Për nji shtatore të Arshi Pipës në qytetin e Shkodrës

Postuar në 10 Gusht, 2015 18:21
Lisandri Koka

Ka kombe që u bajnë ballë skamjes dhe identitetit etnik të tyne, sikundërse ka kombe kryenaltë për supremacinë e vet, dhe që futen në rreshtin e vendeve që dominojnë e bajnë rregullat e botës. Por nuk ka asgja ma të randë se nji komb që nuk ka kujtesë historike. Po kështu, nuk ka asgja ma të trishtueshme se nji qytet si Shkodra, që vijon me qenë në letargji tash sa dekada.
Nji ditë prej ditësh, po kaloja në Shkodër (në vizitat e mia të rralla tashma) dhe befas më zunë sytë nji bust të nji personaliteti austriak, në mos u gabofsha, pak hapa para Bashkisë së qytetit. Nuk u ndala shumë me ia mbajtë mend as emnin, e as nuk mora nismën për me qëmtue ma’ndej për këtë njeri. Gjithsesi tue respektue aktin qytetar të pranisë së kësaj figure mu në zemër që qytetit, njiherësh nuk mbërrita me kuptue vendin e tij aty përpara vendit të figurave e personaliteteve tona. Ndokush, me të drejtë ka me pyetë, se çne kaq shqetësim sa me hy e me shkrue për kaq e gja, kur shteti shqiptar ka njimijë e nji probleme të tjera: ekonomike, partiake, reformash arsimore, (mos)dekretimesh etc. Po gjithsecili ka kahen e vet të mendimit. Në këtë mënyrë, edhe unë (si nji pjesë e mirë të intelektualëve jo vetëm të qytetit të Shkodrës, me të cilët në bisedat e ngushta të tavolinave e kemi trajtue këtë çështje) më shqetëson fakti se mungon nji shtatore e Arshi Pipës. Nji shtatore klasike, e perceptueshme – jo sikundër ajo e Gjergj Fishtës, që duhet me e gjetë portretin e tij me tri lëvizje! Sigurisht mungojnë dhe monumentet a bustet e disa personaliteteve të tjera. Asht pak e habitshme sesi këshilli bashkiak (a kush mund ta ketë në dorë miratimin e vendosjes së nji busti/shtatoreje) pranon me zanë hapësinën publike për të huejtë pa nderue ma parë vendasit, bijtë e vet. Asht po prapë e habitshme se qysh mbas 1997, kur hini i trupit të A. Pipës u derdh në Adrie, askush nuk e çeli gojën se kjo figurë duhet ta ketë shtatoren e tij pikërisht në zemër të qytetit. Asnji sallë universiteti në Shqipni (për turp tonin) nuk mban emnin e tij. Nuk e di a mund të ketë emna rrugësh a rruginash me emnin e profesor Arshi Pipës (?). U hesht, po prapë si gjithnji, edhe me rastin e 95-vjetorit të tij, në datë 27 korrik. Në shtyp lexova se veç në Amerikë, nga Federata Pan-shqiptare ‘Vatra’, ku ka zhvillue karrierën e tij akademike, u mbajt nji Konferencë shkencore në nderim të punës së tij. Si mundet vallë qyteti i tij i lindjes me e lanë në harresë nji figurë të kalibrit botënor? Këtë e tham pa frikë dhe me përgjegjësi intelektuale. Asht ndër të paktët shqiptarë që rrin krah për krah me studiuesit ma të mirë që ka njohë disiplina e studimeve të letërsisë (jo vetëm asaj shqipe), e sociologjisë politike, dhe e filozofisë. Më vjen çudi me vete, sesi thirren sot do njerëz filozofë pa pasë farë doktrine dhe deduksioni origjinal filozofik – por quhen të tillë se thjesht janë mësimdhanës në fakultete përkatëse. Në këtë vend, sigurisht, mundesh me u ba filozof dhe me disa artikuj edhe në mos qofshin në lamë të filozofisë. Mundesh me dalë po ashtu në TV dhe me u heqë si i tillë, e çdo gja funksionon për mrekulli. Ndërkohë, Arshi Pipën, ndër të vetmit që ka nji doktrinë filozofike (parashtrue në Skicë e një koncpetimi mbi jetën [pasue me Mbi gjeniun]) nuk e përmend askush. Nuk përmendet sa dhe si duhet as si poet madje, pavarësisht se asht njohësi ma i mirë i metrikologjisë, dhe ekzekutuesi i disa metrave në poezi, jo vetëm në gjuhën shqipe. Shtojmë këtu edhe faktin, se ai asht modeli i rezistencës së burgjeve komuniste. Pra të jesh studiues, poet, profesor emeritus, politolog, doktrinar, përkthyes, nuk mundesh me pasë aq metra katrorë sa për nji shtatore!? Dhe për ma tepër të kesh heqë e dëshmue me aq skrupulozitet në dhe për ferrin enverist. Nji qytet si Shkodra, që për vite e ka vuejtë baticën e zbaticën e regjimit komunist dhe po vuen sërish këtë zgjatje të komunizmit (sepse ai ende nuk ka ra në Shqipni!), tregohet e pandieshme për me nderue kujtimin e A. Pipës. Këtij njeriu, që përpos së kaloi nëpër disa burgje e kampe pune, i asht vra dhe vëllai, Myzafer Pipa, vetëm pse u doli në mbrojtje juridike, si avokat që ishte, klerit katolik. U vra në mënyrë mizore, mbas sa e sa torturave, me pretekstin se donte të arratisej nga burgu. Dhe ku u vra? – Në rrugë. Në qytetin e Shkodrës. Toka ku u lind, ku u derdh gjaku i vëllait të tij e len prapë në harresë. Ç’ironi?
Ky shkrim, qëllimisht i thukët, asht nji apel dhe nji letër e hapun ma së parit për znj. Voltana Ademi, kryebashkiaken e Shkodrës, dhe për të gjithë intelektualët e këtij qyteti. Nuk asht vonë, me u ba të ndërgjegjshëm për kujtesën tonë kombtare. Të dalim publikisht dhe të mbrojmë vlerat reale dhe të nderojmë ata që vërtet dhanë për këtë vend, dhe t’u largohemi mediokriteteve të agjencive të ndryshme kulturore që ndajnë çmime, të cilat nuk kanë kompetencat e duhuna të peshimit të produktivitetit artistik. Dhe ma e bukura, gjithçka mediatizohet dhe shitet për event kultural!
Për ta mbyllë, shpresoj se znj. Ademi, tue qenë pinjolle e nji familjeje që e ka vuejtë përndjekjen komuniste, do ta ketë në rend të punës së saj nji slogan të munguem në ato flamuj dyngjyrësh që më lëbyrën sytë: Për Shkodrën dhe kujtesën tonë!

"standard.al"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.