Tatimi 12%-12%-12%-12%-1%
Në vendet e përparuara, debati mbi tatimin përqendrohet rreth progresivitetit të tij.
Pyetjes se cila shkallë progresiviteti është më e drejtë, të majtët i përgjijen me argumentin se sa më të kamur të jenë shtetas të veçantë, aq më e lartë duhet të jetë përqindja e të ardhurave të tyre që shkon në arkën e shtetit në formën e tatimit. Ndërsa të djathët i përgjigjen me argumentin se kontributi i shtetasve në arkën e shtetit duhet të jetë sa më në përpjestim me nivelin e të ardhurave/pasurisë së secilit.
Pyetjes se cila shkallë progresiviteti është më e favorshme për ekonominë, të majtët i përgjigjen me argumentitn se shtetasit me të ardhura të ulta e të mesme duhen tatuar me një përqindje sa më të ultët në krahasim me të tjerët, sepse kështu atyre u mbeten më shumë para në duar për të konsumuar. Dhe kërkesa e tyre për konsum stimulon ekonominë. Ndërsa të dajthtët i përgjigjen me argumentin se sa më shumë para të kenë në duar të pasurit, aq më shumë ata do të investojnë për hapje dhe zgjerim biznesesh, duke stimuluar kështu ekonominë.
Debati mbi argumentet e mësipërme ka një shekull që zhvillohet në vendet e përparuara, dhe ndoshta do të vazhdojë edhe për një shekull tjetër.
Ndërsa në vende të prapambetura, si Shqipëria për shembull, debati përqendrohet rreth efikasitetit të administratës fiskale në mbledhjen e tatimeve.
Historia ka treguar se sa më i thjeshtë të jetë skema e tatimit në vendet e prpambetura, aq me efikase ka qenë mbledhja e tij. Në Shqipëri, shembulli më i freskët është ai i kalimit nga tarifa progresive (me dy shkallë) e energjisë elektrike, në tarifën e sheshtë. (Tarifa e energjisë është e ngjashme me një tatim konsumi në Shqipëri, pasi ndërmarrja shtetërore është e vetmja furnizuese me pakicë e energjisë elektrike).
Kur tarifa ishte shkallëzuar (deri në 300 KWh 7.5 lekë dhe mbi 300 KWh 13.5 lekë), shumë konsumatorë abuzonin, duke lidhur 2-3 sahatë elektrikë në një shtëpi – në këtë mnyrë ata paguanin 600-900 KWh me çmimin e fashës deri 300 kWh (7.5 lekë). Me kalimin në tarifën e sheshtë 9.5 lekë për KWh, u pakësuan abuzimet, ndërsa ata që kishin përfituar me ndershmëri nga fasha 300 KWh, ndihmohen me kompensim mujor të drejtëpërdrejtë nga shteti (pra, subvencionohen).
Tani që qeveria po përgatit paketën fiskale për vitin e ardhshëm, ndoshta vlen ta shqyrtojë këtë përvojë të saj të sukseshme. Një thjeshtëzim i sistemit të tatimit në Shqipëri do të ndihmonte në efikasitetin e mbledhjes së tatimeve. Gjithashtu, do të inkurajonte edhe investitorë të rinj, të cilët do ta vlerësonin një sistem të thjeshtuar tatimi.
Duke gjykuar nga niveli i parashikuar i të ardhurave në buxhetin afatmesëm të Shqipërisë, një skemë 12%-12%-12%-12%-1% do të ishte e përshtatshme për të realizuar parashikimin dhe për ta bërë Shqipërinë konkuruese për tërheqjen e investitorëve të rinj.
12% tatimi mbi të ardhurat personale të çdo lloji (paga, qera interesa, dividend, honorare, etj). Familjet me të ardhura të ulta (që mbahen sot me rroga nën 300 mijë lekë të vjetër në muaj) mund të kompensohen në mënyrë të ngjashme si më sipër.
12% tatimi mbi fitimet e bizneseve, pavarësisht nga madhësia apo rëndësia e tyre. Skema subvencioni jashtë tatimit mund të hartohen për disa biznese që mund të konsiderohen prioritare nga ligjvënësit.
12% tatimi mbi konsumin (ose ndryshe mbi vlerën e shtuar), pa përjashtuar asnjë lloj malli apo shërbimi. Segmente të caktuara të popullsisë mund të kompensohen për produkte farmaceutike etj, si më sipër.
12% tatimi mbi trashëgimitë/dhurimet e pronave/aksioneve etj., pa asnjë përjashtim.
1% tatimi vjetor mbi vlerën e godinave sipas çmimeve të tregut, pavarsisht qëllimit të përdorimit të godinave.
Një sistem i tillë i thjeshtëzuar, përveçse mund të rrisë efikasitetit e mbledhjes së tatimeve dhe të tërheqë invetitorë të rinj, do të shërbente edhe për një balancim të barrës fiskale mes shtresave të ndryshme të popullsië. Kështu, shtresave të varfëra do t’u rritej barra nga tatimi mbi të ardhurat personale, por do t’u lehtësohej nga ulja e tatimit të konsumit (nga 20% në 12%) dhe, në raste të veçanta, edhe nga skema e kompensimeve. Nga ana tjetër, shtresat e pasura do të përfitonin nga ulja e tatimit mbi fitimin e dividendin, por do të mbingarkoheshin nga taksa e trashëgimisë/dhurimit dhe nga taksa e godinave të tyre, që janë shumë më të shtrenjta se e të tjerëve.
Add new comment