe për këtë, grupe të të drejtave te njeriut duhej t’i drejtoheshin Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë – sepse kjo prerogativë duhet korrektuar.

Mirëpo, megjithatë cilësimi i këtij asociacioni si “Zajednica” dhe vërsulja kundër saj, nga perëndimorët shihet si tendencë e rritjes së nacionalizmit etnik shqiptar, për të cilin shqetësohet ambasadori amerikan Delawie.
Ç’është në të vërtetë nacionalizmi i majtë ?
Nacionalizmi i majtë, është një lëvizje politike dhe fenomen shoqëror që shpërfaqet si rezultat i presioneve të jashtme, diskriminimit, rënia ekonomike… etj.

Sipas dijetarit Fatlum Sadiku, nacionalizmi i majtë në ditët e sotit, karakterizohet nga një qëndrim armiqësor ndaj ndërmarrësive supra-nacionale siç janë në rastin e Ballkanit kundërshtimet e qarqeve të caktuara ndaj BE-së dhe zgjerimit të saj, respektivisht në kontekst më të gjerë dhe kondita të përgjithshme të nomosit ideologjik, nacionalizmi i majtë kudo predisponon me një qëndrim anti-mondialist.

Marrëveshjet mbi tregtinë e lirë koncipohen si të dëmshme për shtetin (“blini produkte vendore !”), kështu që anohet kah ideja etatiste/merkantaliste ndaj tregut ekonomik.. Nacionalizmi i majtë po ashtu potencon dhe vë theksin tek argumenti i pretenduar se triumfi i luftës së klasave, është mënyra e vetme e triumfit edhe mbi tendencat eksploatuese dhe zhvatëse të shtetit/kombit eksploatues”.

Dhe së fundi ky nacionalizëm majtist është në një konflikt të hapur me demokracinë dhe ekonominë e tregut.
Edhe në zemrën e saj, demokracitë është e qartë që vuajnë nga probleme serioze strukturore, më tepër se trupat nga një sëmundje e izoluar.

Sepse demokracitë e reja duke qenë shoqëri klanore, nuk janë imune nga nepotizmi që është forma burimore e korrupsionit dhe nacionalizmi etnik që paraqet formën iniciale të fashizmit.
Që nga agimi i epokës moderne demokratike në fund të shekullit të 19-të, demokracia është shprehur përmes shteteve-kombe dhe parlamenteve kombëtare.

Porse Republika e Kosovës nga shumica në pushtet dhe nga opozita konsiderohet shtet pa komb dhe me parlament shtetëror, pra jo kombëtar – që nuk i gjendet kund shoqi!???
Njerëzit zgjedhin përfaqësuesit që tërheq levat e pushtetit kombëtar për një periudhë të caktuar. Por kjo marrëveshje tani është nën sulm nga lart dhe poshtë.

Nga lart, globalizimi ka ndryshuar politikën kombëtare thellësisht.
Nga poshtë vijnë me sfida në mënyrë të barabartë të fuqishme: nga do të jenë kombe të shkëputura, të tilla si katalonjasit dhe skocezët...

Sfida më e madhe për demokracinë, megjithatë, vjen as nga lart e as poshtë, por nga brenda-nga vetë votuesit.
Votuesi kosovar ende është i lidhur me krerët krahinorë (me njerëzit e fuqishëm duke i pandehur për heronj jo gjithherë të merituarit.)

Populli edhe e ka të drejtën e gabimit, porse janë elitat kulturore e politike të një kombi që duhet ta ndreqin secilin gabim të popullit – paçka se këto elita në Kosovë janë edhe vetë populliste – dhe të thonë parulla tërë ditën e lume, pa asnjë ide kreative që shpie në aktivizëm civil...

Po ashtu qytetarët kosovarë nuk duhet të besojnë në idetë e mëdha siç është bashkimi kombëtar, sepse elitat politike e përdorin vetëm si deklaratë politike, për t’i fituar zgjedhjet, sepse askush në Prishtinë nuk guxon që ta mbajë këtë qëndrim në Bruksel ose në Washington p.sh.

