Obama në Alaskë për ndryshimet klimatike: kërcënim në rritje dhe mjaft urgjent
Presidenti amerikan Barack Obama i ka cilësuar ndryshimet klimatike si një kërcënim në rritje dhe mjaft urgjent. Obama shkoi të henën në Alaska në kuadër të një turne tre ditor në shtetin e largët amerikan për të shtuar vëmendjen ndaj çështjeve të mjedisit. Obama është presidenti i parë amerikan në detyrë që viziton Arktikun. Në një takim në Anchorage të organizuar nga Departamenti i Shtetit për çështejt mjedisore të Arktikut, Obama tha se ndryshimet klimatike po përkeqësohen me kalimin e viteve. “Jemi këtu për të diskutuar sfidën që do të përcaktojë konturet e këtij shekulli në mënyrë më dramatike se sa më parë. Është kërcënimi urgjent dhe në rritje i ndryshimit të klimës që po kuptojmë çdo ditë e më mirë. Njeriu po ndikon tek klima në shumë mënyra dhe më shpejt se mendohej. Parashikimet shkencore janë të zymta dhe tregojnë se ky kërcënim dikur i largët, tani është shumë më i pranishëm”, tha Obama
Megjithë mbështetjen për veprimet e Obamës për ndryshimet klimatike, grupet mjedisore protestuan jashtë konferencës kundër vendimit të fundit të administratës së tij për të lejuar kompaninë Shell që të zgjerojë kërkimet për naftë pranë brigjeve të Alaskës.
Add new comment