Erli Gurra, një Stradivar në Tiranë

Postuar në 25 Shtator, 2015 14:11
Suadela Balliu

Me ta marrë atë copën e drurit të staxhionuar, që ka bërë udhë të gjatë nga bredhat e alpeve të Italisë deri në duart e tij, mjeshtri e afron për ta dëgjuar edhe më qartë zërin brenda rrathëve që i flet, sikur i thotë se çfarë forme të fundme ka dëshirë të marrë. Pastaj mjeshtri ljutar merr daltën e në çdo goditje, në çdo harkim ia dëgjon edhe më të fortë tingujt dhe sa më shumë t’i japë formë me duar, aq më i gjallë bëhet përfytyrimi i saj në duart e një instrumentisti që luan mbi skenë, ndërsa ai, krijuesi, kënaqet me përsosmërinë akustike që i ka dhënë…

Kështu i ndodh Erli Gurrës sa herë nis të prodhojë një violinë të re në atelierin e ljutarisë, të cilin e ka hapur dy vjet e gjysmë më parë, kur u kthye nga studimet që kreu në shkollën “Antonio Stradivari” në Kremona të Italisë, në djepin e rritjes së mjeshtërve më në zë të prodhimit dhe restaurimit të violinave në të gjithë botën.

Teksa kalon atypari në një prej rrugicave të vjetra të zonës së Selvisë në kryeqytet, sytë të ndalen vetvetiu në vitrinë, që duket sikur prish pak atë rendin e zakonshëm të kafeneve, ku ekspozohen violina. Me të hyrë në sallonin e ndriçuar me dritë të bardhë, sytë të zënë një valixhe të zezë lëkurë të hapur e brenda saj një violinë të kafenjtë, si e transportuar aty prej një kohe të largët. Në etiketën reklamuese shënon “Stradivarius”, ndërsa vetë instrumenti ka të gdhendur inicialet “E.Gurra”. Pak më thellë, në brendi, në gdhendjet e Fi-ve dallon një mbishkrim.

“Është një shprehje motivuese, një fjalë e urtë që zgjedh ta shkruajë përpara se të përfundojë violinën. Diçka që do të lexohet kur violina do të ketë nevojë për restaurim”, – tregon Erli ndërsa prin përpara në atelierin e tij, ku dallon një violonçel dhe violina të tjera që pushojnë mbi një pianoforte. “Pianoja është e tim eti”, – zbulon, duke nxituar të saktësojë shoqëruar me të qeshura se ai është i diplomuar për të prodhuar vetëm violina e violonçela. “Edhe kontrabasë mund të prodhoj, por marrin shumë kohë”, – saktëson Erli. Në mur dallohet diploma “Erli Gurra, i diplomuar mjeshtër ljtuar, në shkollën ‘Antonio Stradivari’ Kremona, Itali”.

Si të ishte duke zbuluar një vend të fshehtë, hap derën e studios, aty ku ai rri nga mëngjesi në mbrëmje vonë duke punuar për të krijuar një violinë. “Më duhet një muaj për ta përfunduar një të tillë”, – thotë duke treguar me gisht një që rri varur në dhomën e errët, që ndriçohet nga një llambë e vogël mbi tryezën e punës, ku pushojnë sharra, dalta, morseta e vegla të tjera, që për një sy të pastërvitur duken të njëllojta. “Secila prej tyre ka një funksion të veçantë në përpunimin e drurit derisa të bëhet violinë”, – flet ai me tonin e profesionistit e duke shtuar se, megjithëse duken vegla pune të vogla, ndoshta edhe pa ndonjë rëndësi të madhe në sytë e vizitorëve të rastësishëm, janë shumë të kushtueshme për një mjeshtër ljutar. I ka zgjedhur nga më të mirat, ato që ka parë në klasat e praktikës kur ishte student në Itali, vegla që me keqardhje e mendon se i ati, mjeshtër i veglave muzikore (prej nga e ka trashëguar edhe Erli mjeshtërinë breznore, e ndërsa i ati prej gjyshit), nuk i ka pasur…“Kur shkoja në studion e tim eti në moshë të vogël e shihja atë tek riparonte instrumente muzikorë në Akademinë e Arteve, nuk e di pse magjepsesha gjithmonë prej violinës. Aty kishte plot instrumente, nga më të ndryshmet, por dora ime kapte gjithmonë një të tillë”. Aq shumë e kishte marrë përzemër, i shtyrë edhe nga historitë e familjes, ku i gjyshi –instrumentist në bandën muzikore të Mbretit Zog –ndërtoi një violinë vetë, pasi regjimi komunist ia konfiskoi atë që kishte, saqë iu fut punës për të ndërtuar violinën e parë kur ishte 10-vjeç. “Me aq sa mund të bënte një fëmijë”, –thotë duke qeshur. Pastaj mendoi ta studionte instrumentin e të luante me të, por shpejt e kuptoi se ishte më i prerë për t’i ndërtuar sesa për të luajtur muzikë. “Në adoleshencë shihja video të regjistruara sesi ndërtohej një violinë në të gjitha etapat. Aq shpesh i kisha parë saqë i kisha mësuar përmendësh” –kujton. Por violinat e vërteta mësoi t’i ndërtonte vetëm në shkollën “Antonio Stradivari” , me mjeshtërit më të mirë ljutarë në Europë. Kaloi shtatë vite në Kremona, krahina më e famshme në të gjithë botën për ndërtimin e violinave, me mjeshtër në zë si Brensino, Da Salo, Amati, Guarneri dhe Stradivari prej të cilit ka marrë emrin edhe universiteti që përgatit mjeshtër ljutarë. Erli Gurra është i dyti shqiptar që kanë studiuar atje –i diplomuar me rezultate të shkëlqyera –dhe i vetmi që e ushtron profesionin në Shqipëri. “Është pak e vështirë të krijosh treg blerësish këtu” –zbulon ai, ndërsa ata të paktit që i trokasin në derë janë instrumentistë me nevoja restaurimi apo qoftë edhe për një këshillë profesionisti, kur instrumenti duket se tingëllon keq.

