Prokuroria për ngjarjen e Patokut: U përdorën dy armë. Provohet se Armando Prenga ka qëlluar me pistoletë pa leje
Portali “Droni.al” ka publikuar dosjen e prokurorisë mbi ngjarjen e Lagunës së Patokut, ku u përfshi edhe deputeti Armando Prenga. Materiali shoqërohet me një faksimile të kërkesës së Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për dhënien e autorizimit për arrestijin e Prengës. Në versionin e vet, prokuria e shpall të akuzuar kryesor Prengën, ndaj më poshtë po e përcjellim materialin siç jepet në portalin e sipërcituar:
Zanafilla e konfliktit
Më datë 04. 09. 2015, rreth orës 22:30, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Armando Prenga, ka shkuar te lokali i shtetasit Gjok Cali, ndodhur në Lagunën e Patokut dhe tek ura e lokalit është kontaktuar me djalin e tij, Dorian Cali dhe nipin Julian Cali, me të cilët ka debatuar. Dorian Cali ka njoftuar për këtë ngjarje, nëpërmjet telefonit babain e tij, Gjok Cali. Ky i fundit, është nisur menjëherë në drejtim të lokalit me automjetin e tij. Gjatë rrugës ai është përballur në vendin e quajtur Fushë-Kuqe, me shtetasin Armando Prenga, i cili po udhëtonte me automjet bashkë me shtetasit, Luigj Skura, Gazmir Jushi dhe Gjon Prenga. Në këtë moment, Gjok Cali e Armando Prenga kanë ndaluar automjetet dhe shtetasi Gjon Cali, i ka kërkuar shpjegime për ngjarjen e ndodhur me të birin pak më parë. Më pas janë konfliktuar mes tyre dhe sipas pretendimeve të shtetasit Gjok Cali, deputeti Armando Prenga ka nxjerrë pistoletën, e ka goditur në kokë me qytën e saj dhe ka qëlluar me të njëherë në ajër.
Lajmërimi i policisë
Midis shtetasve Armando Prenga dhe Gjok Cali, ka një konflikt lidhur me Lagun e Patokut. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur Gjok Cali në orën 23.40, ka njoftuar sallën e komunikimit të Komisariatit të Policisë Kurbin: se “Tek lokali i Calëve në Patok është goditur me pistoletë nga deputeti Armando Prenga”.
Pas marrjes këtij njoftimi, grupi drejtimit të Komisariatit Policisë Kurbin, ka shkuar në lokalin e shtetasit Gjok Cali dhe ka marrë njoftim me të, duke i kërkuar të paraqitej në komisariat, për të bërë kallëzim penal dhe dhënë shpjegime për ngjarjen. Në këto rrethana Gjok Cali bashkë me vëllezërit tij, Tom Cali e Nikoll Cali dhe kushëririn Gjergj Cali, janë nisur me automjetin e tij “Mercedez Benz” me ngjyrë gri me targë LA 7227 A, për në Komisariatin e Policisë Kurbin. Ata janë shoqëruar dhe nga Francesk Cali, nipi i Gjokës, me një automjet tjetër tip “BMË”.
Konflikti te Komisariati
Me të mbërritur në Komisariatin e Policisë Kurbin, shtetasi Gjok Cali ka hyrë brenda ambienteve të tij për të bërë kallëzim penal, ndërsa shtetasit që e shoqëronin kanë qëndruar në pritje të tij, jashtë ambienteve të këtij komisariati.
Gjatë kësaj kohe, para komisariatit të policisë, ka ardhur deputeti Armando Prenga, i shoqëruar nga vëllai i tij, Edmond Prenga, lidhjet shoqërore, Gazmir Jushi, etj. Këta shtetas kanë filluar të konfliktohen fizikisht dhe më pas deputeti Armando Prenga ka përdorur armë zjarri tip pistoletë. Nga të shtënat me pistoletë është plagosur në këmbë Tom Cali. Gjithashtu gjatë këtij konflikti janë përdorur dhe armë të ftohta dhe kanë mbetur të dëmtuar, Gazmir Jushi, Eduart Prenga, Gjergj Cali, Gjok Cali dhe Nikoll Cali.
Dokumentimi i ngjarjes
Me procesverbalin për këqyrjen dhe marrjen e dokumentit shkresor, datë 05. 09. 2015, policia ka administruar librin e shërbimit të drejtimit operativ të Komisariatit të Policisë Kurbin në të cilin në datë 04. 09. 2015 dhe orën e regjistrimit 23.40 shënohet: “Te lokali i Calëve në Patok merr shtetasi Gjok Cali, i cili thotë se e ka goditur me pistoletë deputeti Armando Prenga”.
Me procesverbalin e datës 05. 09. 2015 për këqyrjen dhe marrjen e dokumentit që i referohet librit të hyrje-daljeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, është evidentuar në orën 00:30 të datës 05. 09. 2015 hyrja në komisariat e shtetasit Gjok Cali për të bërë denoncim. Më datë 05. 09. 2015 policia gjyqësore ka mbajtur procesverbalin për këqyrjen e vendit të ngjarjes para Komisariatit të Policisë Kurbin. Nga këqyrja janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale nëntë gëzhoja armë zjarri, një automjet “Mercedez Benz”, me ngjyrë gri me targa LA 7227 A, katër gjurmë papilare në sipërfaqen e jashtme të këtij automjeti, mbetje tavoline plastike të thyera, një paketë cigare, një çakmak dhe dy bishta cigare.
