Me biznesin njësoj si me mediat. Kryeministri jep leksione për ligjin: “Ju kanë gënjyer”
Përfaqësues të biznesit kanë dalë sot në protestë dhe kanë paralajmëruar se ka nisur procedura e ankimimit kushtetues të ligjit të ri të procedurave tatimore. “Po ju bëj me dije që gjysmë ore më parë nisi procedura për të cuar në kushtetuese ligjin dhe kemi shpresë që do të fitojmë. Kushtetuta parashikon gjobë progresive, jo për një fije gjilpëre të gjetur në faturën tatimore të falimentosh një biznes. Dënohesh me tre vite burg dhe 10 mln gjobë, më thoni në 25 vite cili nga politikanët shqiptarë është burgosur”, thanë disa prej protestuesve. E ndërkohë që përfaqësues të biznesit artikulojnë këto shqetësime që janë ngritur që në fillim, pra qysh kur qeveria përveshi mëngët për të folur me gjuhën e prangave, kryeministri vijon me të njëjtën gjuhë. Njësoj siç u drejtohet gazetarëve për t’iu thënë se çfarë është lajm, sesi ai verifikohet, apo sesi ai duhet shkruar, Edi Rama u ka “sqaruar” tregtarëve se ata ligjin e kanë lexuar gabim dhe se i kanë gënjyer. “Mos lejoni që gënjeshtarë dhe mashtrures ordinerë tju përdorin duke u thënë se po ju vjen e keqe e madhe nga ligji për procedurat tatimore. E kundërta është e vërtetë, ne e kemi shprehur publikisht që për të gjithë tregëtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregjet e komuniteteve, jo vetëm që nuk do të ketë rritje taksash, po ndryshim rrënjësor të regjimit fiskal të tyre, në shërbim të tyre”, tha Rama. Ndërkohë protestuesit kanë deklaruar se në datën 27 nëntor do të mbahet protestë me përfaqësues nga e gjithë Shqipëria.
Add new comment