Çerek shekulli dhe regjistrimi i pronave është ende në start
Në pjesën bregdetare të Bashkisë së Himarës, ose në territorin e vjetër të kësaj njësie të qeverisjes vendore, procesi i rregjistrimit të tokave është ende “në start”. Për një periudhë 25-vjeçare, pothuajse nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Në përballje me specialistë të fushës, termi që dëgjon prej tyre është “zonë e pamenaxhuar”, çka i frenon të gjitha përpjekjet e mëtejshme të të interesuarve, për të vepruar. Problemet e shumta me pronat në këtë zonë, kanë bërë që, nismat e mëparshme të dështonin pothuajse qysh në start.
Por në muajin mars të këtij viti, Bashkia e Himarës, në bashkëpunim me Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Prefekturën dhe Këshillin e Qarkut, nisën të zbatojnë një projekt pilot në fshatin Dhërmi. Suksesi, apo mossuksesi i këtij projekt pilot, do të përcaktojë edhe ecurinë e mëtejshme të këtij procesi në të gjithë territorin.
Ndarja e tokave sipas ligjit 7501
Në procesin e ndarjes së tokave bujqësore, në Bregdetin e Himarës është respektuar ligji 7501. Por, në një pjesë të fshatrave, në fillim të viteve ‘90-të, kur nisi procesi i ndarjes së tokave, ligji 7501 u trajtua në funksion të pronave të vjetra. Në raste të caktuara, me marrëveshje mes tyre, banorët vendosën që në këtë drejtim të veprojnë “fshatçe”. “Disa familje këtu, në fshat, kemi marrë tokën që na kanë lënë baballarët dhe gjyshërit tanë”, thotë Th.Kashta, një prej banorëve të fshatit Palasë. Por, në fakt realiteti nuk përputhet plotësisht me këtë. Megjithëse në “minorancë”, ka mjaft raste, kur një pjesë e banorëve i kanë marrë tokat sipas pronave të trashëguara, ndërkohë që të tjerë kanë përfituar sipas ligjit “Për tokën”.
Kjo spikat veçanërisht për banorë të ardhur në zonën e qytezës së Himarës gjatë viteve të komunizmit, të cilët kanë punuar në sektorë të ndryshëm. “Kam punuar në kooperativën e Himarës për shumë vite deri në 1990-ën dhe kur u ndanë tokat përfitova sipas ligjit”, thotë M.D, një 65-vjeçar me origjinë nga fshatrat e Lumit të Vlorës. Ai tani jeton në qytezën e Himarës, por për tokën që i ka dhënë ligji, i kanë dalë pronarë të tjerë, me të cilët është në konflikt dhe për këtë arsye i është drejtuar gjykatës. Nga ana tjetër, ka edhe banorë autoktonë që nuk kanë patur prona të trashëguara, por kanë përfituar përmes ligjit 7501. Edhe ata kanë çështje gjyqësore të hapura me persona që pretendojnë për pronësi, sipas hartave të vjetra të para vitit 1946.
Ndërkohë, shoqata “Bregdeti”, prej vitesh kërkon që për shkak të specifikave të veçanta, në Himarë tokat të ndahet sipas hartave të vjetra dhe secili të marrë pronën e trashëguar nga paraardhësit. Dhe, aktualisht, tabloja e pronësisë mbi tokën në të gjitha fshatrat e Himarës, është e larmishme e mbushur edhe me konflikte gjyqësore.
Mungesa e regjistrimit të tokave pengon investimet
Ky realitet ka krijuar edhe ngërçin ligjor që reflektohet tek pamundësia e zbatimit të procesit të regjistrimit të tokave. “Kam kërkuar të blej një sipërfaqe toke prej 1000 metra katrorë, ku mendoj të ndërtoj një objekt turistik, por nuk mundem. Toka që kam gjetur ka pronar, por ai nuk mund ta regjistrojë për shkak të problemeve me ligjin”, thotë Ilo, një qytetar nga Tirana. Por raste të tilla janë të shumta. Në këto kushte dhe për shkak të kësaj, investimet në funksion të turizmit, këtu janë frenuar, ose ecin me ritme të ngadalta. “Për zonën e Himarës nuk kryejmë procesin e rregjistrimit, ose më saktë rregjistrojmë vetëm ato prona për të cilat ka një vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, apo ka një akt trashëgimie në përputhje me ligjin”, thotë një nga specialistët në Zyrën Vendore të Rregjistrimit të Pronave dhe Pasurive të Paluajtshme në Vlorë.
Pak histori
Në fakt, ka një përpjekje në vitin 1996, kur procesi i rregjistrimit të pronave në bregdetin e Himarës, nisi sipas një projekti të fnancuar nga USAID. Ky projekt u zbatua në fshatin e Qeparoit dhe më pas u ndërpre. Në vitin 2000, Bashkia e Himarës, kundërshtoi vazhdimin e tij, duke e argumentuar këtë qëndrim me problemet e pazgjidhura të pronësisë. Në këto rethana, gjithçka e realizuar më parë, u zhvleftësua.(!!!!) Ndërkohë, 3 vjet më parë, një projekt i financuar nga OSBE, synoi të krijonte një pasqyrë të problemeve që ekzistojnë me pronësinë në këtë zonë. U zhvilluan edhe takime me banorë të zonës, të cilat u shndërruan në mjaft raste në hapësira debatesh të shumta mes banorëve.
