Fundi i antibiotikëve
Ka vite që paralajmërohet dhe dita ka ardhur. “Magjia” e antibiotikëve ka marrë fund, pasi siç bëhet e ditur, aktualisht nuk ka më një antibiotik, ndaj të cilit bakteret të mos shfaqin rezistencë. Një zbulim i bërë nga kërkuesit në Kinë, i vë vulën frikës së shprehur deri më tani, e që në fund të vitit të kaluar detyroi edhe presidentin amerikan Barack Obama dhe kryeministrin britanik, David Cameron, ta cilësonin imunitetin e fituar të baktereve ndaj antibiotikëve si një nga kërcënimet më serioze për njeriun. Deri më tani, pranohej se një lloj bakterieje, quajtur Gram negative, kishte mbetur e ekspozuar ndaj një lloji të veçantë antibiotikësh, të njohur si polymyxins. Këto të fundit u quajtën si shpresa e fundit dhe përdoreshin në infeksione nga baktere që shfaqnin rezistencë ndaj çdo lloj antibiotiku tjetër. Për këtë arsye, colistin, polymyxin më i përdorur, u klasifikua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një antibiotik me rëndësi kritike për shëndetin e njerëzimit. Por pavarësisht kësaj, fermerët, sidomos në Kinë, e përdorën colistinin në masë të madhe për të rritur peshën e derrave dhe pulave. Përdorimi solli edhe njohjen e colistin nga bakteret dhe përshtatjen e tyre. Yi-Yun Liu nga Universiteti Bujqësor i Guangzhou në Kinën Jugore kanë zbuluar genin e parë të njohur që është rezistent ndaj colistinit dhe që transferohet lirshëm në baktere. Më tej akoma, ky gen rezulton të jetë përhapur në Kinën Jugore, në 15% të mostrave të mishit dhe 21% të kafshëve të testuara mes viteve 2011-2014. Dhe çfarë është më e keqja, ky gen rezistent ka nisur të shfaqet në infeksionet te njeriu. Ekipi kinez konstatoi 16 raste nga 1332 teste urine dhe gjaku që kreu për këtë qëllim. Geni në fjalë, i cili transferohet nga bakteri në bakter, pra nga njësia në njësi, përmes mjedisit të infektuar, krijon kushtet për lindjen e një bakteri rezistues ndaj të gjithë antibiotikëve. Pan-rezistenca e një bakteri do ta bënte atë të paasgjësueshëm nga çdo lloj antibiotiku që është sot në qarkullim. Sipas ekipit kinez, ky gen lëviz lirshëm edhe mes pathogjeneve të zakonshëm tek njeriu si Escherichia coli, Klebsiella dhe Pseudomonas, që shkaktojnë infeksione serioze në gjak, infeksione urinare dhe në stomak. Në situatën e tanishme vihet re edhe një ndryshim cilësor: rezistenca ndaj colistin ishte vënë re edhe më parë, por mutacionet në genet bakteriale që përgjigjeshin për këtë rezistencë, nuk mund të përhapeshin jashtë bakteres që e kishte zhvilluar këtë aftësi. Ekipi kinez ka zbuluar genin MCR-1 që e thyen këtë kufizim. Kjo do të thotë se problemi shumë shpejt do të jetë global. https://www.newscientist.com/article/dn28513-bacteria-now-resistant-even...
Add new comment