Intervista/Ditën që Shqipëria u shpall vend i sigurtë, një qytetar gjerman rrihet në Tiranë

Postuar në 30 Shtator, 2015 00:18

Në përpjekje për marrë vesh diçka nga kuptimi i vendimit të Gjermanisë për të shpallur Shqipërinë si vend të sigurtë, arritëm t’i shkëpusim disa përgjigje ambasadorit të këtij vendi në Tiranë, z. Helmut Hoffmann.

Z. Hoffmann, Shqipëria është një vend i sigurtë tashmë. Mendoni se kjo duhet njohur si meritë e azilkërkuesve që u dyndën në Gjermani?

Njëfarësoj. Por Shqipëria ka ecur përpara dhe ky vendim do të vinte. Le të themi se ky është rasti i rrallë kur një aksident ka pasoja pozitive.

Jemi gati për në Europë d.m.th?

Të mbajmë parasysh se ka shumë vende të sigurta në botë.

Nuk tingëllon disi ironike sipas jush, që ditën që Gjermania e shpall Shqipërinë vend të sigurtë origjine, një qytetar gjerman rrihet nga disa romë për arsye në thelb mjedisore? 

(Buzëqesh). Si europian, them se kjo do parë si një lloj persistence e cinizmit. Si njeri që jetoj në Ballkan, ndonëse për punë, madje pse jetoj në Ballkan, nuk besoj se fyej njeri(shpresoj që ju të mos fyheni të paktën, pasi mbani përgjegjësi për pyetjen;-)), e shoh në dritën e një dialektike të budallallëkut. Dukuri universale gjithsesi, nëse kjo mund të ngushëllojë sadopak.

Cinizëm dhe budallallëk. A e kërcënojnë këto sigurinë tonë? E kam fjalën për vendimin gjerman. Apo mos vallë ishte hakmarrje ndaj vizitave tuaj në këtë komunitet disa muaj më parë?

Nuk dua ta besoj. Por them se e bëjnë më të larmishme atë. (qesh). Shiko ky është një incident i izoluar. Nuk ka pse të shtyhemi më tej.

Incident me çfarë pasojash?

Të papëlqyeshme. Çdo vend, edhe Gjermania, ka përherë punë për të bërë kur vjen puna te siguria.

Një parantezë disi më personale. E dini, ka një film ku përmendet emri juaj. Dua të them film shqiptar. Meqë jeni historian, mendimi juaj ka interes: Mendoni se gjermanët janë stigmatizuar si të tjerët?

E di. “Njeriu me top”. Por edhe aty ka një “lajthitje”, ndoshta e qëllimshme nga regjisori.  

Cila?

Vërtet Hofmani është topi, d.m.th emri i prodhuesit. Por imagjinoni me Hofmanin dialogon Mato. Ju e dini, që Mato në italisht nuk ka kuptim të mirë. Dhe Mato qëllon me Hofmanin. Situatë shumë e sikletshme edhe pse një film. Po bëj shaka. Por në histori ka çfarë të rishikosh përherë.

A nuk ju duket edhe kjo ironike: Mato dhe Hofman, një dyshe që e bëjnë shumë të pasigurtë fshatin, pra Shqipërinë? E megjithatë sapo u shpallëm të sigurtë...nga Ju...

Ballkani të shtyn me forcë drejt letërsisë. Është domosdoshmëri pasi është e vetmja rrugë që të ruash mendjen, duke qenë serioz dhe duke marrë gjërat e jetës seriozisht. Por po ua them: Shqipëria nuk ka nevojë të dekriminalizojë filmat, as Maton dhe sigurisht as Hoffmannin.

Z. ambasador, Ju falemnderit!

Intervistoi: Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.