Gazetari, intervista dhe njerëzia
Të shkruarit direkt, ashpër, pa përkujdesje, pa dorashka, pa frikë se mos i prish punë a i prish qejfin kujt, duke ruajtur ndërkaq cilësinë e formës dhe përmbajtjes, është sa i rrallë aq edhe tërheqës. Për më tepër, kur mendimi lind e formësohet kështu, ka shumë gjasa edhe që të sjellë ide e këndvështrime të reja, nga ato që na bëjnë të themi: “Hëm! Nuk e di nëse jam dakord, por më pëlqen ta përtyp e ta rrotulloj në tru këtë lloj qasjeje.” Ky pak a shumë është sitili i Janet Malcolmit, gazetare, shkrimtare dhe studiuese në ShBA, që rregullisht ka përdorur në analizat e saj metoda psikanalitike. Nganjëherë ajo dhe shkrimet e saj të ashtuquajtura “të liga e fshikulluese”, më kujtojnë një gojëdhanë për kushërirën e zgjuar të presidentit amerikan T. Roosevelt. Amerikanët kanë një proverb që thotë “nëse s’thua dot gjë të mirë për njeri, atëherë mos fol fare!”. Kushërira e Rooseveltit në festat organizuar prej tij, e kish zakon të thoshte: “Nëse s’thua dot gjë të mirë për njeri, eja dhe ulu pranë meje”. Më poshtë kam përkthyer një pjesë nga hyrja e Malcolmit për librin “Gazetari dhe vrasësi” botuar më 1990. Nuk e sjell këtu sepse ndaj të njëjtat ide me të, por se qasja e saj disi ekstreme të bën esëll, si dhe sepse besoj se na bën mirë të gjithëve të reflektojmë për informacionin që japim e që marrim nga mediat, si ndërtohet ai, cilët janë aktorët, sa morale dhe e përgjegjshme është puna e tyre, sa dhe si e influencojnë ata mesazhin dhe ne, etj etj. Shkurt, kjo copë mua më vuri në lëvizje makinën e të arsyetuarit moral, dhe disa nga pyetjet dhe idetë që më lindën mua në këtë proces, i kam radhitur në fund të shkrimit të Malcolmit. (ED)
“Gazetari dhe vrasësi” (nga Janet Malcolm)
Çdo gazetar që nuk është tepër i trashë apo i vetëkënaqur për të vënë re çfarë ndodh, e di që ajo çka ai bën, është moralisht e pambrojtshme. Gazetari është një lloj mashtruesi, predator i vanitetit, injorancës apo vetmisë së tjetrit, që më parë fiton besimin e tij, e më pas e tradhton pa iu dridhur qerpiku. Si vejusha naive që një ditë të bukur zgjohet dhe zbulon se ashiku i saj djaloshar qe zhdukur bashkë me gjithë kursimet e saj, po ashtu edhe ai që jep lejë të trajtohet si subjekt i një shkrimi gazetaresk a biografik, pëson—sapo artikulli a libri ka dalë—një brengë dyfish. Gazetarët e justifikojnë tradhtinë e vet në mënyra të ndryshme sipas temperamenteve që kanë. Ata më pompozët flasin për lirinë e fjalës dhe “të drejtën e publikut për të ditur”; ata më pak të talentuarit flasin për Art; ata që janë më tamam murmurisin se duhen para për të jetuar.
