Intervista/Frangaj i përgjigjet nga portali i Fevziut Mero Bazes dhe Andi Bushatit për “Lagunën Blu”, por jo Partisë Demokratike
I gjendur prej ditësh në fokus të mediave dhe analizave për një ndërtim në Golem, administratori i "TV Klan", Aleksandër Frangaj, u është përgjigjur komenteve në shtyp, por jo akuzave të ngritura nga Partia Demokratike për këtë çështje. Ai i quan shpifje pretendimet e gazetarëve Mero Baze e Andi Bushati se po favorizohet nga kryeministri për ndërtimin në fjalë.
1. Ju jeni bërë ditët e fundit protagonist i një beteje mediatike që lidhet me Lagunën Blu. Pyetja e parë, pse nuk keni reaguar prej kaq ditësh dhe si qëndron e vërteta?
– Kam refuzuar prej shumë vitesh të bie në lojën e pisët të shpifësve profesionistë, prandaj dhe nuk kam reaguar ndaj kësaj histerie të organizuar nga kryeshpifesi historik dhe fotokopja e tij e gjysëm lapsit. Por, për të sqaruar ata që vërtet duan të dinë edhe të vërtetën time, po ju them që kjo është një histori aq banale sa edhe e turpshme për ata që më sulmojnë.
Prej shumë vitesh kam blerë tek kompania “Epidam” një investim në kompleksin e ngritur prej saj, ambientet sportive. Më pas, me daljen e ligjit që detyronte të blinin truallin të gjithë disponuesit e objekteve në fshatrat turistike, të cilët kishin ndërruar destinacionin e përdorimit nga resorte për zhvillim turizmi në shtëpi të dyta pranë detit, edhe unë si gjithë banorët e tjerë kam blerë edhe tokën nga shteti, duke u bërë pronar i ligjshëm i investimit dhe i truallit. Kjo procedurë ligjore është aplikuar nga të gjithë banorët e këtij kompleksi si dhe të pothuaj të gjithë fshatrave turistike në të gjithë Shqipërinë.
Në vitin 2014, në përputhje me studimin urbanistik të Komunës Golem, kam aplikuar dhe kam marrë lejen për strukturë individuale banimi 1 dhe 2 kate nga Kryetari i Komunës Golem. Pra, investimin ja kam blerë pronarit te ligjshëm ‘Epidam’ shpk, truallin ia kam blerë pronarit të ligjshëm -shtetit, lejen e kam marrë pranë autoritetit të ligjshëm Komunë.
2. Sipas shtypit afati i lejes ka përfunduar, përse vazhdoni të ndërtoni?
– Është shpifje e atyre që përmenda me lart. Afati i lejes së ndërtimit është deri më 31 shtator 2016.
3. Është shkruar që leja është marrë nga Mane TCI, por Mane është tërhequr pas takimit me banorët. A e ka bërë ai të pavlefshëm këtë leje?
– Është e pasaktë. Leja është marrë në fillim nga Mane TCI, por me vendim të Kryetarit të Komunës Golem, date 02.06.2015 është miratuar ndryshimi i subjektit ndërtues tek shoqëria “Kupa” shpk. Mane mund të jetë tërhequr nga ndërtimi i vilës së vet, por kjo nuk ka lidhje me mua. Janë 2 leje të veçanta dhe në pronësi të ndryshme.
4. A ka ndikuar kryeministri Rama ne këtë leje ndërtimi? A ka qene ai autori i saj?
– Jo. Leja është kompetence ligjore dhe kushtetuese e organit të qeverisjes vendore. Nuk ka patur nevojë të kërkoj ndihmën e Kryeministrit se gjithçka është me pikë e presje në përputhje me studimin urbanistik dhe të drejtën legjitime për të zhvilluar pronën në përputhje me kondicionet e parashikuara. Gjithçka është e bazuar në ligj dhe e verifikueshme lehtësisht. Një leje nëse është e ligjshme apo e paligjshme nuk gjykohet me peticione apo me sulme në portale. Aq me pak këto i gjykon Kryeministri. Gjykimet i bën vetëm Gjykata.
5. Po banorët që reagojnë dhe protestojnë?
– Disa nga banorët e fshatit mendojnë se janë pronarë të të gjithë hapësirave që shohin me sy dhe si rrjedhim pretendojnë se ai investim dhe ajo tokë janë të tyret. Por asnjëri prej tyre nuk disponon asnjë të drejtë të ligjshme pasi pronar i një prone kudo në bote bëhesh kur ti e blen atë ose kur dikush ta dhuron atë. Nëse 1 person i vetëm disponon me shkrim një kontratë që atë pronë ia ka shitur apo dhuruar ndërtuesi i tyre, apo që të kenë paguar 1 euro për atë truall, unë nuk shkel më jo në Qerret, por as në Kavajë. Nëse dikush pretendon se mund të bëhet pronar i një prone vetëm se mund të protestojnë nëpër gazeta, apo se mund të firmosin peticione, mendoj se gabojnë. Kështu “komuniteti” mund të bëhej pronar i pronave të të tjerëve si askund në botë.
