Pensionet përmes bankës, kundërshton Posta që drejtohet nga partia e Ilir Metës
Disa ditë më parë, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi bëri të ditur idenë e shërbimit të pensioneve përmes bankave. Klosi deklaroi se me aplikimin e kësaj praktike, do të marrin fund radhët e gjata për pensionstët, të cilët në çdo rast siç tha ministri, do të zgjedhin vetë nëse duan që pensioni i tyre të shpërndahet me bankë, apo siç është aktualisht përmes Postës. Konkretisht Klosi tha: “Ne nuk mund të pranojmë që sistemi bankar ka sot vetëm 3.4% të të gjthë numrit të pensionistëve të vendit tonë. Janë 620 mijë sot që përfitojnë nga skema e pensioneve, në masën e tyre më të madhe janë në zonën urbane që ka sistemin bankar në çdo lagje të qytetit. Një numër i konsiderueshëm i tyre është dhe në emigracion. Duhet të kemi të qartë që ky sistem përsëri do jetë vullnetar, ku çdo pensionisti do t’i ofrohet me vullnetarizëm, që nëse do të kalojë në bankë, të shkojë në bankë, por nëse do dojë të qëndrojë me postën, mund të jetë dhe ky një opsion”(http://www.oranews.tv/vendi/pensionet-kalojne-ne-banke-klosi-shmangim-rr...). Ai kërkoi më tej që bankat e nivelit të dytë që ishin në takim të “përfundojnë brenda vitit marrëveshjet e dakordësuara me ISSH, të rritin publicitetin në bazë territori, në mënyrë që të nxisin pensionistët të hapin llogarinë bankare për pagesën e pensionit”. Gjithçka duket pozitive: shtohet një alternativë për qytetarët që sjell edhe rritje të cilësisë së shërbimit. Nga ana tjetër, bankat kanë degë kudo, kështu që kostot e operacionit në planin administrativ janë thuajse zero. Alternimi i shërbimit do ta çlironte Ministrinë nga një pjesë e barrës financiare që sot përballon si fond i detyrueshëm për Postën, pikërisht në këmbim të këtij shërbimi.
Por duket se MMS-së i ka dalë përpara një probelm ndoshta i paparashikuar. Problemi është vetë Posta, e më saktë Lëvizja Socialiste për Integrim. Sot njoftohet se Drejtori i Përgjithshëm i Postës, Majlind Lazimi “zhvilloi sot një takim me partnerë dhe operatorë të sistemit financiar për të diskutuar rreth rolit të Postës Shqiptare në sistemin financiar”. Dhe Lazimi ka dalë menjëherë në temë pasi me sa duket propozimi i MMS-së e lë Postën, që " i përket" LSI-së pa një fond që është jo i vogël. Mjafton të shohim shifrat që përmend vetë drejtori Lazimi, që pasoi në detyrë Ardit Çelën, i paditur nga KLSh-ja për një sërë shkeljesh. “Kemi një objektiv shumë të qartë që, përveç atyre shërbimeve të cilat janë klasike në sportelet tona, ne kemi dashur në mënyrë shumë agresive të rrisim prezencën tonë edhe në shërbime të cilat i vijnë më afër qytetarit, i vijnë më afër klientëve tanë, të cilët nëse mund të llogariten ne vlerë absolute i kalojnë 1 milion klientë në vit, duke përfshirë pjesën dërrmuese të cilët janë pensioniste, mbi 550 mijë...” – tha Lazimi. Dhe pak më poshtë: “Dua të konfirmoj që ky shërbim do të vazhdojë të bëhet nga Posta Shqiptare dhe jo vetëm për 550 mijë pensionistë, por ndoshta edhe më shumë pensionistë mund të zgjedhin Postën shqiptare për të bërë këtë shërbim në të ardhmen. Ne kemi burimet njerëzore dhe e ofrojmë edhe në shtëpi këtë shërbim” – përfundoi ai(http://perqasje.com/2015/12/pensionet-do-te-vazhdojne-te-jene-ne-poste-g...).
Pse nuk është bërë kjo deri më tani? Kur ministri thotë se shërbimi do të alternohet me banka, ai i referohet radhëve të gjata që krijohen në postë, por edhe fondit që transferon te ky institucion. Ky shërbim i keq i kushton buxhetit disa miliardë lekë në vit dhe nëse bankat ofrojnë kosto më të ulëta asgjë e keqe nuk vjen.
Posta drejtohet nga LSI-ja, por nuk është pronë e saj. Por ndoshta ky është problemi: perceptimi i institucioneve dhe shërbimeve që derivojnë prej tyre si parcela partie për punësim dhe menaxhim fondesh. Në ballë të kësaj sjellje qëndron e shtrenjta jonë LSI, e cila nuk kujdeset më ta fshehë, por e promovon këtë parim qeverisës të vetin.
Comments
Mos t'ju duket cudi kjo qe po
Mos t'ju duket cudi kjo qe po thuhet. Eshte si puna e marreveshjes se JALTES, qe respektohet edhe sot nga superfuqite. PS dhe LSI, kane ndare zonat, dhe keto do te vazhdojne sa te jete ky koalicion.
Add new comment