Atë që nuk e tha kryeministri e thotë FMN: “Ka një problem administrimi. Taksat nuk janë aq të ulëta, por performanca e të ardhurave nuk është e fortë”. Opsion final: Rritja e taksave
Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë, Jens Reinke, ka shpjeguar përmes një interviste për “Top-Channel” se për cilat arsye fondi nuk nënshkroi marrëveshjen e radhës me qeverinë shqiptare. Në vend të parë qëndron mosmbledhja e të ardhurave, për të cilat Reinke, pranon se ka shkaqe që vijnë nga rënia e çmimeve, por ka edhhe shkaqe që lidhen me administrimin. “Gjatë këtij viti të ardhurat kanë rënë në mënyrë thelbësore nga pritshmëritë dhe plani. Në këtë pikë, për të kompletuar nënshkrimin e marrëveshjes ne diskutuam me qeverinë për masat në krahun e taksave, të cilat do të mbyllnin gropën. Por qeveria vendosi të punojë njëherë në drejtim të administrimit përpara se të angazhohet në diskutime për politika të reja taksash, çka në gjykimin tim është një rrugë e përshtatshme, por edhe fisnike për të lëvizur përpara. Disa nga arsyet reflektojnë faktorë të jashtëm, si rënia e çmimit të naftës, interesat apo dhe inflacioni i ulët. Por disa të tjera lidhen me zbatimin e ligjit dhe rregullave tatimore. Pra, ka një problem administrimi. Taksat nuk janë aq të ulëta në Shqipëri, por performanca e të ardhurave nuk është e fortë”, nënvizon Reinke. Zyrtari i FMN-së pohon kështu se ka një problem me administratën tatimore, e cila nuk është dëshmuar në nivelin e pritur për realizimin e të ardhurave.
Por a e pranoi një fakt të tillë kryeministri në fjalën e mbajtur dje?
Ja se çfarë tha ai ndër të tjera për faktin e rënies së të ardhurave: “Jemi në proces dhe drejt përfundimit të një analize shumë të thelluar të të gjitha arsyeve të rënies së të ardhurave, në raport me parashikimin. Një analizë që, po e bëjmë me një ekspertizë të lartë ndërkombëtare dhe që është pjesë e një procesi reformimi dhe transformimi të mënyrës së këndvështrimit dhe të punës së Ministrisë së Financave, doganave, tatimeve, në raport me shifrat konkrete. Nuk kemi ende një pamje shteruese, pasi analiza është drejt përfundimit të saj, por një gjë është e sigurt, jemi në kushtet e ndryshimit të modelit ekonomik. Nga njëra anë kemi një rritje me 2.82% të ekonomisë, nga ana tjetër kemi një rënie të ardhurash, që reflekton ndër të tjera, jo vetëm, ndryshimin e strukturës së ekonomisë me një rritje të ndjeshme të Prodhimit të Brendshëm dhe nga ana tjetër, me një rritje të ndjeshme të importit të makinerive drejt vendit tonë, çka lë të kuptohet se ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur, dhe sipas objektivit tonë madhor të ndryshimit të modelit ekonomik, e gjithë sipërmarrja, duke investuar tanimë, shumë më tepër se më parë, për linja prodhuese dhe linja përpunuese”, tha kryeministri. Si vallë kështu? Si vallë parashikimi vjetor u përballka me kalimin e papritur në një model të ri ekonomik, i cili ndikon në mbledhjen e të ardhurave? Është në të mirën e përbashkët që kryeministri t’ia kursejë vetes këto fyerje. Dhe sidomos: të mos shpresojë kaq shumë se mund të gënjejë pafundësisht dhe kaq trashë.
Bisedimet me FMN, në tetor. Opsion i fundit, rritja e taksave
Në përgjithësi organizata si FMN, apo Banka Botërore gëzojnë në disa vende një nam jo të mirë sa i përket ndikimit të masave që propozojnë. Por në rastin konkret, ishte qeveria shqiptare e tanishme që e cilësoi sukses dhe garanci rikthimin e FMN-së në Tiranë. FMN ka qenë shumë e hapur kur deklaroi se do të kushtëzonte ndihmën me performancën dhe Reinke e thekson edhe njëherë këtë, teksa paralajmëron se masat që duhen marrë i përkasin qeverisë. Në finale, nëse çdo gjë dështon, mbetet rritja e taksave. “Programi është i ankoruar në performancën fiskale dhe reduktimin e borxhit. Nëse disa tregues nuk ecin sipas planit të paracaktuar, atëherë duhen masa korrektuese. Qeveria mund të shohë për kursime, të shkurtojë shpenzime të panevojshme. Por, nëse këto nuk do të mjaftojnë, atëhere do të duhen masa në krahun e taksave. Por i takon qeverisë të vendosë se cilën nga këto instrumenta do të zgjedhë, nëse do të dojë të ulë shpenzimet apo të rrisë taksat”, përfundon Reinke.
Masat u paralajmëruan dhe ato ishin lufta kundër evazionit dhe informalitetit. Por sesi do të ecet konkretisht, a është identifikuar objektivi, kjo mbetet ende për t’u parë. I habitshëm tingëllon po ashtu edhe gjysmëpremtimi i dhënë dje nga kryeministri për ulje taksash, në një kohë kur ka rënie të të ardhurave. I habitshëm, pasi nëse mendohet se kjo do të rrisë qarkullimin apo konsumin, ai që tani konsiderohet i kënaqshëm nga qeveria. Ky konfuzion në daljet publike buron sa nga paqartësia se çfarë duhet bërë, aq edhe nga detyrimi për të mosdeklaruar problemet në administrim. Të vihet re se konferencën e djeshme për shtyp, kryeministri e nisi me shlyerjen e detyrimeve ndaj biznesit. Pra me një lajm të mirë dhe një premtim të mbajtur, që gjithsesi pranohet se nuk ka dhënë efektet e parashikuara.
s.z
Add new comment