Cinizëm i pakuptimtë
Dekorimi(qoftë edhe në vitin 2014) i disa personave me statusin e veteranit, por që gjatë regjimit komunist, kanë mbajtur detyra të larta në aparatin represiv, sigurim dhe gjykata, e ka vënë qeverinë aktuale në një situatë të çuditshme. Disa media vunë në dukje se mes të dekoruarve ishte edhe hetuesi i At Zef Pllumit, që nga përfaqësues të komunitetit katolik mbahet si figurë e lartë dhe që krijon ndjeshmëri të caktuara. Kanë nisur madje thirrjet që Edi Rama ta tërheqë medaljen. Kjo ka pak rëndësi, pasi askush nuk është në gjendje të kuptojë seriozitetin e dikujt që shkruan ditirambe. Rëndësi ka situata paradoksale dhe krejt pa princip ku qeveria e vendos veten.
Kështu jemi dëshmitarë se gjatë vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, qeveria ndërmoi një seri investimesh për dekorimin e bulevardit qendror të Tiranës, ku u vendosën portrete të priftërinjve katolikë të dënuar nga regjimi i Enver Hoxhës. Një nismë me karakter oportunist, pasi rivlerësimi i figurave, pa mohuar dënimin dhe vuajtjen, kërkon paraprakisht diskutim publik dhe njohje. Më tej akoma, kryeministri aktual, bëri çmos ta shiste pritjen e Papës si një ngjarje që përçon shqiptarët drejt destinacionit europian, duke nënvizuar tiparet kristiane. Podiumi i kësaj sjelljeje që ndoshta vjen nga përkatësia e vetëdeklaruar katolike e kryeministrit Edi Rama, ishte “prita” që ai i zuri Papës me djalin e e vogël në dorë, në kërkim të një bekimi. E këtë bekim, kryeministri e përmendi edhe në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Duke shitur "përkatësi" të tilla si vokacion të brendshëm, ngjan e pritur sesi qeveria shpërndan medalje për ata që ishin zyrtarë të operacioneve represive të regjimit të shkuar, pa hyrë këtu në diskutimin nëse kanë zbatuar ligjin, apo kanë besuar te regjimi. Çështja është se një qeveri, një kryeministër, por edhe një artist po të duam, që mëton të përfshihet në debate ideologjike, që flet për fenë, identitetin, Europën etj., do të duhet ta kishte vokacion përcaktimin qytetërimor dhe besimin në kahjen strategjike të Shqipërisë. Përndryshe, episode të tilla bindin këdo se pritja e Papës, shëtitja me tre lapsa në Paris, iftarët, përurimi xhamive, janë vetëm e vetëm show, teatër politik. Mund të pyetet: përse i gjithë ky stërmundim kur nuk beson në asnjë vlerë, kur nuk ke respekt për asgjë përveç mirëqenies tënde dhe të kaluarës politike të rrjetit shoqëror që po e ripromovon??? Ndoshta gabojmë, por nëse kryeministri aktual vërtet beson se po bën diçka të mirë në këtë drejtim, mund të thuhet pa dyshim, se ky është një iluzion që e përjeton i vetëm. Pasi cinizmi i shfaqjeve të tilla, është jo vetëm i tepërt, por edhe pa kuptim.
Add new comment