Armando Prenga qëlloi me pistoletë pa leje
Me aktin e ekspertimit balistik gëzhoja nr. 8739 datë 05. 09. 2015 është arritur në konkluzionin se katër gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri automatik i modelit 56 kalibër 7.62 mm, kurse pesë gëzhojat e tjera janë qitur nga një armë zjarri e vetme pistoletë model 54 kalibër 7.62 mm. Me aktin e ekspertimit daktiloskopik nr. 8734 datë 05. 09. 2015 është arritur në konkluzionin se tre nga gjurmët e gjetura në sipërfaqen e automjetit në vendin e ngjarjes kanë vlera identifikuese dhe krahasuese. Në bazë të akt-ekspertimit nr. 8735, këto tre gjurmë i përkasin Gjok Calit.
Me aktet e ekspertimit kimik nr. 8736 dhe 8737, datë 05. 09. 2015 është arritur në konkluzionin se në shiritat ngjitës me të cilët është marrë material në dorën e shtetasve Armando Prenga dhe Anton Leka, është evidentuar prania e nitrateve dhe nitriteve të cilët janë të pranishëm edhe nga mbetjet e qitjes me prejardhje nga barutet, kurse 18 persona të tjerë të ekspertuar për të njëjtin fakt nuk u është gjetur prania e faktorëve plotësues të qitjes.
Gruaja dorëzon pistoletën me leje të deputetit
Me procesverbalin e datës 05.09.2015 për marrjen e dokumentit që i referohet dokumentacionit të pajisjes me armë zjarri të deputetit Armando Prenga, rezulton se ky shtetas ka marrë në dorëzim në datë 24. 01. 2015, nga komisariati i policisë një pistoletë me nr. PX 67 xxx të tipit 9X19 mm me dy krehra, gjithësej 34 fishekë.
Më datë 05. 09. 2015 policia gjyqësore ka administruar nga R. Prenga bashkëshorte e deputetit Armando Prenga armën tip pistoletë nr. PX 67 xxx, e cila i është nënshtruar ekspertimit. Me aktin e ekspertimit nr. 8744, datë 05. 09. 2015 është arritur në konkluzionin se në tytën e armës nr. PX 67 xxx nuk është evidentuar prania e faktorëve plotësues të qitjes.
Dëshmitë rëndojnë pozitën e deputetit
Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur punonjësi i policisë L. H., i cili ka qenë me shërbim në zyrën e oficerit të rojës së Komisariatit të Policisë Kurbin. Ky shtetas ka shpjeguar se: Konflikti është zhvilluar para derës së Komisariatit të Policisë Kurbin. Gjatë konfliktit është përdorur një pistoletë dhe një automatik me të cilat është shtënë disa herë; shtetasi Tom Cali është plagosur në këmbë me pistoletë.
Nga deklarimet e marra Gjergj Calit e Tom Calit, rezulton se Armando Prenga ka pasur në dorë armë zjarri tip pistoletë gjatë konfliktit të ndodhur para Komisariatit të Policisë Kurbin me të cilën ka qëlluar.
Nga deklarimet e Gjon Calit, Gjok Calit, Kanto Cali, indirekt nga persona të tjerë kanë mësuar se Armando Prenga ka shtënë me pistoletë në vendin e ngjarjes, para Komisariatit të Policisë Kurbin.
Akuzat zyrtare ndaj deputetit
I pyetur rreth ngjarjes deputeti Armando Prenga ka pretenduar se nuk ka marrë pjesë në konfliktin që është zhvilluar para Komisariatit të Policisë Kurbin dhe se ka përdorur armën e tij Pistoletë duke shtënë me të njëherë në ajër, vetëm gjatë konfliktit që ka pasur në vendin e quajtur Fushë-kuqe me shtetasin Gjok Cali.
Nga tërësia e këtyre provave ekziston dyshimi i arsyeshëm se deputeti Armando Prenga ka konsumuar veprat penale Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “kanosje”, parashikuar nga nenet 278/4, 88, 84 e 25 i Kodit Penal.
Kërkesa për arrestimin e deputetit
Në rrethanat e sipërpërmendura janë krijuar dyshime te arsyeshme që tregojnë se me veprimet e tij deputetit Armando Prenga ka kryer vepra penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe që parashikohen si krim, nga Kodi Penal.
Për sa më sipër, me qëllim për ti hapur rrugë një hetimi të plotë e të gjithanshëm nga prokurori, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe në nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale kërkohet nga ju dhënia e autorizimit për arrestimin e deputetit të Kuvendit, Armando Prenga.
http://www.droni.al/web/DOSJAEPLOT_Provat_dhe_deshmite_qe_fajesojne_depu...
Add new comment