Tuneli i Arbitrazhit
Në vitet 2011-2013, opozita e atëhershme e drejtuar prej Edi Ramës bëri të vetën kauzën e konçesioneve, duke u përbetuar me të madhe se do të rishikonte çdo konçesion të dhënë dhe se nuk do të njihte asnjë prej tyre që ishte dhënë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve. Por nëse një pjesë e të gjithëve ne do të kishte qenë pak më e vëmendshme dhe më e përgjegjshme, do të mjaftonte kjo deklaratë që vota ndaj tij të mendohej mirë. Jo vetëm pse asnjë konçesion nuk u rishikua, por sepse një gjë e tillë kërkon punë serioze dhe angazhim të madh në burime njerëzore, si dhe del kundër shumicës së praktikave ndërkombëtare. Ilustrimi më i mirë për të kuptuar sesi qeveria e tanishme është kthyer në një gjethe fiku e vetvetes është deklarata e kryeministrit për çështjen e CEZ-it në tetor të këtij viti: “Shqipëria gjendej në një kërcënim tjetër të një beteje, të një “Vaterloje” në arbvitrazhin ndërkombëtar ku malit të problemeve financiare për shkak të gjithë borxhit të akumuluar rrezikonte ti shtohej dhe një borxh i ri i papërballueshëm për financat e shtetit”. Kjo deklaratë u bë në panik e sipër kur KLSH-ja deklaroi se CEZ-it i ishin falur 472 milionë euro nga dyshja Rama-Gjiknuri. Çfarë Vaterloje ka përtej kësaj shifre? Dhe cila Vaterlo e justifikon atë? Në të kundërt qeveria do të duhet të zbardhë shifrën e vet për të treguar se ka mbrojtur interesat tona.
Qeveria e tanishme trashëgoi një konçesion të turpshëm siç është ai i skanimit në dogana: u deklarua dy vjet se kontrata nuk është e zbatueshme, kur befas një ditë ministri i Financave pranoi se ajo ishte rinegociuar me ulje dhe “se ishte e kopsitur juridikisht”. Me këtë rast u shmang edhe Vaterloja e dytë me 22 euro për deklaratë.
Këtu përfundon loja me justifikimin se këto ishin kusure të qeverisë që iku.
E njëjta praktikë vazhdoi edhe pas 2013-ës. Qeveria deklaroi se përmbushja e detyrimeve që burojnë nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut për kompensimin e pronarëve çonte në faliment. Dhe premtoi një ligj të ri sipas parimit: “Zero probleme me pronarët”. Në fakt ligji i ri rrezikon penalizojë rëndë Shqipërinë, pasi ai parashikon disa dispozita thuajse poshtëruese, kur e sjell pronarin përpara vlerësimit të kohës së shpronësimit dhe me zërin kadastral të dikurshëm, duke përjashtuar këtë kategori nga e drejta për të përfituar nga ndryshimet pozitive dhe zhvillimore të vendit. Sa mund të jetë fatura për këtë projekt nëse ai do të nisë të zbatohet e mandej sipas të gjitha gjasave shpallet në kundërshtim me të drejtën?
Konflikti me Crown Agents është pasojë e kësaj qeverie e cila në mënyrë të papritur dha një kontratë për doganat. Dështimi i gjithëpranuar i saj solli prishjen e mirëkuptimit. Por kontrata është kontratë dhe zgjidhja e saj kërkon pak durim dhe njohuri. Përndryshe edhe CA ka lënë të kuptohet një përballje në Arbitrazh(http://www.gazetatema.net/web/2015/10/13/a-po-shkojme-drejt-nje-arbitraz...).
Konflikti me Bankers Petroleum është më i pasqaruari për arsyet e vërteta. Lexoni çfarë thotë sot ministri i Energjetikës: “Ne, nga auditet e kryera nga agjencitë e specializuara, kemi gjetur që ka kosto të fryra dhe ky është thelbi i konfliktit, që ka vajtur në Arbitrazh”. Ky është po ai ministër që personalisht Audititn e KLSH-së e quante politik, kurse sot mburr dhe mbrohet me auditet e veta. Këtu do sjellë ndërmend se bllokimin e llogarive të BP-së e ka bërë Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve, kur Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore(kush e ka këtë PS apo LSI)ishte shprehur me të tjera terma. Konflikti me Bankers e çon qeverinë në Arbitrazh me sigurinë e auditeve të DPT-së apo ndonjë institucioni në Ministrinë e Energjetikës, bazuar mbi dyshime për evazion. Po pse bllokim i llogarive dhe jo gjobitje? A ka bazë mbrojtjeje qeveria shqiptare e cila shumë mirë mund të bënte p.sh audite të specializuara edhe pranë CEZ?
Kostoja e përballjeve të tilla, për prishje të njëanshme kontrate rrezikon ta zhveshë lakuriq Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare. T’i faturojë asaj kosto të papërballueshme përkundrejt të cilave pagesa është e pamundur. Nuk dihet nëse këtu mbyllet ky cikël, por përvoja dy vjeçare e kësaj qeverie dëshmon se ligjvënia në disa raste është shumë e pastudiuar. Le të presim...
Add new comment