Katastrofa që ndien subjekti i shkrimit nuk lidhet thjesht me një portretizim të tij shëmtaq ose keq-paraqitjeje të pikëpamjeve të veta; çfarë e vret më fort atë, e torturon dhe nganjëherë e shtyn në hakmarrje ekstreme, është hilja që iu bë. Teksa lexon librin a artikullin ne fjalë, i duhet të përballet me faktin se gazetari—që dukej aq miqësor dhe i afërt, aq i përgjëruar që ta kuptonte plotësisht, aq qartësisht i së njëjtës mendjeje me të—në fakt për asnjë çast nuk kish pasur për qëllim të bashkëpunonte me subjektin për historinë e këtij të fundit, por gjithnjë kish dashur të shkruante një histori krejt të vetën. Mospërputhja mes asaj që ngjante si qëllimi i intervistës kur kjo po kryhej, dhe asaj që në fakt del se paskësh qenë gjithnjë qëllimi i vërtetë, i vjen si një shock subjektit. Situata e tij i ngjan asaj të subjektit të eksperimentit të famshëm psikologjik të Stanley Milgram-it (kryer në Yale në fillim të viteve 60), që u kabua të besonte se po merrte pjesë në një eksperiment që testonte pasojat që luante ndëshkimi mbi memorien dhe procesin e të mësuarit. Në fakt, ajo që po testohej ishte aftësia e tij për të kryer akte mizore nën presionin e autoritetit. Në një situatë laboratorike të manipuluar “subjektit naiv”—që ishte thjesht një vullnetar çfarëdo që kish rënë dakord të merrte pjesë në eksperiment—i ish kërkuar t’i jepte një shock elektrik gjithnjë e më të lartë e gjithnjë e më të dhimbshëm një personi tjetër, prezantuar si një tjetër vullnetar i çfarëdoshëm në eksperiment, pas çdo përgjigjeje të gabuar që i jepte një pyetësori. Në librin e vet “Bindje ndaj autoritetit”, libri ku përshkruhet eksperimenti më sipër, Milgram shkruan se ishte habitur me numrin e madh të subjekteve që iu bindën eksperimentit, dhe që i mëshonin levës që shkaktonte shockun, sido që personi që i nënshtrohej shockut ulërinte me dhimbje. Në fakt, ishte një dhimbje e simuluar dhe në fakt e gjithë skena ishte e sajuar: aparati elektrik ku ish lidhur “viktima” ishte i rremë, dhe viktima vetë ishte një aktor. Ideja e Milgramit ishte të shihte se si do silleshin amerikanë të zakonshëm që viheshin në situata të ngjashme me ato të gjermanëve që u urdhëruan të merrnin pjesë aktivisht në shfarosjen e çifutëve të Europës. Rezultatet nuk ishin inkurajuese. Sido që disa subjekte refuzuan të vazhdonin eksperimentin sapo viktima shfaqte shenja dhimbjeje, shumica e subjekteve vazhduan t’u jepnin viktimave shock pas shocku pa e vrarë fort mendjen. Megjithatë, gjetjet a Milgramit që të fusin drithmat, nuk janë ajo që më intereson këtu. Ajo që dua të tregoj është struktura e situatës: një delusion i ndërtuar qëllimisht e me ngadalë, ndjekur nga momenti kur e vërteta therëse zbulohet qetësisht e tak-fak.
Zhvendosja marramendëse që përjetoi subjekti i Milgramit kur iu shpjegua se përse e kishin përdorur, mund të krahasohet me atë që ndien subjekti i një artikulli a libri pasi sapo e ka lexuar atë. Subjekti i copës së shkruar nuk ka vuajtur tensionin dhe ankthin që kaloi subjekti i “eksperimentit të Eichmanit” (siç është quajtur). Në të kundërt, ai ka qenë, si të themi, me pushime narcizite gjatë kohës së intervistave. Por kur vjen momenti vendimtar, ai konfrontohet me imazhin e turpshëm të vetvetes që sapo e kanë ngelur në ‘provimin’ e karakterit, madje pa e ditur fare se kish hyrë në këtë provim. Sidoqoftë, ndryshe nga lexuesi i librit “Bindje ndaj autoritetit” me të cilin Milgrami ndan detajet teknike të strukturës së gënjeshtërt të eksperimentit, lexuesi i një pune gazetarie mundet vetëm ta marrë me mend se si gazetari ia ka dalë ta bëjë subjektin të luajë estradë me veten e vet. Subjekti nga ana e vet, nuk besoj se mund të hedhë dritë në këtë pikë. Pasi është ftilluar dhe ka kuptuar sa poshtë ka rënë, ai ka prirjen të ngrihet më këmbë e t’i largohet skandalit të turpshëm, duke e flakur lidhjen e tij me gazetarin, në pirgun e dashurive që kanë përfunduar keq dhe që më mirë t’i mbash jashtë vetëdijës. Por ndodh që subjekti të ndihet i lidhur aq fort me gazetarin, sa të mos ndahet dot prej tij, dhe, kohë pasi libri i pasuskseshëm të ketë përfunduar nëpër magazina letre, lidhjen me gazetarin ta mbajë nëpërmjet hedhjes së tij në gjyq, një gjyq pa fund. Por edhe në këtë fazë babëzia dhe mashtrimi i gazetarit nuk ekspozohen dot publikisht, sepse avokati që trajton rastin gjyqësor e shndërron historinë e ngashënjimit dhe tradhtisë nga ana e gazetarit, në një apo disa narrative konvencionale nën ombrellën ligjore mbi shpifjen: shpifje ndaj karakterit të dikujt, pohime të rreme mbi faktet, apo nënvlerësim i shkujdesur i së vërtetës.