Dikush troket në atelier. Është një violiniste e re, e cila ka sjellë për të riparuar Sapo ka mbërritur një violiniste e cila ankohet për tingëllimin e keq që ka violina e saj. Pas disa provash, Erli e qetëson duke i thënë se nuk ka asnjë problem. “Më përpara as që e dinin se mund të vinin të konsultoheshin për probleme të tilla. Ne, mjeshtrit ljutarë, jemi të specializuar edhe për këtë”. Më shumë se riparimi apo restaurimi i instrumenteve të vjetër, i pëlqen të krijojë të rinj. Violina krejt të reja të trupëzuara nga fantazia dhe dijet që ka marrë në shkollë. Blerësit i ka gjetur jashtë vendit dhe i ka shitur disa syresh në Francë, Angli e Australi. Çmimi i një violine artizanale që mban markën “E.Gurra”, e ndërtuar sipas modelit të famshëm “Stradivarius” varion nga 3 mijë në 10 mijë euro. Në të gjithë botën instrumentet e ljuterise kanë çmime më të larta krahasuar me ato industriale, sepse cilësia akustike dhe pamja janë më të mira. Në ankande, violinat Stradivariusjanë nga më të kushtueshmet mes instrumenteve muzikore.

“Kam parë violina të shitura edhe 50 mijë euro”, – tregon duke kujtuar kohët kur kryente muajt e praktikës studentore me një prej mjeshtërve më në zë në ndërtimin e violinave në Europë, Edgar Russ. Thotë se duhet t’i përvishet punës e të rrijë edhe më gjatë në studio për t’i përfunduar violinat, ku një prej tyre do plot një muaj kohë për t’u bërë. I ka punuar shpinën dhe pjesën e përparme , të cilat duken aq të holla sa ngjajnë si modele letre. “Do punuar ende për t’i gdhendur “ – ndërpret ai dhe sjell një copë katrore druri nga ku del e gjithë violina. “Pjesa e përparme e violinës bëhet me dru panje nga Ballkani, ndërsa ajo e pasme me dru bredhi që vjen nga Alpet italiane” –saktëson. “E di ti si është krijuar violina e parë?!” – të zgjon kureshtjen e nis të rrëfejë se në shekullin XV kur muzika korale dukej se po dilte nga moda e po zëvendësohej me orkestër, u ra në një mendje se duhej shpikur një instrument që të zëvendësonte zërat soprano. “E kështu lindi violina. Por askush nuk e di se kush e krijoi të parën”, – thotë ai ndërsa nis të të flasë për vëllim akustik dhe terma shumë profesionalë që pakkush do i kuptonte. “Në shkollë bënim edhe fizikë akustike, e cila duhej njohur mirë që të arrije të gjeje raportet e mira të tingëllimit”. Për raportet e duhura, mjeshtrit striktë të shkollës klasike nuk lëshonin pè. Me gjithë dëshirën për eksperimentuar jashtë asaj çka mësohej në shkollë, Erli ka mbetur ithtar i modeleve prestigjioze “Stradivari”. “Më pëlqen stili klasik. Gjatë etapës së fundit të prodhimit të një violine –që është lyerja me llak –kam një teknikë timen për t’i bërë të ngjajnë si antike. Nuk do nxirrja kurrë nga duart e mia një violinë të llakuar me ngjyra të ndezura. E humbet hijeshinë e saj kur bëhet shumë moderne”. Me ta marrë në dorë violinën e frymuar prej fantazisë, me t’i ngjitur pjesët, me t’i lidhur telat e t’i akorduar, ljutarit i ndodh të lidhet aq fort me të sa nuk do të donte t’ia dorëzonte klientit. “Më ka ndodhur dy herë dhe ka qenë shumë e dhimbshme ndarja”. Veprën e parë që nuk e ka shitur, edhe pse ia kanë kërkuar me çmim të majmë. “Ua kam bërë dhuratë prindërve si shenjë falënderimi për gjithë ç’kanë bërë për mua”. Një violinë që ai shpreson t’u mbetet brezave dhe mjeshtrit ljutarë që do të dalin prej tij të mburren me violinën “Gurra”.

"Mapo" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.