Dhe mbi të gjitha populli duhet ta dijë se Serbia nuk është më rreziku nr. 1 i Kosovës dhe se lufta për Kosovën ka përfunduar. Zërat nacionalistë nuk ndalen kurrë edhe tek kombet më të emancipuara, porse elitat nuk duhet të bien në avazin e ahmakëve dhe të mendojnë e veprojnë sipas zemërimit të turmave.
Pra floskula e bashkimit është për përdorim të brendshëm dhe intencë e pasinqertë!

Prandaj shumica e qytetarëve të Kosovës po qëndrojnë me kurrizin e kthyer thirrjeve për përplasje.
Shpresohej që vizita e Sekretarit John Kerry në Kosovë po bëhej në kohën e duhur dhe secila fjalë e fjali e tij do të ndikonte në uljen e tensioneve, por jo, nuk ndodhi kështu.
Pushteti e “përktheu” si mbështetje për thyerjen e opozitës, ndërsa opozita e “kuptoi” si mesazh kundër Qeverisë (sepse Kerry vërtet kërkoi ndaljen e korrupsionit.)

ShBA-ja do ta mbështesë Kosovën në shtetndërtim - lidershipi kosovar po të kishte pak vullnet politik mund të përdorte mesazhin e tij për t'i bërë një ofertë të sinqertë opozitës për një tryezë politike pa kushte nga asnjëra palë, në të cilën do të vendosej që pezullimi i marrëveshjes së Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të vazhdojë edhe pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, për t'iu drejtuar për një mendim këshillëdhënës Komisionit të Venedikut, ndërsa demarkacioni me Malin e Zi të mos ratifikohet në Kuvend pa u studiuar rishmi për të konstatuar helbete gabimet e pretenduara (përderisa edhe pala malazeze ka treguar gatishmëri për korrektim të shënimit të kufirit.)

Së fundi qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit se demarkacioni me Malin e Zi është korrekt, duke e rilegjitimuar Komisionin shtetëror kosovar në detyrën e kryer, ndonëse nuk ka dhënë ndonjë argument më bindës (ekspertizë) i ka luhatur edhe më këto kauza opozitare!?

Dhe çka nëse të dyja kauzat e opozitës bien si të paqëndrueshme (në natyrën e tyre janë ultimative!?)
A duhet t’i rikthehet legjitimiteti pushtetit?
Jo, sepse edhe pa këto dy “kauza”, ky pushtet vërtet nuk ka më asnjë ide dhe vizion për prosperimin e vendit dhe mbi të gjitha është “ulur në fronin e krimit dhe korrupsionit.”
Dhe ky pushtet nuk mundet ta ndalë korrupsionin që është kusht për liberalizimin e vizave!

Ndërkohë që për vjeshtën e vitit të ardhshëm palët duhej të pajtohen që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, sepse realisht në Kosovë ka krizë legjitimiteti.
Sepse urgjenca kërkon një vendim të menjëhershëm për të ndaluar shpërbërjen e mëtejshme të sistemit e si pasojë edhe të shoqërisë kosovare.
Zgjedhjet e lira në demokraci janë i vetmi mjet legal dhe pa trauma për të marrë pushtetin dhe ato në rrethanat kosovare mund të shërbejnë edhe si ventil për t’u çliruar nga frustrimi i shoqërisë nga kriza.

Edhe ajo identitare!
Pra si t’i sigurohet shtetit të ri një komb me bazë qytetare e që i “nënshtrohet” një kushtetute demokratike, që i jep besnikëri e luajalitet?

Që i jep dashuri edhe kur ai po dridhet nën trysnitë etnonacionaliste.
Kur rendi simbolik i tij është përdhosur dhe nuk e promovon as Qeveria që paguhet nga taksat e këtij kombi në jug e veri, i menduar nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës Marti Ahtisaari si komb multietnik!?

"Koha Ditore"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.