Fluksi i azilkërkuesve bie, por… Braçe: Njerëzit nuk i punësojmë dot. Në 8 vjet kanë ikur gjysmë milioni të tjerë

Postuar në 31 Gusht, 2015 09:41

Dy lajme të reja mbi azilkërkuesit shqiptarë: Ndërkohë që fluksi drejt Gjermanisë po njeh njëfarë rënieje, deputeti socialist Braçe është ndër të paktët e partisë së tij që pranon pse ikin shqiptarët.   

Manfred Schmidt, president i Zyrës Federale për Emigrantët, është shprehur optimist pasi duket se fluksi po ndalet. “Gjatë tre-katër javëve të fundit është ulur ndjeshëm numri i azilantëve shqiptarë. Numri i tyre është përgjysmuar. Nga data 10-23 gusht kemi pasur rreth 2 mijë kërkesa, ndërkohë që vetëm në dy javët e fundit të korrikut ishin 4 mijë kërkesa,” tha ai për Balkan Report.

Shmidt sqaron se edhe ata që janë të bindur se do kthehen, dalin “më me leverdi” me pagesat e asistencës gjermane, pasi “një familje me pesë persona nga Shqipëria, marrin rreth 1600 euro për tre muaj këtu, ndërkohë që atje rroga mesatare është rreth 200 euro në muaj. Kjo pagesë duket një joshje e mirë,” thotë Schmidt.

Ndërkaq deputeti Braçe e pranoi në një intervistë për GSH se shqiptarët po ikin pasi nuk janë pjesë e programeve të punësimit. “Njerëzit që po ikin nuk janë ende pjesë e programeve tona të punësimit, përfitimeve prej saj, shpesh nuk përfshihen fare në programet tona të ndihmës sociale, programe që nuk janë ende aq efektive sa t’i gjenden pranë çdo familjeje në nevojë, në pamundësi ekonomik apo fizike, siç është rasti i personave me aftësi të kufizuar”. Braçe jep dhe një statistikë: “Shqiptarët nuk po ikin vetëm sot. Për 8 vite me radhë, 55 deri në 73 mijë shqiptarë kanë ikur çdo vit”. Pra, këto 8 vite kanë ikur nga vendi edhe 500 mijë të tjerë!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.