Kush e ka vizituar Kastriot Ismailajn në burgun e Fierit?
Objekt i veifikimit të pretendimeve që parashtrohen në letrën e Spartak Brahos janë edhe disa vizita që i janë kryer Kastriot Ismailajt në burgun e Fierit dhe kërcënimet që ai të dëshmojë kundër Ilir Metës. Për këtë arsye, pritet që Prokuroria të verifikojë librin e fletëhyrjeve në burgun e Fierit. Panorama raporton se grupi i hetimit pritet të marrë në pyetje edhe biznesmenin me të shoqen. Mësohet se dy javë më parë Kastriot Ismailaj është lëvizur nga burgu i Fierit dhe është sjellë në Tiranë, pasi në Gjykatën e Apelit u mbajt seanca për çështjen e sekuestros së pasurive të tij. Pasi ka marrë pjesë në seancën në Gjykatën e Apelit Tiranë, biznesmeni është mbajtur pak orë në Policinë e Tiranës, ku është marrë në pyetje nga Prokuroria dhe më pas është rikthyer përsëri në burgun e Fierit. Si rregull, për sa kohë qëndron në paraburgim, biznesmeni Kastriot Ismailaj mund të lejohet të takohet vetëm me persona, për të cilët prokuroria ka dhënë miratim. Prokuroria pritet të marrë në pyetje edhe bashkëshorten e Kastriot Ismailajt në lidhje me takimet që ajo ka pasur me deputetin Tom Doshi dhe nëse ka komunikuar me ish deputetin Dritan Prifti. Procesi i verifikimit sipas procedurës mund të zgjasë deri në 30 ditë. Më pas, nëse Prokuroria gjen elemente të veprës penale në faktet e pretenduara në letrën e Spartak Brahos, atëherë vendoset regjistrimi i procedimit penal.
Add new comment