FUND
Çfarë më erdhi ndër mend teksa lexoja Malcolmin shpuzë më lart:
Të jenë vërtet kaq të paskrupullt gazetarët thua? Mendon kështu nga ato që u lexon, apo se je ndier vetë në pozitën e të tradhëtuarit prej gazetarit? A nuk ndodh shpesh në rastin e Shqipërisë që gazetari e portretizon subjektin shumë më mirë se sa priste subjekti vetë? Kur ndodh kështu e Ç’ndryshim ka mes kategorisë së subjekteve të tradhtuara dhe atyre të cilëve u këndohen ditirambe nga gazetarët? Duke kaluar prapë tek qasja e Malcolmit për gazetarin-tradhtar, a ka mënyrë tjetër gazetari ta nxjerrë të vërtetën e trurit të subjektit nëse nuk sillet si i afërt i tij? A ka të drejtë morale të sillet kështu? A i detyrohet në fakt gazetari subjektit për mënyrën se si e parashtron dhe interpreton historinë e vjelë prej tij? A duam ne si publik histori dhe lajme që nuk i kalojnë makinës përpunuese dhe lentes kritike të gazetarit? Në fund të fundit, a ka lajme të tilla? A është vërtetë një lloj varësie adhurimi të sëmurë ajo që zhvillohet mes gazetarit dhe subjektit të intervistuar? Po gazetarët vallë, qëllon të krijojnë varësi ndaj subjekteve? Nëse po, çfarë i dallon këto subjekte ndryshe nga të tjerët? Kur gazetari është qenie kaq e adhuruar prej subjekteve (deri në marri dhe reagim të hidhur dashuror) përse atëherë analistët tanë (që vdesin për vëmendje) nuk merren hiç me gazetari, e kanë harruar profesionin e tyre të vërtetë dhe u rrinë larg “subjekteve” apo intervistave me njerëz që nuk janë kryetarë partie, kryeministra apo drejtues organizmash ndërkombëtare? Çfarë është gjësendi tjetër që i josh analistët më fort se marria e audiencave “subjektesh”- formuar lidhur patologjikisht pas tyre? Sa % e gazetarëve tanë në fakt marrin intervista direkte nga aktorët në ngjarje si dhe të tjerë subjekte lidhur njëfarësoj me ngjarjen? Sa të tjerë i marrin informacionet nëpër kafene, restorante, ‘Internet chat’ apo mbledhje të mbyllura organizuar me ftesa të posaçme? Cili informacion do ishte më i vlefshëm për publikun e pse?
Më tej e më me rëndësi akoma: A na manipulojnë? Cilët më shumë e cilët më pak? A manipulon vetëm gazetari gjatë intervistës apo mediat në përgjithësi? A jemi të gjithë pak a shumë si “subjektet” e Malcolmit para aparatit të mediave? Bëni dot një listë konkrete manipuluesish? Politikanët apo gazetarët qëndrojnë më lart? Apo gjërat s’janë kaq të ndara sa duken? Cili politikan ju duket më manipuluesi? Kur ua ka prishur mendjen? Kur e keni kuptuar se kishit rënë në grackë? Cili mund të jetë duke u përpjekur të bëjë të njëjtën gjë tani?
Edhe lidhur me shkrimin vetë dalin shumë pyetje:
A e lëviz shoqërinë përpara apo pas vështrimi cinik mbi realitetin? Në shoqëri problematike si e jona, a është një vështrim realist domosdo edhe cinik? Në fund të fundit, nuk është e thënë që çdo gazetar të bëjë pjesë në tri kampet që përmend Malcolmi; vetëm shumica bën pjesë aty. Kujtoni gazetarë a komentues të tjerë që kritikojnë apo lëvdojnë çka ndodh në Shqipëri, që e shohin gotën gjysmë bosh apo gjysmë plot. Cilët i bëjnë njerëzit të lëvizin në drejtimin e ndryshimit për mirë? Kur nuk presim që politikanët ta përshkruajnë realisht gjendjen, a nuk na duhet më tepër një gazetar që merret më shumë me çalimet tona në moral e kulturë sot, sesa me virtutet tona mitike; pra është më mirë një zeher-bojaxhi si Malcolmi, apo një sheqer-bojaxhi?
