Shënim: Politikani, tifoz i Europës

Postuar në 21 Shtator, 2015 23:10

Me një shprehje të huazuar nga ish-ambasadori i BE-së në Tiranë Etore Sekui, kryeministri Edi Rama  shëtit në Europë për të treguar peshën politike që ai vetë ka si lider, por dhe Shqipëria që drejton. “Shqipëria ka nevojë për Europën, aq sa Europa ka nevojë për Shqipërinë”,- ka theksuar shpesh Rama sa herë ka pasur përpara ndonjë panel me të huaj, ku ka prezantuar arritjet e qeverisë duke guxuar të kritikojë Europën për konservatorizmin që po tregon në çështje të politikës së zgjerimit.

Kryeministri ynë pëlqen ta konsiderojë vetën pjesë të politikës së madhe dhe nuk kursen deklaratat në raport me zhvillimet politike në Europë e aq më tepër ato që kanë të bëjnë me të majtën europiane.

Para pak ditësh, teksa vizitoi rajonin e Puljas në Itali foli për historinë e së ardhmes së Europës duke konsideruar edhe veten pjesë të këtij verdikti që refuzon politikanë si Aleksis Cipras dhe Jeremy Corbyn në Britani .

Lideri nga Shqipëria me detyrë kryeminstër dhe funskion partiak, kryetar i Partisë Socialiste shprehu solidaritetin me atë pjesë të Europës që ai mendon se i përputhen vizionet  për të ardhmen. “Shqipëria ka marzhe të mëdha zhvillimi, dhe mendoj se të gjithë sipërmarrësit, shqiptarë dhe të huaj ëndërrojnë një vend ku nuk ka as sindikata dhe as parti të së majtës radikale. Pavarësisht Corbyn-it dhe Sirizës, historia i ka dhënë tashmë vendimet e saj”-deklaroi Rama nga Pulja.

Por për kë i bën këto deklarata kryeministri i Shqipërisë, sa vlerë kanë mendimet e tij për taksapaguesit europianë, sa i shërbejnë ato politikës europiane dhe të ardhmes së Europës? Nëse kryeministri ynë nuk është dakord me qëndrimet e së majtës radikale në Greqi dhe kryeministrit Cipras për politika që tentojnë të ruajnë sovranitetin e popullit grek mbi pasuritë publike apo për ndëshkimin e të gjithë atyre politikanëve që kanë shfrytëzuar politikën për mirëqënien e tyre personale, përse këtë vizion ai duhet ta përçojë në emër të të gjithë shqiptarëve dhe të destinojë madje  Europën ku ata duan të bëhen pjesë?

Sa mund të konsiderohen deklaratat e tij në qendrat vendimarrëse të politikës Europiane kjo mbetet për t’u diskutuar, pasi fitorja e Cipras në zgjedhjet e së dielës u përshëndet me optimizëm nga Brukseli, Berlini dhe Uashingtoni që shpresojnë në një zbatim të shpejtë të marrëveshjes që do të lehtësojë Greqinë nga barra e rëndë e borxheve. Tani kryeministrit tonë i duhet të mendojë për fjalimin që do të mbajë në një takim eventual me homologun Cipras, i cili ka premtuar një vizitë në Shqipëri,

Edi Rama sillet si kryeministri i një vendi që sheh rreth e rrotull revizionistë nga të cilët duhet të distancohemi për të ndjekur rrugën e shndritshme që po përqafon udhëheqësi ynë. Vizionet e Edi Ramës për të ardhmen shpeshherë nuk janë përputhur me veprimet që ai ka bërë më pas. Këtë ka treguar të paktën në politikën e brendshme, kur deklaronte se Shqipëria e së ardhmes nuk mund të ishte ajo e hajdutëve si Ilir Meta që majmej në prehrin e Sali Berishës.

Më pas shtrëngoi duart, nënshkroi marrëveshje dhe tani ndan e të pushtetin dhe vizionin për një Shqipëri Europiane, duke u sjellë si tifozi më i zjarrtë i një Europe që herë i prezantohet si lider i Ballkanit e herë si vizatues.

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.