Qenkan 44, jo 29 makina për "personalitetet". Thjesht VKM-ja nuk u publikua*

Postuar në 25 Tetor, 2015 17:18

Qeveria shqiptare ka ndër mend të blejë 44 makina me qira financiare përmes një procedure prokurimi sekrete të organizuar nga Garda e Republikës. Një vendim i qeverisë i 19 marsit 2015, i cili nuk u publikua në faqen e qeverisë kryeministria.al në atë kohë, urdhëron të gjitha institucionet shtetërore të dorëzojnë te Garda e Republikës fondet që kanë në dispozicion për makinat e titullarëve si dhe ngarkon gardën të kryejë procedurat e prokurimit të mjeteve të reja. (kliko këtu për të lexuar vendimin e qeverisë).

Lajmi u publikua fillimisht nga Vizion Plus, i cili njoftoi pak ditë më parë se makinat që do të blihen janë të markës Jaguar dhe se kushtojnë 95 mijë USD copa.

Vendimi i qeverisë thotë se Garda do të blejë gjithsej 44 automjete, nga të cilat, 8 për kryeministrin, 14 për këshillin e ministrave, 4 për kryetarin e Kuvendit, 2 për presidentin dhe nga një për 16 ministri të tjera të linjës.

Vendimi i qeverisë i jep gjithashtu të drejtë Gardës së Republikës që të mos ndjekë procedurat normale të prokurimit me garë duke argumentuar se çështja është sekret shtetëror për arsye sigurie.

Përveç tetë makinave që do të blihen për ‘titullarin e institucionit’ të kryeministrisë, vendimi i qeverisë i kërkon gardës të blejë edhe 14 makina të tjera për ‘aparatin e institucionit’. Kryeministria është i vetmi institucion që do të blejë makina jo vetëm për titullarin, por edhe për aparatin. Ministritë e tjera do të blejnë nga vetëm një makinë secila.

Kostoja e kësaj blerjeje nuk është e qartë dhe transparente. Vendimi thotë se “Garda e Republikës së Shqipërisë, si organi qendror blerës, të prokurojë fondin limit, të llogaritur si shumë e fondeve buxhetore, të miratuar për çdo institucion”, pa sqaruar se për sa fonde bëhet fjalë.

Qeveria deklaroi pas kësaj në Transparenca.al se marrja me qira e këtyre makinave do të kushtojë më pak se sa mirëmbajtja e flotës aktuale, por refuzoi të publikojë dokumentet dhe nuk sqaroi gjithashtu nëse Garda e Republikës ka bërë ndonjë garë apo jo për blerjen e këtyre makinave. Transparenca.al është një faqe e krijuar nga zyra e kryeministrit ku zakonisht publikohen reagime ndaj akuzave të opozitës, por pa publikuar ndonjë dokument konkret, siç sugjeron emri.

Sipas Transparencës, lizingu i 22 makinave që do të merren nga kryeministria, pritet të kushtojë 494,520 euro në vit, me një kosto mesatare prej rreth 22 mijë euro për makinë për vit.

Vendimi i qeverisë nuk është publikuar në faqen kryeministria.al, siç veprohet zakonisht me vendimet, duke shënuar një rast tjetër të mungesës së transparencës. Qeveria aktuale kur mori detyrën në shtator 2013, synoi fillimisht të mos i publikojë vendimet e veta, një traditë që qe themeluar në vitin 2003 bashkë me krijimin e faqes së parë të qeverisë në internet, keshilliministrave.gov.al.

Lizingu është një instrument financiar në bazë të së cilit, blerësi merr një mall me qira për një periudhë të caktuar. Në varësi të kontratës, malli, në rastin konkret, makina, i rikthehet shitësit në përfundim të kontratës ose i kalon nën pronësi blerësit. Ndryshe nga rasti i makinës së blerë, në lizing, blerësi paguan edhe qiranë financiare, pra një lloj interesi mbi makinën që përdor si dhe ka kufizime në numrin e kilometrave të kryer në varësi të kontratës.

Lizingu është një skemë financiare më e kushtueshme se sa blerja e drejtpërdrejtë e një makine, por kjo nuk është e qartë në rastin e blerjeve që po bën qeveria shqiptare për shkak se të dhënat financiare, vlera e makinës së blerë dhe qiraja e saj nuk janë publike nën arsyetimin se përbëjnë sekret të Gardës së Republikës.

"BIRN"

* Titulli është i redaksisë

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

"Keto jane punet e mafiozit te kryeministrise. Engjell Agacit. Keta jane ai lloj i juristeve qe u bene juriste ne emigracion dhe erdhen ketu te shpartallojne cdo gje qe ka lidhje me ligjin ne emer te hajduterise pa kushte. Keta japin garanci te shefat qe cdo gje behet , boll te duash. te paafte por te pandalshem per te zhvatur sa te mundin nuk kane kohe as te kryejne procedura te rregullta edhe kur vjedhin. Prokurimi i drejtperdrejte e sekret eshte rruga. (Ky eshte ai qe solli gazetarin e strisha la notizia per ti dhene me shpejtesi pasaporte shqiptare qe ai ti shpetonte taksave e qe sot eshte denuar me burg 6 muaj per evazion fiskal ne itali.i organizoi pritje edhe me ministrat e korruptuar qe i ka nen hyqem , edhe me kryeministrin)"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.