Comments
"SHITESJA,KEPUCET
<p> "SHITESJA,KEPUCET LLUSTRAFINE DHE TRE VELLEZERIT"...Kjo ngjarje reale ne Shqiperine e Mesme m'u kujtua sot duke lexuar artikullin e perkthimin e znj.Derhemi.Juve merreni si te doni... -Para eres se re demokratike,tre vellezer,bene nje dore para duke mbledhur lulekuqe mes grurit ne vesen e sapogdhirjes.Pasi i thane mire e mire i shiten ne ndermarrjen e grumbullimit,me leket e marra,sipas premtimit te prinderve,do te blenin nga nje pale kepuce.Boll dilnin ne qender me nallane,galloshe,apo gjysemcizme te prera me thike.Gjithe shendevere shkojne ne mapo tek reparti kepucari.Shitesja,vajze e re,e pashme,nis te ushtroj zanatin me bla-bla-te e bukura per t'i bindur tre vellezerit e drojtur te prishnin ato pare qe i mbanin me nje perkujdesje te tejskajshme ne nje gazete te perditshme komuniste shnderruar ne nje zarf."kepucet jane llustrafine,me togeza inoksi,gjithe xixas,me sholle...Te gjitha vajzat do i beni per vete...",recitoi shitesja fillimisht.Pasi u grinden vellezerit kush do i provinte i pari,i ra risku te vopglit.I veshi.Vertete te bukura,ndriconin si pasqyre.Eci ca hapa mbi pllakat e Peqinit.Ato shkelqenin e kercisnin trak-truk.Klientet kthenin kokat."T'i gezosh!Me te bukura s'gjen!Shiko si reflektojne.Xham!Uaaa,king je!...",vazhdoi shitesja lozonjare duke i hedhur floket pas me nje levizje elegante te dores.Vellezerit te drojtur,skuqur,pagoje,shikonin njeri-tjetrin dhe me te rralle shitesen.Ne fund i kryqezonin veshtrimet tek kepucet llustrafine."kane dhe pafka tek takat te kercasin me shume e mos te prishen kollaj...Urdhero dhe ti!",vazhdoi bukuroshja.Vellai i dyte u ul ne stolin e proves dhe veshi kepucet duke ju dridhur duart.Eci disa metra dhe ne kthim i thote shiteses se mos kishte me te medhaja ngaqe "me vritet kurrizi i gishtit te madh te kembes se djathte"".Fliste,i shikonte llustrafinet si vetetinin,godiste majen e kepuces tek pllakat,por shtremberohej ne fytyre.Dicka s'ecte mire.E vrisnin tek kurrizi i gishtit te madh te djathte.Edhe pse e shtypte me dore ,suprina behej si kurriz deveje.Shitesja u pertyp,nderroi disa here cehre,dhe ja keputi:"Bukuri i ke!Kallo kane te gjithe.Po s'i durove,merr nje brisk astraq dhe prije lekuren sa nje torrovicke (kaqol).Sa te shkojne!?Ke dashnore?...Urdhero dhe ti..." i drejtohet vellait te trete,me te madhit.Ai kishte ngrire kallkan.Nejse,pasi i vesh,i zhvesh dy tri here,kepuca e majte nuk i bente tamam,dicka e pengonte qe te hynte plotesisht.E kontrolloi brenda mos kishte gje por jo."S'me bejne",murmuriti."Epo,vetem 41-ish kemi,keto jane,shume te bukura ,ka shume kerkesa...me vone s'do i gjesh me,shih si ta bejne me sy...T'i mund te presesh pak gishtin e madh,dhe kur ti veshesh,birrinxhi,tamam te shkojne,te tre njelloj...Njeri me i bukur se tjetri.Gishti sherrohet shpejt me pak duhan te grire.Kepucet do te cojne xixa-xixa".Vellezerit u pane serish sy me sy.Si femije te veckel,te sinqerte dhe te besueshem.I besuan...Ajo,me nje grimase te cuditshme pasi nuk e besoi dhe vet qe ata e besuan,u shpreh "t'i gezoni dhe me nga nje nuse plot xixa te bukura!",ndersa vellezerit me cehre te padjallezuari,feminore,perkedhelnin kepucet me nje embelsi cuditerisht te embel.Paguan kepucet llustrafine me togeza inoksi tre vellezerit tek shitesja lozonjare e qeshur dhe u larguan pa folur aspak,kokeulur,plot mendime.Ne shtepi,i vogli nisi te bridhte ne oborr duke kercyer;i dyti pasi gjeti briskun astra nisi te priste suprinen sa nje torrovicke dhe i madhi poshte manit bertiste mbyturazi nga dhimbjet e prerjes se gishtit me sqepar ,per t'a bere kemben numer 41...Kepucet llustrafine ndriconin nen rrezet e diellit.Vellezerit me dhimbje pa dhimbje torturoheshin per te bere prerjen e tyre numer 41...- </p>
Add new comment