Një sondazh për situatën në Ballkan, por pa Shqipërinë
“Foreign Policy” organizon së fundmi një sondazh që merr në pyetje lexuesit për vendet e Ballkanit, përveç Skocisë. Pyetjet përqendrohen te përshtypjet për marrëdhëniet e këtyre vendeve me SHBA-të, për mendimin se ku duhet investuar në të ardhmen, në planin ekonomik dhe politik, duke kërkuar cilësime për nivelin e marrëdhënieve. Sondazhi nuk e përfshin Shqipërinë, por shtron pyetje për Greqinë, Kosovën, Bosnjen, Maqedoninë, Serbinë, Bullgarinë, Republikën Srpska dhe Rumaninë. Një pjesë e madhe e sondazhit i kushtohet Republikës Srpska e cila konsiderohet si vend me burime dhe mjedis shumë të mirë për biznes. Ndonëse teston perceptimin e lexuesve, sondazhi, i kryer nga një revistë që ka ndikim dhe trajton çështje të Politikës së Jashtme është për t’u marrë në konsideratë, pasi Ballkani aktualisht është nën invazionin e influencës ruse dhe në disa sektorë, të ndikimit nga rryma radikale islamike. Përqendrimi te Republika Srpska ka edhe më shumë vlerë, pasi paraprakisht kërkohet një perceptim për Marrëveshjen e Dejtonit që themeloi këtë Bosnje që kemi sot. Sesi media të kësaj natyre mund të ndikojnë vendimmarrësit mundet ta kuptojmë sërish përmes një shembulli që sjell vetë revista në fjalë. Në një artikull të vetin, Jeffrey Lewis ngre shqetësimin se ka disa zëra në Washington që po kërkojnë të furnizojnë Izraelin me Massive Ordnance Penetrator, një bomb konvencionale që shkatërron bunkerët. Lewis thotë se kjo ide është e rrezikshme dhe ka nisur të qarkullojë vetëm pas një opinioni në “Washington Post” që sugjeronte pikërisht këtë gjë. Ideja është kundërshtuar nën zë nga forcat ajrore izraelite që nuk kanë kapacitetin për lëshimin e tyre(http://foreignpolicy.com/2015/10/01/the-massively-terrible-plan-to-give-israel-the-massive-ordnance-penetrator-bunker-buster-iran/). Në përgjithësi vëmendja e qendrave të tilla shkon nga vendet në krizë, ose që potencialisht paraqesin pika të nxehta në botë, në raport me interesat amerikane.
Add new comment