Pavarësisht se unë i kam blerë ato ambiente në përputhje të plotë ligjore tek pronaret e ligjshme të tyre, u kam deklaruar se 2 fusha sporti do t’ua sponsorizoj dhe do t’ua ndërtoj aty pranë, jo sepse u kam ndonjë borxh atyre që më janë qepur me shpifjet e tyre, por do ta bëj se e ndjej për detyrim përderisa i kam mundësitë t’ia kompensoj fëmijëve të komunitetit tokën ku do të ndërtoj, me dy terrene sportive të reja. Për mosbesuesit, u kam ofruar që nëse duan ti ndërtojnë vetë, të më japin numrin e llogarisë së përbashkët, dhe t'u derdh të gjithë shumën e nevojshme që kushton ndërtimi i dy fushave. Por reagimi i disa banorëve të frymëzuar nga dyshja e shpifësve, ka qenë që nuk duam të na ndërtosh fusha, por duam që ti të mos ndërtosh. Dhe është qesharake sepse një pjesë e banorëve që protestojnë, përfshi avokatin e tyre, kanë ndërtuar ose janë shtuar pa leje ndërtimi. Dhe tani protestojnë për një ndërtim me leje. Kjo tregon qartë se këtu kemi të bëjmë me një xhelozi ndaj meje që udhëhiqet nga gjysmë lapsi Andi Bushati dhe modeli i tij Mero Baze të cilët siç e keni parë përpiqen ta kanalizojnë politikisht duke u përpjekur të bëjnë lidhje mes TV Klanit dhe Kryeministrit. Këta mjeranë që kurrë nuk kanë mundur të ndërtojnë diçka të mirë as për shoqërinë, e as për veten e tyre, funksionojnë mbi modelin e gjobëvënies ndaj politikanëve, biznesmenëve apo figurave publike. Këta “parimorë” që fusha kërkojnë, por fusha nuk duan, zhgarravisin dhe i bëjnë presion Kryeministrit të pengojë mua që të ndërtoj në pronën time dhe me leje të rregullt, ndërkohë që më parë e kanë sulmuar po këtë Kryeministër apo dhe Kryeministrin e mëparshëm, pse ata pengojnë qytetarët të ndërtojnë me leje të rregullta. Ata s’pushojnë ditë-natë se kërcënuari Edi Ramën që ai të përdorë pushtetin e tij për të bllokuar Frangajn. Dhe i kërkojnë Kryeministrit të shkelë ligjin për të bllokuar Frangajn në këmbim të mbështetjes, në të kundërt betohen se do të jenë kundërshtarë. Ata harrojnë se edhe nëse e bindin Kryeministrin të shkelë ligjin kundër meje, ka edhe prokurori, ka edhe gjykatë. Edhe në mos ka sot, do të ketë një ditë. Pronën time nuk e prekin dot!
Këta gjobvënës, që nuk mbajnë as kapuçë të zinj në kokë, por me gjysma lapsash e tema të dala boje, mendojnë se mund të më kompleksojnë me shpifjet e trillimet e tyre, por gabohen. I kam mundur dhe do ti mund si tash 25 vjet, se kudo ku kam punuar kam krijuar një ndërmarrje të suksesshme. Kam bërë gazetën më të madhe në Shqipëri, kam bërë revistën më të madhe në Shqipëri dhe kam bërë televizionin më të madh në Shqipëri e ndër shqiptare.Temat dhe gjysëm lapsat mbahen mend vetëm si sharës dhe si dështakë kudo ku kanë punuar dhe çfarëdo që kanë bërë.
Unë mund të kem 100 të zeza, mund të kem mbajtur qëndrime të drejta apo të gabuara ndër vite, por gjithmonë ka qenë bindja ime në vendimet e mia. Asnjëherë dhe askush nuk mund të thotë që kam mbështetur apo kam sulmuar dikë për ti vënë gjobë siç po bëjnë rektori i shpifjes dhe fotokopja e tij gjysëm lapsi i vogël. Mero Baze u prish me Kryeministrin Sali Berisha se ky i fundit nuk lejoi që ti vihej gjoba 16 milionë dollarëshe televizionit Top Channel, dhe ka vënë bast se do të prishet edhe me Kryeministrin Rama nëse nuk i prish vilën Sandrit të televizionit Klan. Nga kjo racë vetëm këto pret, po shyqyr që janë pak dhe dhëmbët e tyre mund të kafshojnë, vetëm ndonjë tregtar apo koncensionar ilaçesh apo spitalesh.
Opinion.al
Add new comment