Bashkoj o shokë...kundër informalitetit...Kënga e një beteje të humbur
Edhe informaliteti kaq e pati si kauzë: rezultatet e aksioneve represive të qeverisë nuk janë optimiste. Për muajin tetor nga të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, rezulton se qeveria arkëtoi 31.6 miliardë lekë të ardhura, 4.5 miliardë lekë më pak se sa plani i rishikuar i këtij muaji që qe 36.2 miliardë lekë. Por njëkohësisht, gjatë tetorit të këtij viti, qeveria arkëtoi 886 milionë lekë më pak se sa tetori i vitit 2014, pavarësisht se këtë vit është rritur taksa e qarkullimit mbi karburantin nga 17 në 27 lekë për litër si dhe akciza e cigareve nga 90 në 110 lekë për paketë(http://www.gazetadita.al/deshtimi-i-antiinformalitetit-4-5-miliarde-leke...). Dhe tetori ishte muaji kur kryeministri fliste për numër të shtuar të lëshimit të kuponave tatimorë, për shtim cilësor të regjistrimit të bizneseve etj.. Asgjë nuk funksionoi dhe me sa duket qeveria kaloi në planin e taksës zero, meqenëse nuk mbledh dot më atë që priste. Taksa zero e ul planin e të ardhurave për ta sjellë aty ku edhe qëndron aftësia e kësaj administrate: të mbledhë sa të mbledhë. Me këtë rast kësaj politike nga halli i vëmë edhe emrin: politikë stimuluese. Nisur nga këto shifra dhe nga ky lloj reagimi, qeveria po nis t’i ngjajë qeverisë paraardhëse të cilën e akuzonte “se nuk ka sy të shohë, apo veshë të dëgjojë”. Dhe tingëllon gati surreale kur ndërkohë që aksioni i “tatimit të jashtëzakonshëm” siç ngjan ai kundër informalitetit, u mbyll me bisht ndër shalë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u nis letra falënderimi bizneseve që janë të rregullt. Thotë ministri: “Lufta që qeveria jonë i ka shpallur informalitetit, nuk synon vetëm mbledhjen e sa më shumë kontributeve dhe të ardhurave, por në radhë të parë, kërkon që të krijojë kushtet e konkurrencës së ndershme, ku te gjithë sipërmarrësit trajtohen në mënyrë të barabartë, përpara rregullave dhe ligjit”. Çdo ministër e ka për detyrë ta thotë këtë, por derisa kjo është e sanksionuar në çdo ligj, mbetet krejt qesharake dhe mjerane që një përballje mes ligjit dhe shkeljes së tij, qeveria aktuale e konverton në aksione dhe në ndryshim politikash fiskale të përdymuajshme, duke shpallur të dalluarit dhe mbetësit.
Add new comment