Goro: Në Dhërmi regjistruam banesat, por tokat ende jo
Në fshatin e Dhërmiut të kësaj bashkie, nisi në muajin mars të këtij viti një projekt i përbashkët i Bashkisë me Zyrën Vendore të Rregjistrimit të Pronave të Paluajtshme, Prefekturën dhe Këshillin e Qarkut. Kryetari i Bashkisë, Jorgo Goro, thotë për “Shekulli” se, ky është një projekt pilot, që krahas rregjistrimit të pronave, do të shërbejë edhe si një bazë, si një mundësi për ecurinë e procesit në të gjithë pjesën tjetër të bregdetit dhe në vazhdimësi edhe në ato njësi që u përfshinë në territorin e ri të kësaj njësie të qeverisjes vendore. “Është një projekt pilot, që përfshin rregjistrimin e të gjitha pasurive të paluajtshme, banesa, toka bujqësore etj”, thotë Goro. Por, nëse me rregjistrimin e banesave puna përfundoi, procesi po ecën tepër ngadalë në pjesën tjetër. “Moria e problemeve është mjaft e ngjeshur, sa e ka ngadalësuar tepër këtë proces”, shprehet kryebashkiaku i Himarës.
Sipas tij, mes problemeve spikasin mungesa e dokumentacionit, largimi i banorëve në emigracion, si edhe çështje që lidhen me mënyrën se si është ndarë toka. Komisionet e mëparshme të ndarjes së tokës kanë marrë vendime të cilat, në një masë të konsiderueshme kanë krijuar edhe konflikte të ndryshme, të cilat tani janë shndërruar në pengesa për realizimin e procesit të rregjistrimit. “Baza e këtij procesi, sigurisht që është Ligji 7501, por zbatimi në terren po has vështirësi për arsyet që thamë më sipës, ku përfshihen edhe vendimet e komisioneve të ndarjes së tokave, të cilat në raste të ndryshme kanë dhënë zgjidhje që nuk përputhen me kuadrin ligjor”, sqaron Goro. Gjithsesi, kryebashkiaku himariot thekson se, problemet që do të dalin nga projekti pilot, do t’i përcillen Qeverisë Shqiptare për të vlerësuar ecusinë e mëtejshme të procesit. Ai shton se, në këtë proces, ka vendin e vet edhe aspekti financiar, i cili konvertohet me vlera të konsiderueshme, praktikisht të papërballueshme për Bashkinë.
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, thotë se kostoja financiare e procesit të regjistrimit në territorin e vjetër të kësaj njësie të qeverisjes vendore, është 3 milionë euro. “Kjo është një vlerë që është praktikisht e papërballueshme për Bashkinë, por që mund të zgjidhet përmes donatorëve të ndryshëm”, thotë Goro. Ai shprehet se, gjithsesi, aspekti financiar nuk është pengesa kryesore për ecurinë e këtij procesi në Himarë.
Kryetari i fshatit: Prania fizike, shkaku kryesor i vonesave
Kryetari i fshatit Dhërmi, Leko Marko, thotë për “Shekulli” se, shkaku i vonesave në ecurinë e projektit pilot për regjistrimin e pronave, është mungesa e prezencës fizike të banorëve. “Emigrimi në Greqi dhe vende të tjera të Evropës, si dhe një emigrim i ri gjatë viteve të fundit, ka bërë që një pjesë e madhe e banorëve të mos jenë në fshat, gjë që e pengon ecurinë e procesit të rregjistrimit të pronave”, thotë Marko. Ai sqaron se, prania e tyre fizike është domosdoshmëri, sipas ligjit, në të kundërt çdo gjë zhvleftësohet. Deri tani, sipas Markos, ka përfunduar rregjistrimi i banesave dhe 40 përqind e tapive janë tërhequr nga pronarët e tyre. Ai sqaron se, për tokat bujqësore, ka përfunduar 30 përqind e sipërfaqes, por për pjesën tjetër, do të duhen edhe rreth 8 muaj. U është bërë thirrje banorëve të kthehen, përmes formave të ndryshme të komunikimit. Por, ndërkaq, Marko pranon se konfliktet e pronësisë janë një faktor tjetër në realizimin e procesit. Mjaft pronarë, apo ish pronarë i janë drejtuar Gjykatës, e cila ka dhënë apo jep e do të japë zgjidhje, në vijimësi.
Ndërkohë, në vitin 2009, Bashkia, drejtuesit e atëhershëm të kësaj njësie të qeverisjes vendore, përgatitën dhe shpërndanë “tapi” për pronarët e pretenduar sipas hartave të vjetra të pronësisë, të para vitit 1946(!). Por, këto “tapi”, të nxjerra në kundërshtim me ligjin, nuk mund të kishin vlerë. Ish-kryetari i kësaj bashkie, Vasil Bollano, nismëtar i përgatitjes së këtyre tapive, i ndërgjegjshëm për këtë fakt, nuk i respektoi ato në asnjë rast, kur ishte fjala për t’u njohur të drejtën ish-pronarëve për t’i shfrytëzuar pronat e tyre për ndërtime, apo për t’i përfshirë në treg.
"Shekulli"
Add new comment