Deputetët e jugut dhe Ruçi, sulm Kokëdhimës. Rama luan me “shtyrje mbledhjesh”
Takimi i sotëm në PS me koordinatorët e 6 rajoneve dhe grupin organizativ për zgjedhjet në parti, ku do të shqyrtohej kërkesa e deputetit Koço Kokëdhima të shtunën e kaluar për shtyrjen e Kongresit të partisë, është shtyrë nga kryetari Edi Rama. Arsyeja, sipas Shqiptarja.com, është pikërisht një përplasje e madhe që ka ndodhur të shtunën, mes Kokëdhimës dhe disa deputetëve të tjerë, përfshirë Gramoz Ruçin. Pasditen e së shtunës ishin në një takim organizativ deputetët e qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës, ku ka patur debate të forta mes deputetëve Gramoz Ruçi, Fatmir Toçi, Valentina Leskaj, Mira Shehu dhe koordinatori Koço Kokëdhima.
Debati ka nisur pasi Kokëdhima ka kërkuar shtyrjen me dy muaj të afatit të mbledhjes së Kongresit të Partisë, i planifikuar për në janar të vitit 2016. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga Sekretari i Përgjithshëm Ruçi, i cili ka akuzuar Kokëdhimën se ka shkelur çdo afat të vendosur nga Asambleja për riorganizimin e partisë. Mësohet se Ruçi i ka kujtuar atij se "nuk të veprojë sipas kokës së tij".
Edhe deputetët Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi kanë shprehur pakënaqësi tek kryeministri për faktin se koordinatori i jugut nuk ka përfshirë në procesin organizativ deputetët e zonës duke mos bashkëpunuar me ta.
Ata kanë vënë në dukje se koordinatori i jugut nuk flet drejtpërdrejt me deputetët, por i injoron ata duke u dërguar vetëm e-maile përmes sekretareve të tij të zyrave rajonale. “E ke shpallur veten komandant të jugut, por nuk të do njeri. Ti po na e shkatërron partinë”, ka thënë deputeti Toçi.
Kokëdhima ka dëgjuar kritikat e Leskajt dhe Toçit, por i është kundërpërgjigjur vetëm këtij të fundit, duke e quajtur “parazit”.
Për nga mënyra e zhvillimit të ngjarjeve, duket se heshturazi Rama po mban anën e Kokëdhimës.
Add new comment