Shënim: Ah, sikur të kishim një qeveri dhe një opozitë!

Postuar në 24 Gusht, 2015 13:35

Sot kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar një bisedë online me njerëzit, përmes Twitter e Facebook, ku përgjigjet për çështjet që shqetësojnë vendin. Edi Rama erdhi në pushtet në qershor të vitit 2013, por në zyrë hyri në shtator. Kështu që kjo bisedë për bilancin e qeverisjes është në dy vjetorin e tij si kryeministër. Ajo ka rëndësi pasi kriza ekonomike, dështimet në tatime e dogana, politika fiskale, problemet serioze në shëndetësi, kanë dalë në sipërfaqe si probleme të prekshme, e që po shtojnë kostot e jetesës së shqiptarëve. Ato po shkojnë gradualisht drejt të qenit një problem besimi sa kohë kryeministri po mendon të mos nxjerrë përgjegjësi, por të vazhdojë përpara me të njëjtin ekip drejt objektivavae që do të normalizonin gjendjen. Të financave sidomos. Ka shumë për të thënë për këtë qeveri, për këtë kryeministër veçanërisht, por më kryesorja ndoshta është se pas saj qëndron një besim i jashtëzakonshëm i shprehur në vota, i cili nuk po merr ato pritmëri për të cilat investoi. Qeverisja është e vështirë, në Shqipëri problemet janë kapitale, por çështja është te qasjet dhe pikënisjet, pasi njësoj si në rastin e aksionit për energjinë, dilema shtrohet në selektivitetin dhe zbatimin pa diskriminim të ligjit. Dhe këto nuk mbulohen dot me llafe. E megjithatë Edi Rama ka edhe dy vjet kohë për të lënë një gjurmë çfarëdo në qeverisje.

Në të njëjtën kohë, sot në komunikim me gazetarët doli ish-kryeministri Sali Berisha, që shpalosi një kundër- “program” ndaj qeverisjes. Foli për lënien jashtë Samitit të Vjenës të projektit të hekurudhës Shqipëri – Kosovë, sjellë si dështim në Politikën e Jashtme, foli për mbrojtjen e konsumatorit, për azilin etj.. Thënë ndryshe në të njëjtën orë shqiptarët kishin mundësi të dëgjonin qeverinë dhe opozitën. Mirëpo që shpresa e njerëzve të mos eliminohet nga nihilizmi që sjell vështirësia e përditshme dhe padrejtësia e çdoçastme, nevojitet që opozita të dëshmohet si alternativë: me njerëz dhe ekipe të reja.

Dalja e Berishës sot, përtej faktit se ato që thotë janë të vërteta dhe të dobishme, i detyron qytetarët të kuptojnë edhe kur nuk duan, se përballë Edi Ramës, që po ecën me periskop edhe pse është mbi ujë, kanë Sali Berishën. Aktorin e pasfiduar tek e djathta. Lulzim Basha ka dy vjet në krye të Partisë Demokratike, por nuk ka dëgjuar kush prej tij një deklaratë apo një bashkëbisedim thlebësor, me natyrë programore, të kuptojë aty ndonjë vizion, vullnet për të korrigjuar diçka. Asgjë. Lulzim Basha po operon si konferencier i Sali Berishës, i cili në fakt është edhe hartuesi i aksioneve politike të opozitës. Kur kryetari i PD-së flet për ulje tvsh-je, taksash, çmimesh etj., ai nuk bën asgjë më shumë sesa na thotë që do shkojmë te praktikat e para 2013-ës. Mirëpo a mund të jetë alterantivë e një njeriu të ri në moshë parimi: “Ishim mirë kur ishim keq”? Këtu nuk shtrohet çështja te nevoja që Lulzim Basha t’i kundërvihet Berishës, apo të minojë peshën e tij me lojëra të vockla në organizim; Basha mund të krijojë(nte) perspektivë përmes ideve të reja, paraqitjes publike me ekip që diskuton dhe propozon. Kjo diferencë do të minimizonte rolin mediatik të Sali Berishës dhe do të bënte që vëmendja e njerëzve të faktorizonte një kryetar të ri të vërtetë. Përndryshe, kjo gjoja opozitë e tij, i ka bërë të gjithë të mendojnë se pas gojës, zërit, syve dhe xhaketës së tij, qëndron dikush tjetër. Për të cilin nuk mund të votohet më. Edhe me koston e madhe dhe realisht dekurajuese, pse jo rrënuese, të një kryeministri që nuk bën gjë tjetër veçse ha inat me mediat dhe ka zënka dashurie me Ilir Metën.
s.z

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Përndryshe, kjo gjoja opozitë e tij, i ka bërë të gjithë të mendojnë se pas gojës, zërit, syve dhe xhaketës së tij, qëndron dikush tjetër. Për të cilin nuk mund të votohet më. Edhe me koston e madhe dhe realisht dekurajuese, pse jo rrënuese, të një kryeministri që nuk bën gjë tjetër veçse ha inat me mediat dhe ka zënka dashurie me Ilir Metën.

Fatkeqesisht te gjitha te verteta.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.