"Islami shqiptar, autokton. I vetmi islam europian. Por ai po goditet”
Veton Surroi, publicist e botues nga Kosova, i ka dhënë një intervistë gazetës “Shqip”, në të cilën bën disa komente për zhvillimet në shoqërinë shqiptare. Surroi është pyetur edhe për problemin e gjallërimit të rrymave të islamit radikal, që sipas tij, po përpiqen të imponojnë një interpretim të ri të isalmit tradicional, apo autkton shqiptar. Për Surroin kjo po ndodh përmes dhunës e parasë. “Jemi të brishtë, jemi të atakuar dhe kështu duhet ta kuptojmë. Shoqëritë tona janë sot të sulmuara nga islami politik, pjesë e këtij sulmi po bëhet në Kosovë e Maqedoni, por edhe në Shqipëri. Një pjesë e këtij sulmi po ndodh në institucionet fetare, duke u përpjekur për të ndryshuar sistemin tradicional të interpretimit të islamit ndërshqiptarë e duke futur në të elemente, primesa të cilat nuk kanë ekzistuar, të cilat në vend të adaptimit të islamit tradicional në shoqëritë tona kërkojnë që shqiptarët t’i adaptohen një forme të veçantë të islamit, e cila ekziston në disa vende, në radhë të parë në Arabinë Saudite. Islami shqiptar është pothuajse i vetmi islam europian… është pjesë e këtij trualli, por është islami që di të bashkëjetojë me çdo gjë dhe di t’i adaptohet shoqërisë. Tash bëhet përpjekje, e një pakice të vogël, që forma tradicionale e islamit të ndryshojë, madje rrënjësisht. E kur kemi të bëjmë me një traditë qindravjeçare, është e qartë se ajo nuk mundet të shndërrohet kaq shpejt. E vetmja formë e shndërrimit të shpejtë është dhuna, e kombinuar me trysninë e parasë, dhe për fat të keq kjo po ndodh”, thotë Surroi. Sipas tij, ka një iluzion mes shqiptarëve, që lidh qeneien afër me BE-në, me integrimin në të, që mendohet si automatik. Kjo nuk ka gjasë të ndodhë, pasi “gjeografia mund të shndërrohet edhe në të kundërtën, pasi mund të jemi një oaz i tillë i lënë në harresë ekzotike, një popull i vjetër, për të cilin mund të mendojnë “e le të rrinë aty…”.
Add new comment