Gjykata Speciale në Kosovë, një perspektivë dështimi, ashtu si EULEX, thotë analisti Daniel Serwer
Edhe pse më në fund u mundësua krijimi i saj, Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë mund të rezultojë një histori dështimi, thotë analisti amerikan, Daniel Serwer. Kjo sepse edhe EULEX ka dështuar, çka tregon se korrupsioni është i plotfuqishëm në vend, ndërkohë që provat e krimeve të luftës janë vjetruar dhe se ka rrezik që procesi të mos jetë i drejtë.
Miqtë e Kosovës në Uashington dhe në Bruksel mund të kenë pasur më shumë dëshirë që këto raste krimesh të luftëtarëve shqiptarë të trajtohen nga sistemi gjyqësor i Kosovës, thotë Serwer, por Kosova është shumë e vogël dhe e ndërlidhur përbrenda që të mund të trajtojë raste të tilla, të cilat kërkojnë mbrojtje absolute të dëshmitarëve. Sidoqoftë, nuk do të ishte e mundur që gjykatat në Kosovë të merren me këto krime të cilat sipas provave kanë ndodhur në Shqipëri, duke përfshirë këtu vrasje dhe trafikim të organeve.
“Fatkeqësisht nuk është ende e qartë nëse edhe ndërkombëtarët mund ta menaxhojnë këtë. Misioni për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) është dëshmuar të jetë edhe vetë i korruptuar dhe inkompetent. Tribunali Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi, nuk ka qenë fare më i mirë në trajtimin e këtyre rasteve. Gjykimet e këtyre misioneve janë zvarritur për vite të tëra dhe kanë qenë inkonsistente dhe rrjedhimisht vështirë kanë sjellë rezultate”, thotë Serwer.
Add new comment